Pse Berisha doli kundër PD-së zyrtare?

Nuk ka zgjatur shumë habia për qëndrimin “korrekt” të Partisë Demokratike lidhur me rastin Ksera.

Ish kryetari Berisha ka nxituar ti mbivendosë linjës së përkrahjes dhe bashkëpunimit me prokurorinë, atë të mosbesimit, paralajmërimit dhe kërcënimit që janë karakteristika të PD-së së vjetër (lexo poshtë lajme/Lapsi.al).

Fillimisht nga selia qëndrore, numri dy i demokratëve Arben Ristani, bëri një deklaratë që thyente traditën. Ajo nuk përfillte as sjelljen e djeshme të mosbashkëpunimit me prokurorinë e gjykatat, si në rastin e dosjes Hajdari, as atë të kohëve të fundit (rastet Imami dhe Mziu).

Në këtë kuptim, deklarata që me siguri ka marrë edhe miratimin e Lulëzim Bashës, ishte një risi.

Ajo jo vetëm që ndryshonte një vijë sjelljeje, por i përshtatej edhe situatës së re, kur po flitet shumë për pandëshkueshmërinë dhe mosaktivizimin e drejtësisë kundrejt politikanëve të lartë.

Por çudia nuk zgjati as 24 orë.

Ish kryetari Berisha nxitoi të shkruante krejt të kundërtën e asaj që u tha nga brenda selisë. Në një postim në Facebook, ai ka marrë të gjitha argumentat e avokatit të ish ministrit të tij, duke hedhur dyshime jo vetëm mbi prangosjen, por duke paralajmëruar edhe kryeprokurorin Llalla që mos bëjë arrestime politike.

Po si shpjegohet kjo kundërvënie kaq e hapur e ish kryetarit me linjën zyrtare të PD-së?

Për të kuptuar këtë dilemë duhet parë fillimisht jo vetëm hendeku që ekziston mes Berishës dhe përfaqësueseve zyrtarë të partisë, por edhe ai që e ndan atë nga reagimi popullor për këtë çështje.

Nëse i hidhje një sy komenteve në rrjetet sociale pas ndalimit të Spiro Kserës, nuk qe e vështirë të vëreje sërisht mosbesim dhe ironi. Populli i Facebookut shqetësohej se prokuroria ishte përsëri në të njëjtën linjë, në goditjen e peshqve të vegjël, në targetimin e pesonazheve pa mbrojte politike (si në proceset e ish guvernatorit Fullani apo të ish kryebashkiakut Gjika), se institucioni i akuzës nuk hiqte dorë nga pozitat e ekuilibrizmit politik (si në rastin e atyre policëve ndërtimorë dhe deputetëve që i procedonte nga një për sejcilin krah).

Pyetjet që lexoheshin rëndom qenë: pse nga Ksera i minoritarëve do të fillojë drejtësia në këtë vend? Pse një abuzim prej 30 milionë lekësh, qenkesh mëkati më i madh i qeveritarëve shqiptarë? Pse kjo ishte kryeçështja që do të shpinte përpara të ardhmen europiane të vendit?

Pavarësisht se sa e kopsitur dhe e argumentuar është dosja e prokurorisë, këto pandehma gëlojnë këto ditë në publik.

Por Berisha ka dalë të reagojë edhe kundër kësaj mendësie.

Sepse, për të, më i rëndësishëm sesa sensibiliteti publik është ruajtja e radhëve, mosdorzimi i njerzve të tij dhe mosbashkëpunimi me asnjë pushtet, që përderisa nuk e ka totalisht nën kontroll, ai e sheh si armiqësor.

Komenti më i thjeshtë i këtij qëndrimi do të qe lëshimi i sinjalit politik se ai nuk do të lejojë vënien nën akuzë të askujt që ka qeverisur përkrah tij. Se ai kërkon të pengojë precedentin e hetimit duke kthyer kokën nga pushteti i vjetër. Se ai i trembet hapjes së një kutie pandore ku janë ngërthyer krime të tmershme si ato të Gërdecit apo 21 janarit. Se ai po bën provën gjenerale përpara miratimit të reformës në drejtësi.

Por, sado të logjikshme të jenë këto pandehma, ato mbeten sipërfaqësore dhe të paplota. Pasi në thelb Sali Berisha e di se ky vend nuk është modernizuar dhe reformuar aq shumë sa dikush të vinte dorën mbi të apo njerzit e tij të afërt. Ndaj ai zor se shqetësohet për këtë.

Mbi të gjitha atë e preokupon ndryshimi i fizionomisë së PD-së. Hapja e saj e mundshme. Shndërrimi në një parti bashkëkohëse që bashkëpunon me drejtësinë edhe kur nuk e ka nën kontroll dhe që i respekton vendimet e saj.

Nëse kjo ndodh ai është i sigurtë se kjo do të jetë një parti tjetër.

Ajo, jo vetëm nuk do të jetë në gjendje të mbrojë atë dhe njerzit e tij personalisht, por, mbi të gjitha nuk do të ketë nevojë për të politikisht.

Ndaj ai u ngrit menjëherë, dhe mori rolin e rojtarit të tempullit duke vënë vijën e kuqe: asnjë bashkëpunim me faktorë të tretë që janë jashtë nesh. Deklarata të tilla, si ato të Ristanit që e lejojnë drejtësinë të fusë hundët në rradhët e PD-së, janë herezi.

Dhe aq i rëndësishëm ishte me sa duket ky mesazh për të, sa nuk nguroi ta bënte edhe me çmimin e shfaqes publikisht të dy linjave në PD.

Prandaj ai i tregoi edhe njëherë PD-së drejtimin, duke dëshmuar se kush e mban atë më fytyrë nga e shkuara.