Rindizen sulmet/ Të gjithë kundër Koços

Deputeti i Sarandës Koço Kokëdhima është vënë sërish në qendër të sulmeve. Dhe këtë radhë kritikat për të kanë qenë sa politike po aq dhe mediatike. Vetëm një ditë më parë ai u sulmua brenda grupit socialist dhe njëkohësisht nga dy editoriale të gazetave Tema dhe Koha Jonë.

I pari në mbledhjen e deputetëve të PS u ngrit i zgjedhuri i Vlorës, Fatmir Toçi: “Ai është kthyer në beun e Jugut, duke mos përfillur kolegët, madje nuk i fton në takime të zonës. Nuk mund të marrë Koçua në dorë të gjithë partinë. Është bërë si Ali Pashai i Tepelenës. Ndërsa Aliu e pushtoi Jugun, Koços po ia falin. Nuk e di se kush, por po ia falin hapur. Po kërkon të bëjë parti me sekretare dhe drejtorë. Për çdo emërim, më parë duhet të merret leja e tij. Nuk është kjo që ne kemi dashur të bëjmë për qarkun tonë. Kjo për mendimin tim nuk shkon. Në qarkun e Vlorës ka shumë figura që kanë dhënë kontributin për partinë dhe që ky i ka shmangur. Për të mos folur pastaj për vonesat për procesin zgjedhor. Këto arsye dhe shumë të tjera bien mbi një person, deputetin Kokëdhima”.

Këto gjëra vëren në editorialin e tij edhe Mero Baze (“Mitizimi i Kokëdhimës si luftë ndaj Ramës”) i cili e sheh këtë fushatë ndaj Kokëdhimës si një frikë për t’u përballur drejtëpërdrejtë me Ramën. Megjithëatë edhe Baze nuk le pa i përmenur mëkatet e beut të Jugut : “Vonesa në zgjedhjet e strukturave të socialistëve në Vlorë dhe Gjirokastër, është tërësisht pasojë e lëmshit organizativ që ai ka krijuar me struktura paralele, me çupa e djem informalë, që u telefonojnë kryetarëve të Bashkive sikur t’i kenë shoferë personalë apo pastrues zyrash dhe me idetë e tij herë qesharake e herë delirante, për mënyrën se si partia duhet të jetë e përqëndruar rreth tij dhe në shërbim të punëve të tij.

Hidhini një sy çfarë iu ka bërë socialistëve në Gjirokastër. Në Dropull ka vënë kryetar shtabi, kryetarin e MEGA-s, zonat që përmbysën rezultatet e PD-së, si Cepo apo Libovovë, i ka lënë jashtë vemendjes dhe kryetarin e PS duket se e ka paracaktuar, duke injoruar strukturat formale të PS-së.

Është qeshrake se ka marrë zyrën e Genc Rulit me qera duke e lyer nga blu në pink dhe duket se më shumë problem ka po të jetë ndonjë drejtor i afërt me Arben Ahmetajn se sa me Arben Ristanin.

Aq qeshrake është përpjekja e tij për të personalizuar partinë, sa para Vitit të Ri, siç më tregoi një drejtor, dhuruan nga 20 mijë lekë gjithë drejtorët, me të cilat u blenë ndihma ushqimore për familjet e varfëra gjirokastrite, të cilat u ambalazhuan me logon “Nga deputeti Koço Kokëdhima”

Këto dhe të ngjashme me këto, në Përmet, Tepelenë Sarandë e Vlorë, janë problemet e Kokëdhimës dhe këto probleme, ai nuk po i krijon se ka shumë pushtet, por se kërkon shumë pushtet”.

Kokëdhima nuk i ka shpëtuar as editorialit të Nikollë Lesit i cili me një ironi therrëse e krahason rolin e tij me rolin e grave pranë burrështetsave të njohur: “Gjithnjë kam menduar se Koço Kokëdhima ka një fuqi enigmatike mbi Edi Ramën, të pashpjegueshme. Është fuqi financiare, është fuqi miqësore, fuqi mendimi, fuqi që i vjen Koços nga Zoti atje lart apo fuqi … ? Ç’është kjo fuqi e cila sposton miqtë e tij me të ngushtë, që flak tej në parti edhe “shtyllën kurrizore” të PS-së që mbetet Gramoz Ruçi, që e bën Ramën të mos pyesë asnjeri për administrimin e forcës politike përveç Koços, që nuk e lejon të pyesë për ekonominë e vendit dhe se si mund të mirërregullohet mirëqënia e vendit, pikërisht të shoqen, Linda Ramën, e cila është një prej ekonomisteve më të mira të Shqipërisë”, pyet Lesi.