Regjisori serb që zbulon tregimin e Batajnicës

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Ognjen Gllavoniq ishte vetëm 14 vjeç. Asokohe, pos lajmeve të mediave të Beogradit, ku thuhej se Serbia po lufton separatistët e terroristët shqiptarë, nuk ka pasur tjetër informacion për atë që ndodhte më 1999.

Nuk kishte një pasqyrë të qartë as gjatë kohës kur po mbaronte shkollën e mesme. E me të nisur studimet për regji filmi, Gllavoniq (32) i ishte futur një bote tjetër. Kishte nisur të hulumtonte tema që i dukeshin atraktive për t’i pasqyruar në atë që njihet si arti i shtatë.

“Kur e kam përfunduar fakultetin, para katër vjetësh, jam munduar ta bëja një film dokumentar të metrazhit të shkurtër. Nuk mund të siguroja fondet, sepse tema e filmit dikujt nuk i përshtatej politikisht”, thotë Gllavoniq.

Qysh në qershor të vitit të kaluar, në një takim në Beograd, ky regjisor i kishte treguar gazetës se po bënte një dokumentar që kishte të bënte me Kosovën e kosovarët, por s’kishte pranuar të jepte më shumë detaje. Ishte i prerë në arsyetim: kishte frikë se dikush nga shteti i tij do t’ia ndërpriste punën.

Tash, kur e ka realizuar dokumentarin, flet më hapur. Titulli i dokumentarit është “Depth Two” (Thellësia dy) dhe premiera e tij do të shfaqet hiç më pak se në Festivalin e Filmit në Berlin “Berlinale”. Ka të bëjë me bartjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës në varrezat masive në Batajnicë afër Beogradit…