Rruga e Kombit kërkon edhe 160 mln euro që të mbyllet

Arben Ahmetaj

Për autostradën Rruga e Kombit duhen edhe 160 milionë euro që të përfundojnë urat dhe segmentet e lëna në mes. “Ka thithur nga paratë e shqiptarëve rreth 1,4 miliardë deri më sot dhe nuk ka mbaruar. Në një përllogaritje paraprake që ka bërë Komisioni Europian për ta standardizuar segmentin Durrës-Morin, duhen të paktën edhe 160 milionë euro”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili iu përgjigj interesit të deputetëve se kur do të mbarojë rruga. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i kërkoi ministrit Ahmetaj afatin e përfundimit të autostradës.

Qeveria është duke zhvilluar tenderin e dhënies me koncesion privatit. “Ka një tender në proces, i cili parashikon investime modeste për mirëmbajtje intensive. Nuk e dimë sesi do të dalë, por po ju them se, edhe sikur tenderi të mbyllet me sukses, përsëri ajo rrugë është e papërfunduar”, deklaroi ministri Ahmetaj. Duke folur për buxhetin 2016, Ahmetaj u shpreh se “do të investohet 5,1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe është një sukses i drejtpërdrejtë dhe i koordinuar me uljen drastike të deficitit buxhetor”. Por opozita kundërshtoi, duke deklaruar se shifra e investimeve publike është fryrë artificialisht.