Qato e AKKP: Ligji i pronave pengohet nga Presidenti Nishani deri te shqiptarët që punojnë në Strasburg

Ligji i kthimit dhe kompensimit të pronave shkaktoi një debat të ashpër mbrëmë në emisionin “Dritare me Rudinën”, në Vizion Plus.

Sonila Qato, drejtoresha e AKKP, akuzoi për pengimin e ligjit presidentin Bujar Nishani dhe zyrat e mëdha të konsulencës që mbledhin pronarët për t’i çuar në Strasburg.

Sipas saj, ky ligj parashikon një faturë financiare që kap shifrën e 800 miliardë lekëve.

Kompensimi i pronarëve do të jetë financiar dhe fizik, gjatë një periudhe 10-vjeçare.

“Fondi financiar që ka parashikuar qeveria kap vlerën e 50 miliardë lekëve dhe janë 73 mijë hektarë tokë që presin të kompensohen. Kompensimi do të bëhet për 26.123 vendime të përfunduara dhe ato që do të dalin nga procesi i 11 mijë dosjeve Për 2016 janë parashikuar 3 miliardë lekë dhe 23 mijë hektarë tokë bujqësore me të cilat do të nisë procesi”, u shpreh znj. Qato.

Ky ligj kundërshtohet edhe nga Partia Demokratike.

Gent Malko,  drejtor i Departamentit të Pronave në PD, theksoi se ligjin nuk do e çojn  në Gjykatën Kushtetuese, por sapo të vijnë në pushtet, do të bëjnë shfuqizimin e tij.

Kundër këtij ligji u shpreh edhe Myrshit Vorpsi i shoqatës “Pronësi dhe Drejtësi”.

Ai tha se ligjin do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese, në momentin që do të botohet në Fletoren Zyrtare.