Është e njohur historia 6-mujore e qeverisjes së Shqipërisë nga princi gjerman Vilhelm Vid në periudhën 7 mars – 4 shtator 1914. Me konsensusin e Fuqive të Mëdha edhe për shtetin më të ri të Ballkanit, Shqipërinë, u caktua një monark i huaj, ashtu sikurse më parë ishte vepruar me Greqinë, Rumaninë apo Bullgarinë. Por në rastin e fundit eksperimenti dështoi. Sot e kësaj dite jepen argumente për faktorët e brendshëm e të jashtëm që e penguan gjermanin pedant e korrekt të konsolidonte Shqipërinë dhe pushtetin e tij duke krijuar një dinasti të qëndrueshme. Pa dyshim të gjithë studiuesit dhe analistët konvergojnë në një pikë: shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, hodhi në erë konsensusin e të mëdhenjve, status-quonë në rajon e më gjerë dhe natyrisht, nuk i la më asnjë pikëmbështetje edhe pushtetit të Vidit. Por ky fisnik gjerman që e kanë kritikuar për mosnjohje të realitetit shqiptar, për inteligjencë mesatare, për mungesë vendosmërie, për paaftësi për të zgjidhur “nyjen gardiane” me veprime energjike etj., por që më e drejtë do të kishte qenë të fajësohej vetëm se nuk mundi të bënte mrekulli (siç është shprehur Fan Noli), u largua dinjitoz, shpenzoi për Shqipërinë e nuk fitoi materialisht nga Shqipëria, sakrifikoi moralisht dhe e la asnjanëse Shqipërinë ndaj konfliktit botëror, sikurse ishte vendosur në Konferencën e Londrës, kur shumëkush do ti servilosej përkrahësit më të fuqishëm (në rastin konkret Austro-Hungarisë) dhe do të riskonte të pozicionohej për të fituar kapital politik për të ardhmen duke e ngarkuar Shqipërinë me “kredi të dyshimta” në mos “kredi të këqija”.
Një vështrim i vëmendshëm i dokumentacionit të kohës, madje edhe i dokumentacionit të vetëm ndonjërës nga Fuqitë e Mëdha, me interesa të veçanta në rajon i konfirmon vlerësimet e mësipërme.
Më poshtë po publikojmë tre dokumente të diplomacisë austro-hungareze të periudhës 4 prill 5 qershor 1914 ku Shefi i Shtabit të ushtrisë austro-hungareze Conrad, ambasadori në Romë, Merey dhe konsulli në Durrës Lowental u relatojnë eprorëve vlerësimin dhe pikëpamjen e tyre për situatën në Shqipëri, për Princ Vidin, për Kryeministrin Turhan Pasha dhe anëtarët e kabinetit të tij, për shkaqet dhe nxitësit e rebelimeve në Shqipërinë e Jugut dhe Shqipërinë e Mesme për forcat e armatosura që kishte në dispozicion Vidi për të stabilizuar situatën, e të tjera, e të tjera.
Nga këto dokumente që janë hartuar nga përfaqësues të lartë të diplomacisë austro-hungareze të kohës , e pakënaqur ndërkohë nga mosbindja pa kushte e Vidit për të zbatuar direktivat e Vjenës, del qartë që edhe subjektiviteti vlerësimeve të këtyre diplomatëve por njëherësh edhe vështirësitë e jashtëzakonshme që kishte Shqipëria dhe Vidin në krye të saj për të siguruar qeverisjen dhe normalitetin.
Po i paraqesim dokumentet sipas kronologjisë, përkatësisht sipas datave kur janë hartuar raportet e sipërpërmendura.
***
Rekomandime të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë austro-hungareze, Conrad* për krijimin e një ushtrie shqiptare nën drejtimin e ushtarakëve të Perandorisë dhe për presionin që i duhej bërë Princ Vidit që të mos bëhej pengesë për politikën e Vjenës në Shqipëri
Nr. 1131 Ref.I Regjistruar: 16 maj 1914
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm
Lënda: Krijimi i një ushtrie shqiptare Vjenë, më 4 prill 1914
Unë i jam drejtuar shpeshherë Shkëlqesës Suaj, më në fund edhe me shkresën e Shtabit të Përgjithshëm nr. 680, datë 3 mars të këtij viti, duke vënë në dukje interesin që ka Perandoria Austro-Hungareze, për krijimin dhe organizimin në Shqipëri, pa humbur kohë, të një ushtrie ku influenca prevalonjëse të na takojë ne.
Ngjarjet e ditëve të fundit hodhën një dritë të fortë në gjendjen e vajtueshme të paaftësisë së princit të Shqipërisë për tu mbrojtur.
Nga nota e Shkëlqesisë Suaj nr. 1331, datë 30 mars 1914, unë nxora përfundimin se prej ministrit perandorak dhe mbretëror në Durrës [Loventalit] ishte marrë, siç duket pa kundërshtim, observacioni i Esad Pashës, se instruktorët holandezë, që ndodhen sot atje, mund të konsiderohen të mjaftueshëm.
Kjo deklaratë mund të cilësohet vetëm si refuzim për një organizim të shpejtë të një ushtrie, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësohet prej një xhandarmërie. Veçanërisht e thënë karshi ministrit austro-hungarez, kjo është baraz me refuzimin e një misioni eventual ushtarak.
Para kësaj çështje i lutem përsëri urgjentisht Shkëlqesisë Suaj që, pa humbur kohë, të veprohet me të gjithë vendosmërinë e duhur për të zgjidhur çështjen e krijimit sa më parë të një ushtrie shqiptare, e cila është me rëndësi të madhe për ne, me pjesëmarrjen e një misioni ushtarak austro-hungarez, në formën e propozuar shpeshherë.
Nuk do të jetë shumë vështirë për tia bërë të qartë princit të Shqipërisë, se pa iniciativën e monarkisë ai nuk do të mund të realizojë kurrë krijimin e principatës dhe pavarësinë politike të vendit të tij.
Këtij princi mund ti thuhet açik se do ta linim atë që të binte krejtësisht (të humbiste pushtetin red.) dhe politikës do ti jepnim një drejtim tjetër, në qoftë se ai do të tregohet i pabindur.
Conrad
Arkivi i Institutit të Historisë (më tej AIH), Fondi: Haus und Hof Staats Archiv, Wiwen, Politisches Archiv, Albanien (më tej: HHSTA.PAA), Vj. 24.22.2226
***
Raport i ambasadorit të Austro-Hungarisë në Romë von Merey-t*, dërguar më 4 qershor 1914, ministrit të Punëve të jashtme, kontit Berchtold në Vjenë, lidhur me situatën në Shqipëri, shkaqet dhe nxitësit e rebelimeve në Shqipërinë e Jugut dhe në Shqipërinë e Mesme, tiparet dhe veprimet e Princ Vidit dhe të qeverisë së tij, shfaqjet e rivalitetit midis Fuqive të Mëdha, interesat dhe ndërhyrjet e Perandorisë Osmane dhe shteteve të Ballkanit në Shqipëri etj.
Ambasada Perandorake dhe Mbretërore [e Austro-Hungarisë] në Oborrin Mbretëror të Italisë
No. 27/P, A D Situata në Shqipëri Ref. I.A.V.
Romë, më 4 qershor 1914
Shkëlqesisë së Tij, zotit Ministrit të Shtëpisë perandorake dhe mbretërore dhe të Punëve të Jashtme, Kontit Berchtold !
Në çastin e tanishëm të ngarkuar me shumë punë, do të ishte për kohën e Shkëlqesisë Suaj, si dhe për timen, një angazhim i madh sikur tu bëja një shqyrtim të imtë ngjarjeve shqiptare të javëve të fundit. Raportimi im i hollësishëm telegrafik, më shkarkon mjaft prej kësaj detyre.
Por unë besoj se më duhet të kufizohem vetëm në riprodhimin e përshtypjeve të përgjithshme, të cilat rezultojnë prej ngjarjeve në fjalë dhe që, veçanërisht, janë të rëndësishme për raportet tona me Italinë.
Pyetja e parë, e cila kërkon përgjigje është ajo që ka të bëjë me origjinën e lëvizjes aktuale në Shqipëri.
Në bazë të gjithë informatave ekzistuese, besoj se nuk gabohem të supozoj se në prapaskenë, në radhë të parë, duhet të kërkohen intrigat turke. Vlerësoj se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë dëshirë të Turqisë për të fituar përsëri Shqipërinë. Një iluzion i tillë nuk besoj të ekzistojë te ajo. Por e gjithë politika turke më duket se aktualisht ndodhet para një problemi. Ajo dominohet prej çështjes së ishujve dhe kështu, prej kësaj, prej kontradiktave me Greqinë.
Duke e parë nga ky prizëm, Shqipëria fiton një rëndësi për Turqinë dhe ka probabilitet që ti duket e dëshirueshme, edhe në qoftë se jo për ta poseduar këtë vend, të krijojë mundësinë për të fituar influencë, me anë të një regjimi mysliman atje.. Kështu në rast se do ta lypte nevoja, edhe prej kësaj ane, do të mund ta shqetësonte dhe ta kërcënonte Greqinë. Pas dështimit të puçit të Beqir Agajt (major Beqir Grebenesë red.) në Vlorë, duhej parashikuar se pala turke nuk do të hiqte dorë prej aksioneve identike, eventualisht të një stili edhe më të madh. Por deri në çmasë operohet tani prej Stambollit me agjitatorët dhe oficerët e saj në Shqipëri, ose lejohet të veprohet për princin Burhanedin ose, më në fund, bashkëveprohet me agjentë serbë dhe madje me tradhtarë shqiptarë të tipit të Esad Pashajt (Esat Pashë Toptani red.), këto gjëra mund të konstatohen me siguri vetëm e vetëm në vend (në Shqipëri red.).
Në kryengritjen e tanishme (Rebelimi i Shqipërisë së Mesme red.) në një lidhje ndofta të jashtme me këto manovra të turqve, merr pjesë me siguri edhe Serbia, por në esencë duke ndjekur qëllime të tjera, domethënë atë të krijimit të kushteve katastrofike në Shqipëri. Përforcimet e trupave serbe në kufirin shqiptar, të konstatuara me çudi në këto kohët e fundit nga ne dhe Italia, e paraqesin të afërt fillimin e ndonjë aksioni.
Të dhëna shumë interesante dhe karakteristike mbi përgatitjet relative serbe, përmban relacioni i Konsullatës së Manastirit, i datës 11 të muajit kaluar, nr. 27/P. Le për të dyshuar edhe fakti që Serbia nuk ka paraqitur ndonjë ankesë pranë Fuqive të Mëdha, mbi dëmet dhe rreziqet e kësaj situate, sadoqë territori i kryengritjes arrin deri në kufirin e saj.
Se deri në çpikë ka gisht edhe Greqia në këtë lojë, unë nuk e kam të qartë, sadoqë pretendohet shumë në këtë drejtim.
Duke përjashtuar këto ndikime të jashtme, ka probabilitet që lëvizja të posedojë një karakter autonom dhe të paraqitet si një nga manifestimet tradicionalë të kushteve anarkike të atjeshme, si një protestë kundër taksave, shërbimit ushtarak dhe “dhuratave” identike të kulturës evropiane, të cilat janë të urryera në mënyrë të posaçme prej shqiptarëve.
Çfarë roli kanë luajtur faktorët e ndryshëm zyrtarë, shqiptarë dhe të huaj në përgatitjen dhe shpërthimin e kryengritjes?
Sipas përshtypjes që kam krijuar unë dhe kjo për mua nuk erdhi e papritur, princi (Vilhelm Vidi red.) këtu, për ta thënë sa më butë, nuk u tregua në lartësinë e situatës. Që ai nuk i zbuloi më parë dallaveret që kishin depërtuar deri në rrethin e tij më të afërt, që ai e la Esad Pashën të vepronte lirisht deri në çastin e fundit, që nuk e kuptoi komplicitetin e italianëve, por madje i ka preferuar ata në të gjitha punët, që ai nuk copëtoi qysh më parë nyjen gordiane dhe nuk tentoi, me anën e ndonjë veprimi energjik dhe të guximshëm, ti afrohej më pranë popullit të tij, (si p.sh. me rastin e Kryengritjes Epirote) dhe në këtë mënyrë të siguronte një përkrahje të konsiderueshme në vend, të gjitha këto janë gabime të hidhura. Gjithsesi ato mund ti kishte bërë dhe një burrë më i mençur dhe më energjik se ai. Por pasi atij, më në fund, i ra perdja nga sytë dhe filloi të lëvizë, duke marrë masa gjysmake, të cilat pjesërisht i prapsoi vetë më vonë, (si rasti kur Esad Pashën e internoi por nuk çeli gjyqin kundër tij dhe lejoi që ti iknin nga dora provat e tradhtisë së tij), duke mos treguar guxim dhe duke u arratisur për disa orë madje mbi një luftanije, duke disponuar ardhjen e malësorëve katolikë [për mbrojtjen e Durrësit] dhe pastaj duke urdhëruar që ata të largoheshin dhe më vonë duke kërkuar që të vinin përsëri, duke lejuar të bëhej kundër kryengritësve një sulm i dobët, i pamjaftueshëm dhe që dështoi; të gjitha këto, të cilat si seri fatkeqësish mund edhe të vazhdoheshin më tej, ishin gabime të rënda. Ato e kanë dëmtuar rëndë, madje ndoshta e kanë varrosur fare pozitën e tij në Shqipëri, dhe gjithashtu dhe në botën e jashtme.
Qeveria shqiptare, që për veprimtarinë e saj të derisotme është ndjerë përgjithësisht aq pak, e ka përjashtuar në realitet veten vullnetarisht deri tani nga zgjidhja e krizës. Punët e saj të vetme duket se kanë qenë dorëheqjet, rishpërndarja e portofolave dhe rimarrja e funksioneve. Mufit Beu [Libohova-red.] na del mjaft i komprometuar, Preng Bib Doda, figuron gjithnjë si ministër vetëm në letër, më të shumtit e anëtarëve të tjerë të kabinetit janë zero dhe kryeministri është bërë një figurë komike me mosdijen e tij absolute. Për më tepër ndërmori edhe një udhëtim krejtësisht të kotë nëpër Europë duke prezantuar si këtu [në Itali], ashtu edhe tek neve [në Austro-Hungari], në mënyrë optimiste gjendjen në Shqipëri, princin, Esat Pashën etj.
Së fundi, siç e dini dhe Shkëlqesia e Juaj, kjo gjë korrespondon me gjykimin tim të atëhershëm, të shfaqur për Turhan Pashën. Për pazotësinë e tij dhe për mungesën e energjisë së tij, unë kam qenë në dijeni.
Esad Pasha është një kapitull më vete. Duke e njohur princin si një “quantite négligeable”, duke konspiruar me turqit, serbët dhe ndoshta edhe me grekët, ose me probabilitet edhe duke qenë i blerë prej tyre, duke koketuar me italianët, të cilët duan të bazohen te ai dhe te elementi mysliman, pashai ushqeu dhe përkrahu kryengritjen. Qëllimi i tij, sigurisht, ishte njëherë për të eliminuar princin dhe për të sjellë në fuqi një regjim mysliman, por, ndoshta, ka shpresuar që më tej, me anë të kësaj rruge, herët ose vonë, të dalë vetë në krye të vendit. Megjithë rënien e tij të tanishme, edhe për shkak të dobësisë së princit, roli i tij në Shqipëri akoma nuk ka marrë fund.
Dhe tani po vij tek organet italiane.
Për mua nuk ekziston asnjë dyshim se, qysh me formimin e Shqipërisë, qeveria e këtushme [italiane] ndjek idenë që të mbështetet mbi elementin mysliman. Dhe kjo për arsye se numerikisht ai element përbën tre të katërtat e popullsisë së përgjithshme, përfaqëson traditën e vendit dhe, më shumë ose më pak, paraqitet më i afrueshëm ndaj Italisë antikishtare*. Por gjithashtu edhe për arsyen se, për shkak të protektoratit të kultit, katolikët shikohen si partizanët tanë dhe, duke joshur myslimanët, Italia dëshiron që të verë një kundërpeshë përkarshi përkrahësve tanë. Ka probabilitet se po këtë qëllim ndjek edhe tentativa e saj për tu miqësuar me Esad Pashën, influencën e të cilit e çmon shumë lart.
Gjithsesi, duke u fokusuar te qeveria italiane, sipas gjykimit tij, realizimi i kësaj ideje politike është menduar si një evolucion i ngadalshëm, suksesiv dhe aspak të realizueshëm me anë të forcës. Në këtë mënyrë mund të evitohet shumë më shpejt edhe konflikti me ne, se sa, bie fjala, sikur Italia të kishte hyrë në rajonin tonë dhe atje të kishte tentuar që të formonte partinë e saj midis katolikëve.
Organet italiane, që funksionojnë në vend, duket tani, se prej ambicies, zellit dhe dyshimit kanë tentuar që këtë tendencë të qeverisë së tyre, të cilën e kanë të njohur, ta realizojnë në një mënyrë aspak të pastërt dhe duke qëlluar përtej objektivit. Para të gjithëve [kështu ka vepruar] përfaqësuesi italian Baron Aliotti. Qëkurse doli kandidatura e tij për këtë post, para më shumë se një viti, unë ia kam bërë të ditur si Shkëlqesisë Suaj, gjithashtu edhe Markeze di San Xhuljanos, mendimin tim negativ për këtë diplomat të njohur mirë prej meje. Prandaj asgjë nga veprimet e tij nuk më çudit. Me inteligjencën e tij dominonjëse ka probabilitet që ai të ketë bërë vegla të aksionit të tij edhe organet e tjera italiane në Shqipëri, madje edhe vetë kapitenin Kastoldi, të konsideruar përgjithësisht si të ndershëm, dhe të ketë krijuar një aparat, që është duke funksionuar sipas direktivave të tij.
Unë dëshiroj që të shënoj këtu se, qysh prej javësh, jam duke u munduar që të bind gradualisht Markeze di San Xhuljanon, (i cili Baron Aliotin nuk e konsideron aspak si një kristal, – por ka një ide të lartë për zotësinë dhe veprat e tij), se ky përfaqësues [i Italisë] nuk ka dëmtuar vetëm Shqipërinë dhe princin [V.Vid] dhe ka rënë në një pozitë të keqe ndaj nesh, por, ai ka operuar keq duke e parë edhe nga pikëpamja e interesave të vendit të vet. .
Ministri po tregohet dalëngadalë i afrueshëm ndaj pikëpamjes time, por ai e shikon veten të ndodhur para vështirësive të pashmangshme dhe, hëpërhë, të pakapërcyeshme, sepse Baron Alioti, duke shfrytëzuar me mjeshtëri lidhjet e tij me shtypin, ka bërë aktualisht për vete të gjithë opinionin publik të Italisë. Prandaj, brenda një kohe të afërme, nuk duhet të mendohet për tërheqjen e tij. Kur të ketë mbaruar kriza shqiptare dhe në qoftë se vera kalon e qetë, ndoshta eventualisht në vjeshtë, mund të mendohet për largimin e Baron Aliotit. Këtë situatë nuk do ta ndryshonte aspak edhe eventualiteti i pretenduar prej disa gazetave, se ne kemi ndërmend që të bëjmë një ndryshim në personin e të Dërguarit tonë në Durrës [Loventalit].
Deri në çpikë është marrë vesh Italia me Esad Pashën, sa e ngushtë është lidhja e Baron Aliotit dhe e satelitëve të tij me kryengritësit, deri në cilën gradë punohet nga ana e Italisë kundër princit, i cili këtu [në Romë] konsiderohet si i humbur, të gjitha këto janë pyetje që mua, për tiu përgjigjur atyre, më mungojnë këtu të dhëna konkrete.
Mbi veprimtarinë dhe qëndrimin e organeve tona (austro-hungareze red.) në Shqipëri, unë besoj se nuk duhet të guxoj që të jap një gjykim. Markeze di San Xhuljano, i cili tregon kujdes që të mbajë në këtë drejtim një rezervim të kuptueshëm karshi meje dhe që veten e tij nuk e identifikon me sulmet e gazetave të këtushme kundër agjentëve zyrtarë dhe jo zyrtarë të atjeshëm, në deklaratat e tij, megjithatë, lejon, që të depërtojë dyshimi se të paktën personalitete të ndryshëm, që konsiderohen si partizanët tanë, e kanë vënë në skenë grushtin kundër Esad Pashës*.
E parë nga larg, mua më duket, se situata e tanishme në Shqipëri, nga pikëpamja e një rivaliteti me Italinë, është më tepër në favorin tonë. Loja italiane është zbuluar deri diku, dhe pranë Oborrit, Qeverisë, Komisionit të Kontrollit dhe te një pjesë e popullit shqiptar, italianët nuk kanë fituar përsa i përket simpatisë dhe prestigjit.
Mua më duket se ndonjëri nga politikanët e këtushëm ka për të dhënë llogari për këto veprime dhe një pjesë e zemërimit të tanishëm kundër nesh do ti atribuohej këtij konstatimi. Por unë po flas këtu vetëm për situatën e tanishme, sepse ajo mund të ndryshojë në çdo çast sipas zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve dhe madje mund të kthehet dhe në të kundërtën e saj.
Duke përjashtuar ndryshimet katastrofale, problemi aktual është sot për sot, se si duhet kapërcyer kriza e sotme:
Për parlamentin, qeverinë dhe shtypin këtu [në Itali] konsiderohet e mundshme dhe e dëshirueshme vetëm një zgjidhje: internacionalizmi dhe mundësisht sa më parë i të gjithë problemit shqiptar.
Efektivisht me rëndësi determinonjëse në këtë drejtim është, në radhë të parë, përshtypja se rivaliteti midis nesh dhe Italisë në rastin e tanishëm del në dukje më tepër se sa mendohej dhe se, prandaj, mundësia për një diferencim më serioz nuk është për tu përjashtuar dhe ky rrezik mund të mënjanohet vetëm duke afruar shtetet e tjerë të mëdhenj.
Sikurse dihet kjo ide ka predominuar këtu qysh në fillim dhe prej saj u hoq dorë pjesërisht vetëm për shkak të kundërshtimit tonë. Sipas mendimit tim ka për të qenë e vështirë që të evitohet një internacionalizim i moderuar, eventualisht në formën e dërgimit në Durrës të një detashmenti të vogël dhe duke zgjeruar kompetencat e Komisionit të Kontrollit. Për zgjidhjen e krizës këto ka probabilitet që të mjaftojnë.
Shpërthimi i një anarkie të plotë në Shqipëri, sidoqoftë nuk mund të shihet qetësisht. Princit dhe qeverisë i mungojnë mjetet e nevojshme për ta përballuar me forcë situatën. Një intervencion austro-italian, që këtu në Romë nuk e dëshirojnë, sikurse edhe në Vjenë, duhet të evitohet po të jetë e mundur. Mbetet pra shpresa tek operativiteti i prestigjit evropian, edhe në qoftë se nga jashtë ai manifestohet me përdorime të vogla të forcave. E ardhmja e mëtejshme e Shqipërisë, që mua më duket shumë e errët, me këtë masë, nuk është garantuar natyrisht akoma, por, megjithatë [siguron] një pushim të vogël sa për të marrë frymë.
Këtë relacion unë nuk mund ta mbyll pa bërë këtu konstatimin se ngjarjet e fundit në Shqipëri kanë hedhur dhe një hije jo thjeshtësisht të përkohshme edhe në relacionet tona me Italinë, tek e cila vendi i shqiptarëve formon tanimë “pars minoris resistentiae”. Fushata e gazetave, sikur rezulton prej artikujve bashkangjitur, të “Tribunës” dhe të “Giornale dItalia-s”, për kohën prej 19 deri në 28 të muajit të kaluar, nuk është regjistruar kurrë ndonjëherë, as edhe përafërsisht, në këto katër vjetët e qëndrimit tim këtu. Këtyre u shtohen dhe fjalimet parlamentare, për të cilat po raportoj veçanërisht dhe të cilat tregojnë një tronditje të ndjeshme të besimit [në Parlament] ndaj qeverisë.
Edhe në qoftë se disa prej këtyre [reagimeve të sipërpërmendura] hyjnë në llogarinë e spekulacioneve të dëshmuara të baron Aliotit, dhe të një ndërgjegjeje të keqe, prapëseprapë [vërehet se] edhe mosbesimi kundër nesh është bërë përsëri i math, pjesërisht tek markez di San Xhulianoja vetë, por, para së gjithash, edhe te të gjithë ata, të cilët, edhe pa këtë situatë, e kritikojnë politikën e tij sepse mbështetet shumë te ne. Në se do të arrihet për ta shpërndarë përsëri këtë mosbesim kjo gjë do të varet më shumë prej rrjedhës së ngjarjeve se sa prej nesh vetë.
Dura tempora currunt!
*
Ambasadori Perandorak dhe Mbretëror
Merey
AIH, Fondi: HHSTA,PAA, Vj. 24.28.2858
***
Telegram i ministrit austro-hungarez të akredituar në legatën në Durrës. Löventhal*, për Vjenën, me informacion për forcat e armatosura që dispononte qeveria e V.Vidit për të përballuar rebelimet në Shqipërinë e Jugut dhe në Shqipërinë e Mesme
Telegram shifër, nr. 549 prej fon Lovental
Durrës, më 5 qershor 1914
Në lidhje me telegramin tim të datës 3 të këtij muaji nr. 538
Nga deklaratat e princit [V.Vid] dhe të kryeministrit [Turhan Pashë Përmetit] unë kam nxjerrë [të dhëna] se për shtypjen eventuale të kryengritjes [së Shqipërisë së Mesme] mbështetja bëhet në forcat që vijojnë:
Në afërsisht 1100 vetë, që ndodhen aktualisht në Durrës, në 800 vetë të Prekës [Prek Bib Dodës] në Lesh, 2000 vetë të Ahmet Bej Matit, dhe në afërsisht 1000 toskë të Azis Pashës, në Lushnjë.
Sipas informatavet të mia mbi këta të fundit nuk duhet mbështetur, përsa iu përket atyre të Matit të shihet telegrami im nr. 527, i datës 2 të këtij muaji (Abdurrahman Krosi* u kthye pardje përsëri).
Trupat e ngritura kundër Epirit, sot për sot, nuk janë akoma të disponueshëm. Po të pritet, ekziston rreziku që kryengritësit [e Shqipërisë së Mesme] të shtërngojnë Elbasanin dhe vendet e tjera për tu bashkuar me ata…. (Disa fjalë të dokumentit janë të palexueshme)
AIH, Fondi HHSTA,PAA, Vj.24-25-2571
(Footnotes)
*Conrad von Hötzendorf (1852-1925), Baron (nga viti 1918) (Count Franz) Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të Austro-Hungarisë, 1906-1911; 1912-1917.
*Kajètan Mérey von Mère-Kapos, ambassador i Austro-Hungarisë në Romë, 14 mars 1910-23 maj 1915.
*Qeveria italiane kishte probleme me shtetin Papal dhe përpiqej për të ulur autoritetin e Papës në Itali.
*është fjala për arrestimin e tij me forcë më 18 maj 1914 nga xhandarmëria.
*Heinrich Ritter, L
öwenthal von Linau (1870-1915), ministër në legatën e Austro-Hungarisë në Shqipëri (Durrës), 25.II.1914
15.VIII.1915.
*A Krosi ishte takuar me Vidin për ti ofruar mbështetjen e A.Zogut.