Rinasi, pafuqia për tu turpëruar

Petrit Kuçana

“Pse malazezët e kanë qafën e gjatë?

-U është zgjatur duke parë arat dhe bereqetet e shqiptarëve”

Kjo barcaletë nga ato të moçmet që tregohej deri vonë ndër shqiptarë, që të kujtohet  ndërsa avioni i nisur prej Londrës  merr trajektoren për t’u ulur në Tivat. Atyre që u ka rënë të marrë linjën Londër-Tivat për herë të parë, mbase u kanë bërë përshtypje telat e ndryshkur rrethues që kufizojnë ( jo vetëm perceptimin) për atë copëz fushe që quhet aeroport, i cili dukej më tepër si një fushë e përshtatur për një ulje emergjente.  Krejtësisht i papërputhshëm me “doken aeroportuale”, janë larmishmëria e udhëtarëve që  zbarkojnë.

Nga dritaret e avionit lehtësisht dallon edhe ata që po presin vetëm pak metra më tej.

Rendja e pasagjerëve drejt një terminali shumë të vogël, të bën të ngresh pikëpyetjen “si i behet nëse bie shi” dhe vështirë të marrë përgjigje, pasi hapësira e pritjes deri në kontrollin e pasaportave është kaq e vogël, saqë rrjeshti i pasagjerëve është akoma tek avioni.

Ndërsa pret radhën për kontroll, dëgjon lajmërimet për pasagjerët e linjave të tjera ajrore dhe hamendësimi se sa avionë mund të ulen në këtë farë aeroporti, merr fund teksa shikon në një ekran të paktën gjashtë linja të tjera përveç Londrës, sipër një fotoje reklamuese turistike për Malin e Zi.

Pas pak metrash gjendesh jashtë aeroportit ku pasi rehatoheshe në një kafe, nuk të bëjnë shumë përshtypje bisedat shqiptarçe,  pasi “pritësit” e shumë udhëtarëve nga Londra  janë shqiptarë  dhe mëson se “Shkodra i ka nja dy orë t’mira” prej aty.

Bisedat me zë të lartë të taksixhinjëve tërhiqnin vëmendjen e “kafexhinjëve”, teksa një ndër përfaqësuesit e kompanive të makinave me qera, mundohej të patohej për çmimin me një çift aziatik, duke i shpjeguar se ishte shumë më lirë të rezervoheshin online, por nuk mund ta jepte makinën më pak se 30 euro në ditë, (pothuajse sa bileta kthyese Londër-Tivat).

Ishin të rralla pyetjet nëse dëshironim ndonjë taksi, deri kur u shfaq Ivani që pasi mori vesh që ishim shqiptarë, shqiptoi disa fjalë shqip, duke u përpjekur të thoshte se kishte klientë shumë shqiptarë.

Aeroporti i Tivatit

Shqiptarët që presin, të rikthenin tek barcaleta e moçme, por duket se merr krejt kuptim tjetër, tani në kohët moderne, kur Mali i Zi ndonëse ka banorë pak më shumë se gjysma e Tiranës, ka dy aeroporte (Podgoricën dhe Tivatin) dhe bën biznes me shqiptarë…

Shkon deri në pështirosje ndjesia për shërbëtorët( lexo pushtetarët) shqiptarë, qoftë edhe kur në revistën e EasyJetit vështron hartën e fluturimeve në rajonin e Ballkanit, dhe “sadoqë ta zgjatësh qafën”, nuk e sheh askund Tiranën dhe sërish e moçmja të dhemb, bashkë me ndryshimet ku emigrantët jetimë shqiptarë “marrin kthesën” nëpër komshinj për të arritur në “arën e bjerrur” shqiptare.

Para pak kohësh ishte një lajm nga ata “të bujshmit” që për herë të parë një kompani lowcost paska ardhur në Rinas, ku kronikanët u kujdesën që pas rrjeshtash, (ose pas zërit të kronikës) të mos shquhej aq shumë vërtetësia e lajmit, se Wizzair vjen në Tiranë nga Budapesti, si degë e saj dhe “u harrua” të thuhej se e njëjta gjë funksion edhe për vendet e rajonit, Budapest-Tiranë, Budapest-Shkup, Budapest-Podgoricë etj etj. Madje pamë edhe Ministrin e Transporteve tek reklamonte këtë arritje, këtë moment të shumëpritur e “pash me pash” zuri ekranet televizive në një mision përmbyllës se u kry edhe kjo punë.

Vërtet që Rinasi është bërë mallkimi i çdo mërgimtari shqiptar, pasi pohohet nga të gjithë, edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit që aeroporti i Rinasit ka tarifat më të larta në rajon dhe kaq thjeshtësisht kalon ky lajm, sa nuk ka asnjë zyrtar përgjegjës që të mundohet të shpjegojë atë dreq “pse-je”, dhe koklavitja e aeroportit të Rinasit me kontrata e koncesione krijon një gjurulldi të pashoqe.

Nga një lundrim në internet, gjen lajme mbi-njëvjeçare të ruajtura me kujdes nga motorët e kërkimit se “shumë shpejt do të hapet aeroporti i Kukësit” pas se ka perënduar koha e “koncesionit” të trashëguar nga Fatos Nano.

“Arrihet marrëveshja, hapet Aeroporti i Kukësit”, thoshin kronikat e një viti më parë ku theksohej se “Ministri Haxhinasto deklaroi se në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, kompanisë koncesionare të Rinasit i është zgjatur kontrata me dy vjet”.

Dhe kryesisht “emigrantët qafëgjatë” vazhdojnë të presin se mos ndoshta dikush do të kujtohet, ose së paku do të turpërohet, (nëse u ka mbetur ndonjë trohë burrnie) nëse do i bjerë rruga andej nga fqinjët, dhe do të shikojë çmimet e aeroporteve dhe do të kuptojë se ka diçka që nuk shkon me Rinasin, qoftë edhe kur dëgjojnë ndonjë kronikë për tarifat skandaloze të aeroportit të vetëm.

Të pabzashëm mbesin këta mërgimtarë, (mbi 1.5 Milionë vetëm nga Shqipëria amë) dhe barcaleta e moçme për qafën e gjatë të malazezëve, nuk gjen zbatim në kohët moderne, madje miliona shqiptarë të rajonit të Ballkanit duket se janë të pamundshëm për të thënë diçka, kur ish-kryeministri serb deklaronte se pret që shqiptarët të përdorin AirSerbia dhe nuk ka asnjë kokëçarje qoftë edhe për të pyetur se pse të mos ketë një AirAlbania, kur ka një potencë të tillë “klientësh” jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon. E megjithatë gjithçka  shushatet,  kur del ndonjë lajm për charterat me qera që marrin pushtetarët në udhëtimet e tyre, ku tarifat rrafshohen me kurrizet e dala të mërgimtarëve që rikthehen në vendlindje.  AirSerbia shpërfaqet cullak, në aeroportin Nënë Tereza, në sytë e ërzhitur të udhëtarëve shqiptarë, njësoj si reklamat në mediat se shqiptare se AirSerbia ofron çmimet më konkurruese në rajon. Të mendosh që Shqipwria ka 7 Aeroporte, (Kukwsi wshtw i gatshwm) qw mund tw rivitalizoheshin, nëse do të kishte pak “erz” prej atyre që kanë marrë përgjegjësinë për të qenë  shërbyes.

Është kaq e thjeshtë ajo kërkesa e nënkuptueshme së paku e mërgimtarëve shqiptarë, që nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse ta bëjnë Rinasin me çmimet e rajonit dhe që kurrë nuk mundën të marrin një përgjigje se pse Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka Lowcost lines?

E nëse nuk çuditesh me shifrat e shqiptarëve  të  Britanisë që marrin udhëtimin biblik treditor Londër-Shqipëri me makinë, fillon të mësohesh me ironinë tronditëse të shifrave të  kompanive turistike turke në Londër, se mbi 200 familje shqiptare nga Londra kanë rezervuar pushimet verore vetëm për në Turqi. Bileta për Rinas është baras me një jave pushime në Turqi.

“Mejdani” mbetet i munguar pë pyetjen e thjeshtë se si është e mundur që Mali i Zi që ka banorë sa gjysma e Tiranës të ketë dy aeroporte dhe dy prej linjave më prestigjioze Easyjett dhe Rynair dhe po bën biznes me shqiptarë, ndërsa çmimorja e Rinasit mbetet e lebetitshme?

Krejt e marrshme duket edhe gjuha e rrogëtarëve të turizmit ndërsa flasin për arritje , për masa të ndërmarra e për dreq të mallkuar, por nuk guxojnë të flasin një fjalë për Rinasin, si kanali i artë që ushqen arën e djerrur shqiptare, ku s’ka “kreshnik” që të zbulojë “kuçedrën e Rinasit”.

Të paktën si Mali i Zi, si Maqedonia, të paktën si Kosova me gjithë problematikën e saj,  të paktën si rajoni, të paktën për 1/3 e shqiptarëve braktisës apo të braktisur, hisemunguar padyshim, të atyre shqiptarëve për të cilët flasin të gjithë, por askush nuk mbron interesat e tyre.

Në të vërtetë ka vetëm një pyetje të rrafshët dhe krejt të sinqertë(megjithë çartjen e natyrshme). U ka mbetur ndonjë pikë ndjesie njerëzore këtyre pushtetarëve, shërbëtorë apo kryeshërbëtorë, qoftë edhe për t’u turpëruar?  Apo tashmë  “S’u bjen nder mend/ Me sa per kpurdha Qi bijn n’dervend” siç thoshte Fishta.

Sa shpërfillshëm e moçmja ndryshon, derisa vihet në dyshim nëse vërtetë ka qenë për malazezët ajo barcaleta me qafë të gjatë, apo për shqiptarët e sotëm që presin emigrantët shtegtarë nga Mali i zi.