Pse kam pranuar të pozoj edhe e zhveshur

Modelingu po kthehet në një pasion të shumë vajzave. Secila prej tyre i nënshtrohet një seti fotografik dhe dëshira primare është të bëhen modele e të depërtojnë në botën e modës apo televizionit. Por fati është në anën e atyre që i përkushtohen gjërave që duan dhe rrallë herë, te personat që presin të ndodhin mrekulli. Leila Kraja nuk është rasti i vajzave që është futur rastësisht në modeling. Më herët, kur ishte 18 vjeçe, ajo realizoi disa sete fotografike dhe u bë pjesë e konkurseve të bukurisë. Prova që bëri rezultoi e suksesshme dhe tashmë, prej katër vitesh bashkëpunon me fotografë të ndryshëm, për projekte të ndryshme. Megjithatë, ende nuk e konsideron modelingun profesion. E lindur në Amerikë dhe me mundësinë për të bërë karrierë si modele në këtë kontinent, ajo zgjodhi vendin e saj, Shqipërinë. Por çfarë mendon ajo për vajzat që e konsiderojnë veten modele, a ndihet e rrezikuar, si është marrëdhënia e saj me aparatin fotografik, çfarë do të guxonte të bënte ndryshe dhe të tjera rreth projekteve të afërta, Leila Kraja i zbulon në intervistën e mëposhtme.

Si të ka lindur dëshira për të qenë modele?

Nuk e kam konsideruar kurrë veten modele. Nuk i kam përmasat për modele. Jam e gjatë, por jo shumë. Me kalimin e kohës, një set, dy, m’u bë si drogë, e nevojshme. Më pëlqen shumë të merrem me modelin dhe e nisa thjesht si dëshira. Konkurrova te “Miss Shqipëria”. Fitova disa çmime, pastaj u bëra pjesë e faqeve të para të disa revistave. Kështu kam filluar, shumë rastësisht. Më pëlqen të bëj foto, por synimi im është që, në të ardhmen të bëj diçka ndryshe. Kam qenë 18 vjeçe kur fillova këtë rrugëtim. E kam nisur vonë, shumë vonë dhe këtë e kam kuptuar kur kam marrë pjesë në konkurse të ndryshme, kur shikoja konkurrentet e tjera që kishim më shumë eksperiencë. Por më mirë vonë se kurrë. Megjithatë, që nga fillimet e mia, u bënë plot 4 vite si modele.

E konsideron modelingun pasion apo profesion?

Më shumë si pasion, sepse nuk kam bërë sete që jam paguar shumë apo gjëra të tilla të ngjashme. Për momentin nuk është se kam një profesion, por kam mbaruar studimet për biznes ndërkombëtar, që nuk ka lidhje fare më këtë që bëj. Modelingun e konsideroj si punë të dytë (Qesh), por e theksoj, e bëj më shumë për pasion.

Ke menduar ta  kthesh në profesion modelingun?

Nuk i dihet. Tani që po rritem, shikoj mundësi të ndryshme dhe po mundohem që ta bëj gjithmonë, sepse është gjë shumë e bukur. Krijon njohje, shoqëri, gjen tipa që pëlqejnë gjëra të njëjta me ty.

Si është marrëdhënia jote me aparatin dhe fotografët?

Është shumë e mirë. Kur jam përpara aparatit jam shumë e lirshme, më e lirshme se sa kur nuk është ai. Është instinkt. Më vjen shumë natyrshëm të pozoj, nuk ndihem fare në siklet, përkundrazi. Kënaqem. Jam vetvetja, është ajo Leila që është e vërtetë. Pozoj njësoj si në rastet kur bëj gjërat që dua. E njëjta marrëdhënie ka qenë edhe në fillim në fillim. Mund të them pak e çuditshme, por kështu ka ndodhur vetëm ditët e para. Por u mësova menjëherë, pasi kontakti me aparatin nuk më dukej i pazakontë. Të njëjtën gjë them edhe për marrëdhënien me fotografët.

Deri tani, kë bëra gjëra ndryshe nga modelet e tjera?

Kam bërë shumë gjëra të ndryshme, le të themi edhe provokuese, por jo diçka të jashtëzakonshme. Kam marrë pjesë në konkurse të ndryshme jashtë Shqipërisë, po ashtu edhe sete fotografike me fotografë të talentuar dhe të njohur në Amerikë.

Do të guxoje të pozoje nudo?

Kam guxuar! Jam zhveshur për Armand Sallabandën. Siç e dimë të gjithë, ai është fotograf shumë provokues. Nuk e kam pasur problem. Tani varet edhe nga fotografi dhe stili i tij, sepse ka foto nudo vulgare, porno dhe artistike. Stili i Sallabandës më pëlqen, ndaj edhe kam pozuar për të. Kështu që ka ikur ajo pjesa e të guxuarit. (Qesh) Por theksoj që, nuk pozoj nudo për çdo njeri. Nëse bëhet fjalë për diçka artistike, e bëj me shumë dëshirë. Por nëse bëhet fjalë për famë, jo. Fotot artistike që kam bërë me këtë fotograf, janë bërë thjesht për dëshirë, nuk janë bërë as për kopertinë, as kundrejt ndonjë shume parash, nuk janë ekspozuar as në rrjetet sociale.

Mendon se ka rregulla për të qenë pjesë e kësaj fushe apo çdokush mund të bëhet modele?

Unë e thashë edhe në fillim, që nuk jam aq e gjatë sa për të qenë modele, as përmasat nuk i kam 90-60-90, e pranoj këtë. (Qesh) Ngaqë jam rritur në Amerikë dhe jam marrë me modelin edhe atje, kam kuptuar që ata janë munduar ta ndryshojnë këtë pjesën e rregullave, për t’u angazhuar si modele. Natyrisht, duhet të jenë disa norma, një gjatësi minimale. Por ka modele që nuk kanë gjymtyrë shumë të gjata, por janë shumë të mira. Në Shqipëri, përmend Amina Shenën. Ajo është modele shumë e mirë. Ndërsa jashtë, le të përmendim Xhixhi Hadid, as ajo nuk ka përmasat që supozohet të ketë një modele, por është shumë e suksesshme. Besoj që pjesa e rregullave në modelin, po ndryshon në këtë gjeneratë që jemi ne. Tek e fundit, kush jam unë që të caktoj rregullat. Pastaj që të kesh përmasa të tilla, duhet të punosh unë. Unë merrem me palestër, por gjithsesi s’kam arritur t’i kem perfekte si një modele. Dhe vlen të përmendet, që të pakta janë modelet që kanë përmasat që duhet të kenë, flas për këtu në Shqipëri. Unë kam bërë shumë sete fotografike, por nuk mund ta quaj veten modele, edhe pse kam një eksperiencë 4-vjeçare.

E ndjen veten të rrezikuar nga vajzat që pasi bëjnë disa fotografi e konsiderojnë veten modele?

Modelingu nuk është profesioni im primar, por edhe po të ishte, nuk e ndjej veten të rrezikuar. Ata që më njohin, më njohin. Do më marrin për sete. Por mua më vjen keq për ato që janë më të mira se unë, që duhet të kenë konkurrente modele jo profesionistë. Nëse do ishe profesioniste, nuk do e shikoja si rrezik, por do më kishte ardhur keq, do ndihesha e fyer. Është bërë termi “modele” si diçka që nuk e thua me krenari, e kjo për faktin që është përhapur shumë kjo gjë. Por të jesh modele e mirëfilltë është tepër e vështirë.

Çfarë mendon se të bën ty më të veçantë se modelet e tjera?

Besoj që, jo për të lavdëruar veten, por shumë modele kanë ndërhyrje kirurgjikale. Unë jam kundra. Ajo që je ti, të bën të veçantë. Edhe nëse nuk je shumë e bukur, je ti. Ndaj, nëse nuk je e bërë (me operacione plastike), je e veçantë dhe unë i respektoj shumë. Sa i përket qëndrimit, më bën të veçantë, pasi pozoj ndryshe, jam e qetë, më e qeshur. Kam disa stile të ndryshme kur pozoj. Kam pozat e mia te Sallabanda, Sonny K Elson dhe te shumë fotografë të tjerë dhe asnjëra s’është e njëjta. Edhe që nuk kam përmasat apo gjatësinë, e veçantë është edhe kjo.

Përmende më herët që ke jetuar në Amerikë dhe je marrë me modeling edhe atje. Përse u ktheve?

E di që duket e çuditshme, por më pëlqen Shqipëria. Më pëlqen jetesa. Amerika ka një ritëm tjetër të të jetuarit. Pastaj unë atje kam çdo gjë që më pret. Fundja, përse të mos provoj diçka që dua në vendin tim. Jetë eksperiencash dhe në këtë moshë mund të provosh dhe më pas të zgjedhës çfarë do.

Cilat janë eksperiencat e tua me modelingun në Amerikë?

Kam pasur eksperienca të ndryshme, sete me fotografë të ndryshëm, jo me ndonjë emër të madh, por në zonën ku kam jetuar kanë qenë më të mirët. Po ashtu, eksperienca në “Miss Arizona” ka qenë shumë serioze dhe njëkohësisht shumë e bukur. Kishte rregulla shumë të forta, duhet të kujdeseshim për fizikun, ushqimin. Ishte edhe e vështirë, por nëse fitoje, të hapeshin shumë dyer. E vlerësoj si konkurs shumë të rëndësishëm, ku shumë vajza do donin të ishin. Tek e fundit mbetet një eksperiencë dhe eksperienca të tilla ja vlen t’i provosh.

Çfarë planesh ke në vazhdim?

Gjatë këtij viti, do doja të provoj ndonjë eksperiencë tjetër. E kam provuar modelingun dhe natyrisht do të vazhdoj. Synoj televizionin. Do e kisha me shumë dëshirë.

 Preferencat

A të pëlqejnë meshkujt model?

Nëse një mashkull është për model, është për model. Më pëlqejnë dhe nuk i gjykoj. Por mendoj që ata e kanë më të vështirë se sa femrat. Paragjykohen shumë. Nëse një mashkull mund të ketë dëshirë që të bëhet model, tërhiqet, sepse e “tallin” vetë meshkujt. E kanë më të vështirë, ndërsa për femrat është më e lehtë për të krijuar njohje sepse fuqia këtu në Shqipëri janë meshkujt.

Partnerin do e zgjidhje nga fusha jote?

Se di. Unë se shoh partnerin në bazë të profesionit, por ai që është. Nëse mua më pëlqen dhe është model, pse jo. Por mund të jetë inxhinier, futbollist, nga cili do profesion. Rëndësi ka personaliteti, jo profesioni.

Momentalisht single (beqare)?

Po po. Super single. (Qesh)