Rendi/ Pse po dështon Saimir Tahiri

Masakra e një nate më parë në Elbasan ishte kulmi në serinë e ngjarjeve të rënda kriminale që kanë tronditur vendin. Ajo ra si bombë mbi ministrin e Brendshëm, ndërkohë që po merrej me anëtarësimet e reja në PS, dhe po ashtu i kapi në befasi drejtuesit e policisë. Mbi 100 forca speciale u dërguan në Krastë të Elbasanit, por ndërkohë tre persona kishin humbur jetën, tre të tjerë po luftojnë për të mbijetuar dhe disa të plagosur gjenden në spital.
Qarkullimi i lirë i personave të armatosur, të maskuar madje me unifroma policie, që lëvizin lirisht nëpër rrugët e Shqipërisë është shenjë e qartë se krimi nuk e ka më në konsideratë forcën goditëse dhe parandaluese të policisë. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe krimi mund të godasë kudo dhe në çdo kohë. E kjo e bën gjendjen kaotike dhe policinë të pafuqishme për të parandaluar. Sot, ata që kanë marrë përsipër sigurinë e qytetarëve shqiptarë, kapen në befasi dhe nuk bëjnë dallim nga njerëzit e thjeshtë që përballen me krimin atëherë kur ai ndodh.
Dy muajt e fundit kanë kapur maja që tregojnë kurbën gjithnjë në rritje të krimit të organizuar. Nëse masakra e Elbasanit mund të jetë një histori larje hesapesh mes dy grupeve apo familjeve, ngjarjet e Durrësit dhe Fushë Krujës përbëjnë ekzekutime tipike mafioze. Ato dëshmojnë se grupet kriminale ndihen të sigurta të ekzekutojnë, marrin peng dhe të qarkullojnë lirisht nëpër rrugët kryesore të qyteteve. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me paaftësinë e policisë, por edhe me kompromentimin e saj.
E pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja kryesore e këtij hovi që kanë marrë organizatat mafioze në Shqipëri. Tek lidhjet e krimit me njerëz të pushtetshëm. Për këtë, ministri i Brendshëm është bënë shpeshherë nën akuzë nga opozita, por ato akuza i ka përcjellë me ironi për Shqupin apo në krahasimet me vitet e shkuara. Por ende nuk ka një përgjigje për grupet e trafikut të drogës që e kanë ndarë Shqipërinë në zona influence, falë edhe mbështetjes politike apo kompromentuese që kanë. Nuk ka asnjë përgjigje edhe se kush i organizon dhe komandon kokat e trafikut, të pengmarrjeve, grabitjeve dhe gjobave ndaj biznesit. Kush po kontrollon sot tregun e drogës që po prodhon vrasje gati çdo ditë.
Një tjetër arsye që ka sjellë këtë përkeqësim të rendit është edhe demotivimi i policisë për shkak të luftës për pushtet që zhvillohet brenda mazhorancës. Dihet tashmë se për kontrollin mbi ministrinë e Brendshme ka patur një konflikt të vazhdueshëm mes kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe se ndarja e influencave ka ndikuar negativisht tek profesionistët e rendit. Po kështu, vetë ministri Tahiri, për të forcuar pozitat e veta në qeveri dhe PS, po harxhon më shumë energji për të komentuar statutin e partisë e për t’i dalë në krah kryeministrit se sa në angazhimin e tij në ministri. Me pozita të lëkundura për shkak të presionit të Metës mbi Ramën dhe me ankthin se mund të lëvizë nga posti i ministrit në pranverë, Tahiri është përfshirë në debatet për zgjedhjet në PS, në anëtarësimet në parti apo në demaskimin e Shqupit, duke ndikuar kështu indirekt në demoivimin e drejtuesve të policisë.
Por edhe trajtimi i problemit të rendit publik si një fushatë populiste propagandistike, ka ndikuar ndjeshëm në punë reale të policisë. Konferenca, parada suksesesh apo shfaqje teatrale si ato të policëve me kamera që vënë gjoba, e kanë reduktuar policinë e shtetit në një aksesor propagande duke e larguar nga beteja e sak kryesore, ajo e luftës kundër krimit. Foto të depuetetëve të PS që gjobiten dhe janë të kënaqur, prezantime uniformash, krahasimet me kohën e Saliut apo plot kinezërira të këtij lloji, i kanë dhënë të kuptojnë policëve që vënë çdo ditë jetën në rrezik se qeveria ka të tjera prioritete.
Këto arsye, në mos i kupton, i ndjen çdo ditë edhe bota e krimit. Prandaj sot ndihet më i fortë, më i sigurtë dhe më komod për të vepruar. Për më tepër që nga shteti nuk ka asnjë sinjal se ka ndërmend ta ndryshojë situatën. Në këto kushte bilancet e zeza vetëm shtohen, ndërsa policët do të habiten ashtu si ne kur krimi të godasë përsëri.