Rrëfimi i kolonelit që urdhëroi hapjen e Murit të Berlinit

Lejtnant-koloneli gjermanolindor, Harald Jäger, i cili kishte dhënë urdhër të hapet Muri i Berlinit para plot 25 vjetësh, tregon se kishte qarë pak kohë më pas teksa shihte turmën e berlinezëve të lindjes që turreshin drejt të çarës në mur për të dalë në anën perëndimore dhe të shijonin për herë të parë lirinë e lëvizjes.

Në një intervistë për “Reuters”, Harald Jäger thotë se para se ta merrte vendimin, i cili do ta ndryshonte historinë, ka kaluar shumë orë duke pritur sqarime dhe urdhra rreth asaj se ç’duhej të bënte, ndërkohë që përjashta 20.000 veta protestonin duke kërkuar të drejtën që të mund të kalonin në Perëndim.

Në këtë situatë, i qe mbushur mendja se po dilte qesharak para turmës, prandaj, Harald Jäger urdhëroi 46 rojet kufitare nën komandën e tij që ta heqin pengesën dhe turma të lejohej të kalonte.

Pak çaste më pas, ai tërhiqet mënjanë dhe i lë lotët të rrjedhin lirshëm. Ishin lot gëzimi e lehtësimi, sepse kjo punë përfundoi pa gjakderdhje, por edhe lot zemërimi, meqë ai ishte braktisur nga eprorët. Po ashtu, ishin edhe lot të zhgënjimit të një njeriu që kishte besuar për kohë të gjatë në idealin komunist.

Harald Jäger ishte angazhuar në korpusin e rojeve kufitare më 1961. Për 28 vjet, ai e kishte parë Murin, i cili në fillim ishte një rrethojë me tela me gjemba, të cilës më pas iu shtua edhe muri me blloqe betoni, i cili e rrethonte Berlinin Perëndimor, duke ndarë rrugët, familjet, madje edhe varrezat.

“Bota po shembej mbi mua. Ndihesha i braktisur nga partia dhe nga hierarkia ushtarake”, tregon tash Jäger, 71-vjeçar, duke kujtuar natën e 9 nëntorit 1989. “Në njërën anë isha tepër i zhgënjyer, por edhe i lehtësuar sepse kjo histori po përfundonte në mënyrë paqësore. Përfundimi ka mundur të ishte krejt tjetër”.

Historianët theksojnë sot guximin e lejtënant-kolonelit Jäger në pikën e kalimit Bornholmer Strasse në një moment vendimtar (ora 23:30, më 9 nëntor 1989), dhe rolin e tij në rënien e Murit dhe fundin e Luftës së Ftohtë. Në orët që pasuan, gjemanolindorët vallëzonin mbi Mur, në Portën e Brandeburgut, dhe pika të tjera kalimi qenë hapur shumë shpejt, transmeton Zëri.

“Kur e kuptova tamam se ç’po ndodhte u gëzova për të gjithë gjermanolindorët, të cilët po e realizonin aspiratën e tyre”, thotë Harald Jäger, i cili shumë lehtë ka mundur të akuzohej për tradhti dhe i cili për pak kohë ishte objekt i një hetimi nga Prokuroria e Republikës gjermano-lindore.

Pak orë më herët, po atë mbrëmje, Jäger gjatë pauzës së darkës kishte parë në televizor konferencën e famshme për shtyp, që jepej drejtpërdrejt, të Günther Schabowskit. Ky zyrtar i SED-it, partia në pushtet në Gjermaninë Lindore, i pyetur nga një gazetar i huaj se kur gjermanolindorët do të mundë të kalojnë lirshëm në Perëndim, i ngatërruar në letrat që i lëshoheshin në dorë aty për aty, ai jep gabimisht një deklaratë bombastike: “Me sa e di, që tash!”.

“Ta hajë dreqi!”, kishte thënë më vete Jäger, duke e ditur se gjermanolindorët do të dynden menjëherë drejt pikës së kalimit që ishte nën komandën e tij. Ai brof në këmbë duke besuar se kjo është arsyeja pse eprorët nuk i qenë përgjigjur kur i kishte thirrur shtatë apo tetë herë se çfarë duhej të bënte me mijëra njerëzit që kërkonin heqjen e barrierës.

Roli i Jägerit atë natë do të kuptohet shumë vite më vonë. Ajo për të cilën mendon vazhdimisht është se çfarë do të ndodhte sikur atë natë në ndërrim do të ishte dikush tjetër.