Pronat, gati 25 mijë hektarë tokë bujqësore për fondin e kompensimit fizik

Kthimi i pronave tek ish-pronarët do të bëhet sipas detyrave të lëna qeverisë nga vendimi pilot i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Në gjykimin lidhur me rastin “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”, gjykata mori vendim të shtyjë ankimimet e shtetasve shqiptarë për pronat, me kusht që të realizohej një strategji për kompensimin e ish-pronarëve, ku vend kryesor duhet të zërë kompensimi fizik. “Qeveria po bën gati fondin fizik për kompensimin”, u shpreh dje Sonila Qato, drejtore e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në një takim me grupet e interesit.

Hartografia e vendimeve

Qato njoftoi se pas marrjes së dosjeve nga Arkivi i Shtetit, AKKP vijon punën për përditësimin e regjistrit elektronik dhe po bashkëpunon me arkivat e atyre bashkive ku ka të dhëna për dosje të kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas Qatos, AKKP finalizoi projektin pilot të pozicionimit hartografik dhe hedhjen e të dhënave tekniko-ligjore të të gjithë vendimmarrjes së realizuar nga viti 1993-2013 në Qarkun e Vlorës. Qato deklaroi se ky projekt do të shtrihet në të gjithë vendin. Me këtë veprim është arritur të realizohet transparenca e vendimmarrjes 21-vjeçare në Qarkun e Vlorës, si dhe fatura e kompensimit në këtë qark.

Reflektim ndaj Strasburgut

Drejtorja e AKKP-së, Qato, deklaroi se jemi shumë pas me zbatimin e vendimeve për pronat. “Jemi në proces kompensimi të vendimeve të marra për pronat deri në vitin 1995, shumë pak kjo në raport me vendimmarrjen përkatëse në 20 vjet”, u shpreh Qato. Kjo do të ndihmojë edhe në përllogaritjen e faturës së kompensimit, si detyrim ky i përcaktuar në vendimin pilot të Gjykatës së Strasburgut “Manushaqe Puto kundër shtetit shqiptar”. Ndërkaq, Qato paralajmëroi një reformë që do të rishikojë formulën dhe instrumentet për kompensimin, detyrë edhe kjo e përcaktuar në Strategjinë dhe Plan Veprimin e nxjerrë në zbatim të vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut.

“Aktualisht po punojmë për finalizimin e Regjistrit të Vendimeve për kompensim ‘93-2013, të ndarë sipas kategorive së tokës, që do të na ndihmojë në përgatitjen e një skeme të qartë për kompensimin e pronarëve, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Strasburgut, për të eliminuar shkeljet e konstatuara nga kjo gjykatë të Konventës EDNJ”, deklaroi Qato. Duke konstatuar numrin e ulët gjatë 4 viteve të fundit të përfituesve të fondit nga ALUIZNI për kompensimin financiar të pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale në proces legalizimi, Agjencia i ka propozuar qeverisë rishikimin e vendimit për ndarjen e fondit, me qëllim lehtësimin e procedurave. 

Kompensimi fizik

Paralelisht, Agjencia ka punuar për identifikimin, verifikimin e statusit juridik të pronave shtetërore të vëna deri më sot në dispozicion të Fondit Fizik të pronarëve, duke kryer veprimet e para procedurale të rezervimit të fondit me status të pastër juridik “shtet” pranë Hipotekës. Me urdhër të Kryeministrit janë ngritur dhe po punojnë dy grupe ndërinstitucionale, nën drejtimin e zv/kryeministrit Peleshi, që po identifikojnë dhe dërgojnë për miratim në qeveri fondin fizik tokë bujqësore prej 25 mijë hektarësh, si dhe po inventarizojnë ato pasuri prona shtet dhe publike të cilat do të vihen në dispozicion të fondit fizik për kompensimin. Qato njoftoi se në fund të këtij muaji përfundon puna e këtyre grupeve.

Pronari, “partner zhvillues”

“Ne duam të ndërmarrim një proces reformues, i cili të prodhojë një institucion që do ta trajtojë pronën si element për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit, ku pronari të shihet si partner me qeverinë për të zhvilluar projekte në të gjithë territorin”, u shpreh Qato. Në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të qeverisë, sipas Qatos, do të bëhet një proces kompensimi i bazuar në parimet kushtetuese për një shpërblim të drejtë për pronarët dhe real për buxhetin e shtetit.

 

Inventari Janë 8343 dosje të pashqyrtuara

Puna e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) nisi në shtator të vitit të kaluar me inventarin e dosjeve pa vendime. “Duke pasur një ide të qartë të situatës në agjenci, identifikuam se nuk janë siç është raportuar, 7300 dosje për shqyrtim, por 8343 dosje që ende presin vendimmarrje”, deklaroi Sonila Qato, drejtore e AKKP-së. Ajo tha se, në funksion të një procesi të rregullt ligjor për vendimmarrjen, që do të ndërmerret në raport me dosjet e pashqyrtuara, AKKP-ja ka bërë hapin e parë të punës me hedhjen në hartë dixhitale të të gjitha aplikimeve në 12 qarqet e vendit. “Realizimi i pozicionimit hartografik të vendimmarrjes në të gjithë territorin, ndikon në një vendimmarrje të drejtë deri në mbylljen e shqyrtimit të dosjeve ende pa vendim, por mbi të gjitha në identifikimin e një fature kompensimi të saktë, pa mbivendosje”, shpjegon Qato.