Putin: Krimeja është origjina e historisë ruse!

Festimet solemne të Moskës shihen si një sfidë e hapur që ajo po i bën Ukrainës dhe Perëndimit

Ndërsa ka shënuar njëvjetorin e aneksimit të rajonit të Krimesë nga Rusia, Presidenti Vladimir Putin ka thënë se Krimeja nuk është thjesht një territor, por është burim i origjinës historike ruse dhe “shtetësia dhe natyra shpirtërore” e saj. Ky ka qenë mesazhi kryesor i transmetuar nga Putin për masën e njerëzve që ndodheshin dje para Kremlinit për të festuar ngjarjen që shënoi edhe një kthesë historike jo vetëm për Rusinë. Ai ka thënë se Rusia ka treguar “patriotizëm të mrekullueshëm në përkrahje të popullit të Krimesë dhe Sevastopolit”. “Ne do t’i tejkalojmë të gjitha problemet dhe vështirësitë që ata duan të na diktojnë nga jashtë”, ka shtuar ai. Putin gjithashtu ka thënë se Rusia do të punojë për të përmirësuar marrëdhëniet me Ukrainën, por ai ka këmbëngulur se është i sigurt se populli i Ukrainës një ditë do ta njohë lidershipin e vet aktual dhe do ta kuptojë se ata janë dhe arsyeja se pse Ukraina ka ardhur në gjendjen që ndodhet. Aktivitetet që Moska po organizon prej ditësh e që kulmuan me atë të djeshmin, shihen si një sfidë e hapur që ajo po i bën Ukrainës dhe Perëndimit edhe një vit pas aneksimit të Krimesë, një veprim që shkon kundër së drejtës ndërkombëtare. Nga ana tjetër, organizata më e madhe ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, “Amnesty International” ka thënë se autoritetet “de facto” të Krimesë kanë dështuar të hetojnë një seri të rrëmbimeve dhe torturimeve të kritikëve të tyre. Në vend të kësaj, “Amnesty” ka thënë se liderët politikë në atë rajon kanë shtypur disidentët, duke krijuar një klimë të frikës në rajonin e aneksuar të Ukrainës nga Rusia. Raporti i organizatës vjen pikërisht një vit pasi presidenti i Rusisë, Vladmir Putin, dhe aleatët e tij në Krime nënshkruan një marrëveshje e cila Rusinë, e ka bërë rajonin pjesë të saj. Ai ka thënë se që prej aneksimit, të paktën shtatë njerëz janë rrëmbyer dhe se fati i tyre mbetet i paqartë. Po sipas organizatës në fjalë, të paktën një person i rrëmbyer është gjetur i vrarë, me shenja të torturës në trup. Shumë nga analistët dhe politikanët perëndimorë kanë sjellë në vëmendje edhe Luftën e Ftohtë, duke paralajmëruar për pasoja të veprimeve ruse në vijimësi. Ndërkaq, Krimeja duket se ishte vetëm fillimi i një procesi që po përmbyllet me shumë vështirësi e që përqendrohet tek armëpushimi në rajonet lindore të Ukrainës, të kontrolluara nga rebelët prorusë. Në lidhje me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së paqes së arritur në Minsk të Bjellorusisë më shumë se një muaj më parë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se ligji i miratuar në Ukrainë për dhënien e statusit special të territorit që kontrollohet nga rebelët prorusë në Ukrainën Lindore është “shkelje verbuese” e marrëveshjes së paqes të nënshkruar në Minsk. Lavrov e ka akuzuar Kievin për miratimin e ligjit në fjalë nga Parlamenti ukrainas, duke thënë se kjo tani minon mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje finale të paqes në mes të Ukrainës dhe rebelëve prorusë. “Nuk e di se si do të shkojë procesi politik tani”, ka thënë Lavrov. Ai ka thënë se u ka dërguar mesazh edhe ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës duke tërhequr vërejtjen për shkeljen e hapave të parë të pjesës politike të marrëveshjes së arritur në kryeqytetin bjellorus.