Pse grekët po i zhvarrosin prindërit e tyre?

Katerina Kitsiou fshin lotët, teksa qëndron përpara varrit të babait të saj në varrezën kryesore të Selanikut.

Ajo ka ardhur të shohë se si zhvarroset i ati, Christodoulos.

Ai është varrosur shtatë vjet më parë, por fëmijët e tij nuk mund të paguajnë më për varrin.

“Kemi paguar ekstra për katër vite që ta mbanin aty, por nuk e përballojmë më,” thotë Katerina.

Është e qartë se ky është një rast dëshpërues për të.

varr1“Është njeriu që do. E imagjinon si një person dhe më pas i sheh vetëm eshtrat. Është si një funeral i dytë”.

Kjo është diçka që shumë grekë e dinë se do përballen me të në një pikë të jetës së tyre.

Gjatë 50 viteve të fundit, popullsia urbane në Greqi ka shpërthyer.

Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit është përqendruar në dy qytetet më të mëdha, Athinë dhe Selanik.

Zhvillimi urban ka rrethuar varrezat, që nuk kanë ku të shtrihen më.

Kjo është arsyeja pse varret jepen me një qira trevjeçare, me çmime që rriten për çdo vit shtesë.

Shpenzimet shtesë shihen si një pengesë, në mënyrë që hapësira të ripërdoret.

Petros Bakirtzis, një nga varrmihësit e varrezës, thotë se bën çdo javë mesatarisht nga 15 zhvarrime.

Nis me një gërmues mekanik dhe më pas Bakirtzis hidhet në gropë dhe mbaron punën me lopatë.

Shpesh të afërmit nuk vijnë për të parë.

Ai flet, ndërkohë që po zhvarros një tjetër trup.

“Jeni me fat që ky trup është dekompozuar plotësisht. Kisha frika se do shihnit diçka të tmerrshme,” thotë ai, ndërsa mbledh eshtrat.

Të paktën një e katërta e trupave të zhvarrosur pas tre vitesh nuk janë dekompozuar plotësisht- një problem që shtohet kur personi i vdekur është trajtuar me kimioterapi apo ilaçe të tjera, që e ruajnë trupin.

Shumica e vendeve europiane e kanë zgjidhur problemin e varrezave me anë të opsionit të krematorit- më shumë se 75 përqind e njerëzve në Britani dhe Danimarkë zgjedhin kremimin në vend të varrimit.

Në vitin 2006 u miratua një ligj për ndërtimin e një krematori në Greqi, por Kisha Ortodokse e fuqishme është kundër dhe dhjetë vjet më vonë, vendi nuk e ka një të tillë.

Kisha mëson se trupi duhet të varroset në mënyrë që të jetë gati për ringjalljen.

Është e mundur që grekët të kremojnë trupat e të afërmve duke i transportuar në krematoriumin më të afërt, në Bullgari.

Kryebashkiaku i Selanikut, Yannis Boutaris, një prej prodhuesve më të mëdhenj të verës në vend, e ka bërë këtë gjë me gruan dhe mamanë e tij.

“Mamaja më tha mos i lër krimbat të më hanë,” thotë ai duke qeshur.

Boutaris kërkon të hapë të parin krematoriumi vitin tjetër, por duhet të gjejë fondet dhe shanset për sukses nuk duken të mira.

*Marrë me shkurtime nga BBC