Rama përsërit: Fund universiteteve piramida dhe diplomave false

Komentet kryeministri i bëri një ditë pasi ministria e Arsimit dhe Sportit publikoi raportin vlerësues të universiteteve

Kryeministri Edi Rama ritheksoi se qeveria është e vendosur “t’i japë fund” sikurse thotë atyre që i quan “universitete piramida”.
Në profilin e tij në rrjetin shoqëror “fejsbuk” zoti Rama shkruan se “historia e turpshme e lulëzimit të piramidave financiare në arsim dhe tregut të diplomave fallco do të marrë fund njëherë e mirë”.
Komentet kryeministri i bëri një ditë pasi ministria e Arsimit dhe Sportit publikoi raportin vlerësues të universiteteve.
“Ligji do të veprojë pa asnjë tolerancë dhe organet e ligjshmërisë duhet të veprojnë për çuarjen para drejtësisë të të gjithë mashtruesve publikë që në shkelje të plotë të ligjit kanë grabitur prindër e studentë për vite të tëra”-shkruan kryeministri.
Nga raporti vendoset që 17 universitete të mbyllen, kurse 13 të tjerë të pezullohen deri në plotësimin e kritereve, që të gjithë privatë apo filiale shtetërorë.
“Faqja e re qe u çel dje me raportin publik të ligjshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë do të shkruhet deri në fund me transparencë të plotë, përgjegjësi kombëtare dhe vendosmëri ligjore e profesionale”-vijon zoti Rama.
Ai thekson sakaq se “studentet e universiteteve që do të mbyllen do të kenë një mundësi të dytë nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Arsimit e Sportit”.
Në të njëjtin postim, kryeministri paraqet listën “e rezultateve të kontrollit të ligjshmërisë emër për emër” (foto kryeosre e shkrimit).
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka propozuar heqje licence për 18 Institucione të Arsimit të Lartë privat dhe pezullim licence për 13 të tjera, pas verifikimit të ligjshmërisë në 59 IAL publike dhe private,
Në të gjitha këto qendra universitare janë 176 171 studentë dhe 11 062 pedagogë.