Realiteti shqiptar, si shoqëria ruse e një shekulli më parë

Premiera e shfaqjes “Tri motrat” e Anton Çehovit çel sezonin artistik të Teatrit Kombëtar. Drejtori i TK-së, Hervin Çuli, do të jetë njëkohësisht edhe regjisor i kësaj shfaqjeje. Gjatë provave ai ndalet në detajet e realizimit të kësaj shfaqjeje, por edhe në riskun që ka ndërmarrë si regjisor. Ai shpjegon sesi i koncepton lidhjet e veprës, e cila premierën e parë e ka pasur në vitin 1901, me realitetin shqiptar. Duke e konsideruar Çehovin si pararendës të epokave, i cili me gjenialitetin e tij, arrinte që të tregonte kalbëzimin e shoqërisë cariste në atë periudhë, si një shoqëri që nuk kishte shpresë, por që njerëzit e kishin të detyrueshme që të ekzistonin. Në këtë këndvështrim vepra e Çehovit ka një shenjë barazie me realitetin shqiptar, ku njerëzit janë shumë të lodhur, aq sa gjithkund e kanë humbur besimin.

Zoti Çuli, pas dy vjetësh drejtues i TK-së riktheheni si regjisor me “Tri motrat” e Çehovit?

Fillimisht u aprovua teksti i Eduardo de Filippo-s, vepra “E shtunë, e diel dhe e hënë”. Ka qenë një tekst i bukur dhe vinte ëmbël. Por ishte një lloj kompromisi për të realizuar një shfaqje masive, për faktin se në skenë do të ngjiteshin 17 aktorë, pra pjesa më e madhe e TK-së do të ishin pjesë e ansamblit të shfaqjes, për t’i motivuar në punë, por edhe sepse asnjë s’mund të rrinte pa punuar. Ndërsa Çehovi është një ëndërr e të gjithë regjisorëve, sepse ndoshta është edhe më lart se Shekspiri, i cili ishte një dramaturg politikë, triler. Çehovi është një mjek, i cili u bë shkrimtar, por ai i ka bërë një autopsi kalbëzimit të jetës së Carit, si piktor dhe si reporter. Kjo vepër në thelb nuk është një dramë që e ka shkruar një dramaturg, por duket sikur e ka shkruar një poet. Veprat e Çehovit nuk kanë prerje vertikale. Nuk kanë boshtin që ne jemi mësuar përherë; aksion, përpunim, vazhdimësi dhe përplasje, deri në një pikë kulmore, që rrihet zgjidhja. Nuk ka një pikë kulmore, por është i njëtrajtshëm, si në jetën tonë, tek ai nuk ndodh asnjë, por ndërkohë ndodh gjithçka.

Një ëndërr e gjatë, që tashmë konceptohet ndryshe…

Çdo gjë është në përpunim të vazhdueshëm. Unë kam dëshiruar që ta vendos para 10 apo 15 vjetësh në skenë, por me kalimin e kohës edhe dialektika është tjetër gjë. Ndryshojmë ne, por ndryshojnë edhe rrethanat. Tashmë jam drejtor, atëherë nuk isha. Duket sikur gjithçka është e vlefshme për krijimin e një shfaqjeje, e cila nuk do ishte njësoj si ajo që kam menduar para dhjetë viteve. Gjithsesi unë e kategorizojë veten tek ata regjisorë, që nisen për të bërë një shfaqje, edhe kur e përfundojnë kanë bërë një tjetër. Është e çuditshme, sepse dhe pse ngelet boshti, je në përpunim të vazhdueshëm gjatë gjithë kohës, për të gjetur detaje dhe rrethana të reja.

Ku lidhet vepra e Çehovit me realitetin shqiptar?

Vepra “Tri motrat” premierën e ka pasur në vitin 1901. Çehovi është pararendës i epokave dhe padyshim që nuk kishte lidhje me realitetin komunist, por në mënyrë intuitive me gjenialitetin e tij tregonte kalbëzimin e shoqërisë ruse cariste të asaj kohe. Ajo ishte një shoqëri në tranzicion, një shoqëri që nuk kishte as shpresë dhe as ngjyrë. Në fund të tunelit nuk dukej asnjë dritë jeshile, përveçse faktit që ishte e detyrueshme që të ekzistoje, sepse ky është dhe misioni ynë në këtë botë. Unë besoj se këtu ka një shenjë barazie me realitetin shqiptar. Populli është i lodhur, njerëzit janë shumë të lodhur. Vëzhgoj se njerëzit nuk kanë besim askund, as te miku, as te mikesha, as tek e dashura dhe as te politika. Këtë lloj trishtimi të madh e mbartë shoqëria e sotme shqiptare. Unë besoj se populli shqiptar është i trishtuar, ashtu siç janë dhe tri motrat, ashtu siç janë veprat e Çehovit. Pra kemi të bëjmë me një shoqëri të trishtuar ruse të viteve 1900, e cila për mua ka një shenjë barazimi me realitetin shqiptar, ku ka drama dhe zhgënjime të mëdha, papunësi edhe ëndrra të parealizuara.

Keni zgjedhur një skenë intime për këtë shfaqje?

Skena e Teatrit Kombëtar do të ishte një vrasëse e veprave të Çehovit. Ai është një autor shumë intim, edhe e ka të domosdoshme që aktori të jetë pranë spektatorit. Është menduar një platformë e rëndësishme për skenën, gjashtë me tetë, që publiku ta ketë afër këtë dialog pëshpëritës, herë pas here. Në vepër ka dashuri dhe tradhti të mëdha, prandaj duhet të ndjehet edhe frymëmarrja.

Edhe drejtues i TK-së, edhe regjisor në TK. Një “detyrë” që do të diskutohet…

Kjo është edhe e modës, dikush me të drejtë, dikush pa të drejtë. Shumë njerëz janë shprehur se unë nuk duhet që të vendos shfaqje sepse jam drejtor i TK-së, por ky është një absurditet.

Statuti e lejon?

E lejon statuti, por përveçse kësaj unë jam drejtor i Përgjithshëm, por jam edhe drejtor Artistik. E kam për detyrë për t’i dhënë shijen edhe fytyrën time institucionit. Unë nuk njoh asnjë drejtor Artistik në botë që mos të vendosë shfaqje, e kanë për detyrim që të vendosin, por nuk e kanë kuptuar shumë syresh këtë. Por, në fakt ky është kurth për veten time, sepse unë nuk marrë para nga kjo shfaqje, unë jetoj me rrogën time si drejtor, shfaqja është një punë plus. Është një shfaqje e vështirë. Për herë të parë do të jetë me pushim ndërmjet, sepse është e gjatë. Është një vepër integrale dhe risku për mua është i jashtëzakonshëm. Me ngrohjen e teatrit, që ne po përpiqemi me të gjitha forcat që ta realizojmë kam jo vetëm ankthin e shfaqjes, por edhe një përgjegjësi shumë më të madhe, sepse do të më gjykojnë jo vetëm si regjisor, por edhe si drejtor të TK-së.

Konkretisht ngrohjen e ambienteve të TK-së, si do ta zgjidhni?

Për ngrohjen për këtë vit ne po tentojmë me të gjitha forcat që të vëmë në funksion një kaldajë të re, të falur, të huazuar, sepse vjet me kaldajën e vjetër me aq sa kishim kushtet e kemi ngrohur sallën. Sivjet me ndërtimin e Pedonales përpara TK-së, kaldaja e vjetër, që nuk hynte në pjesën e gjeometrisë së firmës që ndërtoi Pedonalen, nuk funksionin më. Duhet të kuptuar se unë kam bërë një përpjekje të tmerrshme që për kaq kohë sa do të rrimë teatri të ketë ngrohje, por shpresojmë që ta arrijmë, sepse bëhet fjalë për një kaldajë të huazuar, me të cilën kemi bërë prova disa herë dhe jemi shumë optimist.

Pas janarit cilat shfaqje do të ngjiten në skenë?

Janari është i përcaktuar, më pas do të vijë “Zbutja e Kryeneçes” me regji të Elma Dorezit, pastaj Kastriot Çipi me “Mallkimi i fukarenjve”, Driada Dervishi me “Sonte do të luajmë pa tekst”, Spiro Duni me “Gratë në parlament” dhe në fund “Opera për 3 grosh” e Mehmet Xhelilit. Ndërsa përsa i përket buxhetit këto ditë presim zbardhjen e tij nga Ministria e Kulturës, por na është bërë një premtim i pranueshëm, diku rreth 25-30 për qind më tepër.

“Tri motrat” e Çehovit

E shkruar në vitin 1900, vepra na zhvendos në një provincë të Rusisë, në familjen Prozorov. Ajo përbëhet nga tri motra dhe një vëlla. Olga, motra e madhe, e cila jep mësim në gjimnaz; Masha, motra e dytë, e martuar me Kulliginin, një mësues të mërzitshëm, të cilin ajo nuk e do; Irina, motra e vogël dhe e bukur që punon telegrafiste dhe Andreji, vëllai i tyre me një kulturë poliedrike, punonjës në administratën lokale të qytetit, e shpreson në një të ardhme të ndritur. Motrat Prozorov janë vajza me botë shumë shpirtërore të pasur, ato ëndërrojnë dashurinë e vërtetë, por ëndrra e tyre më e madhe është Moska. E gjithë imagjinata e tyre vërtitet rreth një prej kryeqyteteve më të bukura të botës, qendër e artit, kulturës e shkencës. Të dëshiruara për më shumë liri dhe emancipim ato duan t’i ikin sa më parë ambientit mbytës dhe mediokër të provincës. Të ardhurit nga Moska kanë një tjetër rëndësi në sytë e tyre.

Ato idealizojnë gjithçka që vjen prej andej dhe është pikërisht kjo ëndërr që do të trandë harmoninë e kësaj familjeje, në të cilën hyjnë e dalin njerëz të rëndësishëm të provincës. Harmonia që ndeshim në aktin e parë fillon të lëkundet që me hyrjen në shtëpi të Natashës, pas së cilës do të dashurohet e më pas do të martohet Andreji. Ajo nuk gëzon simpatinë e tri motrave, e kjo do të prishë ekuilibrat e mëparshëm. Në aktin e tretë, të gjithë personazhet i gjejmë të transformuar. Ëndrra për Moskën është shumë e fortë, sidomos tek Irina, e cila përpiqet ta arrijë me çdo kusht. Andreji ka lënë pas gjithë ëndrrat e tij intelektuale dhe detyrohet të vërë në shitje shtëpinë për shkak të borxheve në kumar. Tashmë është Natasha që i ka marrë frerët e jetës së tij në dorë dhe do të ndikojë në marrëdhënien e tij me të motrat. Tashmë shtëpia e Prozorovëve është shkërmoqur. Miqtë e dikurshëm janë larguar, madje ndonjë mbeti i vdekur në duel, ndërsa Moska mbeti po aq e largët si dikur…

Në shfaqje do të përdoret për herë të parë në disa role kryesore, skema e dublantëve, pra pothuajse do të ketë dy stafe. Interpretojnë Flaura Kureta, Anila Bisha, Gradiola Harizaj, Eriona Kakeli, Elia Zaharia, Indrit Çobani, Lulëzim Zeqja, Neritan Liçaj etj.