Rezoluta e PE për Shqipërinë: Të votojnë 2 milionë shqiptarë që janë jashtë si emigrantë

Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian aprovoi me 52 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenim draft -rezolutën e raportuesit Knut Fleckenstein për Shqipërinë.

Në këtë draft-rezolutë njihet roli deçiziv i zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit në hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Vetë raportuesi Knut Fleckenstein është shprehur pas aprovimit të draftrezolutës, se hapja e negociatave mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve dhe sapo të zbatohet ligjit i Veting.

Në këtë kuadër është aprovuar amendamenti i veçantë i raportuesit në hije Ilhan Kyutchyuk, ku thuhet se e drejta e kushtetuese e 2 milion shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk po respektohet në këto zgjedhje dhe u bën thirrje autoriteteve që të mundësojnë votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Votimi i emigrantëve është një prej kërkesave të opozitës për reformën zgjedhore, të cilën mazhoranca nuk e ka pranuar.

Dy amendamente të tjera të aprovuara gjatë votimit bëjnë thirrje për dialog konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës, si thelbësor për përparimin e vendit dhe reformave të integrimit.