Rama në Francë: Statusi hapi i parë, duhen 10 vjet për anëtarësim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndërsa ndodhet për një vizitë zyrtare në Francë për çështjen e statusit të vendit kandidat, ka dhënë edhe një intervistë për një televizion francez në emisionin “Le Grand Soir 3”.

Pyetja e parë e drejtuar nga gazetarët francezë kishte të bënte me zgjedhjet në ParlamentimEuropian, ku pati shumë zhgënjim kundrejt Europës dhe institucioneve Europiane, dhe në një moment të tillë Shqipëria kërkon t’i bashkohet klubit.

Rama ka thënëse shqiptarët dhe gjithë Ballkani nuk janë të zhgënjyer nga Europa.

“Ne bëjmë pjesë në europianët që nuk janë akoma të zhgënjyer nga Europa. Ne bëjmë pjesë në europianët që vazhdojnë ende të besojnë ëndrrën e Shumanit dhe të gjithë baballarëve themelues të Europës. Do t’ju them diçka; ka njëqind vjet që kur Lufta e Parë Botërore filloi dhe pas saj cikli i luftërave, por është hera e parë që kemi paqen mes vetes ne në Ballkan, jo sepse jemi ëngjëj të paqes, por sepse jemi të bindur se Europa është e ardhmja jonë. E them këtë për vendin tim dhe njëkohësisht për gjithë të tjerët. Nuk shoh dhe nuk besoj që ka ndonjë projekt tjetër që njerëzimi ka krijuar që mund të krahasohet me projektin e madh europian. Unë besoj që euroskepticizmi është ushqyer nga frikëra që nuk bazohen në realitetin e Europës dhe më vjen keq që euroskepticizmi vazhdon të rritet, sepse nuk shoh ndonjë projekt tjetër më të mundshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë, si Europa,” është përgjigjur Rama.

Ndërsa, lidhur me pyetjen nëse duhet të bëhet një pauzë, për hyrjet e reja në BE, Rama iu ka thënë francezëve se nuk duhet të shqetësohemi, sepse ne do të marrim statusin e vendit kandidat dhe se nuk do të jemi menjëherë anëtarë nesër.

“Statusi i kandidatit është hapi i parë, pastaj janë negociatat që marrin rreth dhjetë vjet, ndaj nuk duhet të shqetësohemi. Por nga ana tjetër dua të përfitoj të them që është diçka e çuditshme që Franca, një nga shtyllat themeluese të Europës ndodhet në këtë situatë, mjaft të veçantë, ku të flasësh për Europën nuk është edhe aq e rregullt politikisht dhe është vërtet diçka që të bën të ndihesh keq,” ka thënë më tej Rama.

Sa i përket takimit me presidentin francez,FrançoisHollande dhe mbështetjes së tij për statusin kryeministri shqiptar beson që po.

“ Presidenti francez ka patur një vizion të qartë kur vitin e kaluar ai i mblodhi liderët e vendeve europiane në Bordeaux dhe foli për një të ardhme europiane të vendeve Ballkanike. Dhe besoj gjithashtu se KancelarjaAngelaMerkel ka po ashtu një vizion të qartë për të ardhmen e Europës kur ajo u angazhua për të organizuar një Samit me liderët ballkanikë për të parë mundësitë sesi këto vende mund të lidheshin bashkë në një të ardhme të përbashkët,” u përgjigj më tej Rama.

Kryeministri shqiptar së bashku me ministrin e Jashtëm,Ditmir Bushati u nisën për në Francë këtë të martë, për të zhvilluar një sërë takimesh mbi çështjen e statusit të vendit kandidat për në Europë. Ndërkohë që edhe ministra të tjerë si KlajdaGjosha apo Saimir Tahiri kanë pasur vizita dhe takime në Angli dhe Itali.