Qeveria planifikon shitjen e Albpetrol për 95 milionë euro

Qeveria do të nxjerrë në shitje kompaninë shtetërore, Albpetrol. Ajo parashikon të përfitojë nga shitja e gjigantit të naftës në Shqipëri një vlerë prej 95 milionë eurosh. Të dhënat janë pjesë e planit të privatizimit të kompanive shtetërore 2015-2017, të hartuar nga Ministria e Ekonomisë . Sipas reviztës monitor, ky plan synon të sjellë 99.3 milionë euro të ardhura në buxhetin e këtij viti. Kryeministri Rama premtoi privatizimin e Albpetrol brenda vitit të shkuar. Arsyet e dështimit janë të paqarta. Megjithatë, vlera me të cilën qeveria synon ta shesë Albpetrolin është disa herë më e ulët se ofertat e bëra në vitin 2012 kur kompania u nxorr në shitje nga qeveria Berisha. Kompania “Silk Road” pas së cilës ishte biznesmeni Rezart Taçi ofroi 850 milionë euro. Por ajo u konsiderua speculative. Oferta më serioze u vlerësua ajo e Bankers Petroleum me 300 milionë euro. Në raport me këtë ofertë, vlera aktuale është 3 herë më e vogël.