Qeveria pragmarrëveshjes me “Google” për dixhitalizimin e sistemit arsimor shqiptar

Për kryeministrin Edi Rama, është koha për të vepruar në drejtim të integrimit të dijes nëpërmjet teknologjisë

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi firmosjen e një marrëveshje me gjigandin informatik “Google” për të kryer dixhitalizimin e sistemit arsimor ndërshqiptar.
Deklaratën kryeministri e bëri kur foli në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për njehsimin e sistemit arsimr.
“Në ditët në vijim do të përfundojmë një marrëveshje me “Google” dhe do të jetë “Google” që do të marrë përsipër shtrimin e të gjithë autostradës dixhitale të sistemit tonë arsimor”-tha ai.
Për zotin Rama, është koha për të vepruar në drejtim të integrimit të dijes nëpërmjet teknologjisë.
“Duke pasur një ndërtues kaq globalisht të famshëm dhe të sigurtë, – vijoi kryeministri Rama, – do të mund të ecim më shpejtë se e kemi parashikuar në rrugën e një rilindje të madhe kombëtare për arsimin dhe për Gjuhën shqipe në të dy anët e kufirit”.
Kryeministri tha se ky ishte “hap me shumë rëndësi” dhe siç e quajti “strategjik” për të tejkaluar pengesat e derimësotme që përfshin tekstet, kapacitetet ekonomiko-financiarë dhe infrastrukturën.
“Jemi zotuar për të kaluar në një shkallë tërësisht inovative dhe për të kapërcuar barrierat e varfërisë, gjeografisë, mungesës së infrastrukturës fizike të shkollave dhe për të garantuar çdo fëmijë pavarësisht se ku gjendet të ketë në tabletin e vet gjithçka që i duhet për të mësuar cilësisht”.
Sipas tij, e tëra kjo do të shtrihet në të gjithë hapësirën kombëtare shqiptare dhe po ashtu të bëhet pjesë e njehsimit historik.