Rexhepi: Serbia fajtore per largimin e qytetareve nga Kosova

Fahrush Rexhepi, Dekan në Fakultetin e Studimeve Islame, fajeson Serbine për largimin e qytetarëve të Kosovës.
Ai shprehet se Beogradi dëshiron shkatërrimin e Kosovës përmes ndihmës që po u jep qytetarëve të Kosovës për të kaluar në Hungari.

“Lehtësimet që po i bën Serbia shqiptarëve për të ikur nga Kosova flasin për një shqetësim të identiteti dhe qenies shqiptare në Kosovë”, ka thënë Rexhepi për RTK-në.

“Rruga më e shkurtër për shkatërrimin e një kombi është migrimi. Prapa këtyre migrimeve mund të qëndrojnë dhe mund të jenë skenar të ndryshëm të përgatitur nga qarqe serbe dhe nga qarqe të ndryshme që nuk ia donë të mirën Kosovës. Diku 50 mijë shqiptarë kanë migruar vetëm nga janari i këtij viti deri më tash. Kjo është shifër alarmante”, ka shtuar ai.

Rexhepi ka thënë se edhe krimi, korrupsioni dhe keqqeverisja kanë ndikuar te një pjesë e qytetarëve të Kosovës të ikin jashtë vendit.

“Krijimi i kushteve ekonomike, sociale dhe politike mund të ndikojë pozitivisht për të jetuar në Kosovë”, perfundon ai.