Raporti i “TI” për korrupsionin, Çuçi: Jemi në rrugën e duhur

Ministri i Shtetit për Çështjet vendore Bledi Çuçi, ka përshëndetur Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015, të publikuar nga “Transparency International”, duke e cilësuar atë një arsye që Shqipëria të ndihet më mirë me veten.

“Sipas këtij vlerësimi prestigjioz, Shqipëria ka fituar pikët më të larta në gjithë historinë që kur “Transparency International” ka filluar matjen e këtij perceptimi dhe është ngjitur 22 vende më lart për vetëm një vit – nga vendi 110 në vitin 2014, në vendin e 88–të, në 2015 – në përmirësimin e perceptimit publik për korrupsionin”, thotë ministri.

Çuçi shprehet se kjo renditje dëshmon qartësisht se, “jemi në drejtimin e duhur për të mposhtur fuqinë e trashëguar të korrupsionit dhe për të fituar, së bashku me çdo shqiptar e shqiptare, luftën për të çliruar shoqërinë tonë nga ky makth që pengon zhvillimin dhe minon demokracinë.

Ky rezultat pozitiv në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit rikonfirmon vullnetin, vendosmërinë dhe seriozitetin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, vullnet i cili do të vazhdojë të përkthehet në  thellimin e reformave të ndërmarra e në reforma të reja në luftën për të bërë shtetin që zmbraps dhe tkurr korrupsionin”.

Ministri foli edhe për një tjetër indeks të publikuar sot, Indeksi i Demokracisë 2015, i publikuar nga “The Economist Intelligence Unit”.

Në këtë indeks, Shqipëria, ndonëse renditet ende ndër vendet me demokraci hibride përmendet si një nga vendet që kanë shënuar progres në vitin 2015, duke arritur dhe pikëzimin më të lartë që nga viti 2008.

Raporti thekson se “Shqipëria ka bërë disa përparime në vitin 2015 që lidhen kryesisht me luftën kundër korrupsionit, dhe luftën kundër krimit të organizuar. Dhe – citoj më tej raportin,  – progresi është duke u mbajtur prapa nga grindjet politike mes qeverisë dhe partisë kryesore opozitare”, thotë ministri.