Profesionet e lira, qeveria cakton pagat e referencës

Nga Suela Topi

Qeveria miraton pagat referuese për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e lira. Në vendimin e ekzekutivit përcaktohet se intervali i pagave shtrihet nga 41 250 lekë deri 88 800 lekë në muaj, sipas kategorizimit të bashkive. Kjo skemë e cila përcakton se paga ndryshon në bazë të profesionit, pagës që kanë profesione të ngjashme në sektorin publik, por edhe zonës ku ushtrohet kjo veprimtari, u përcaktua nga qeveria pas debateve të gjata dhe kundërshtimeve të grupeve të interesit. Këto të fundit ishin kundër skemës fillestare sipas së cilës kontributet përcaktoheshin duke iu referuar pagës maksimale, 97 000 lekë.

Vendimi i qeverisë

“Pagat mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat e vetëpunësuar në profesionet e lira, përcaktohen duke mbajtur parasysh llojin e veprimtarisë profesionale, zonën ku ajo zhvillohet, vitet e punës në profesion, numrin e të punësuarve, pagën për të njëjtin profesion në sektorin publik, vitet e punës në bazë të licencës në profesion dhe statusin e profesionit”, thuhet në vendimin e ekzekutivit. Paga mujore sipas llojit të profesionit, përbën kufirin minimal të pagës për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Këto paga vetëdeklarohen nga tatimpaguesi përkatës dhe, kur administrata tatimore vëren se pagat e deklaruara për efekt të llogaritjes së kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë më të vogla nga paga respektive e përcaktuar në vendimin e qeverisë, ajo ka autoritetin t’i rivlerësojë, sipas nivelit të pagës përkatëse të përcaktuar nga ekzekutivi.

Kur ndonjëri nga profesionet e lira kryhen nga persona që kanë edhe të punësuar ose edhe anëtarë të papaguar, paga mujore për të vetëpunësuarin shtohet me 3 për qind për çdo të punësuar ose anëtar familje me kohë të plotë dhe 2 për qind për çdo të punësuar më kohë të pjesshme, por jo më shumë se paga maksimale. Ndërkohë që kur ndonjë nga profesionet e lira kryhen nga persona që fillojnë veprimtarinë ekonomikë profesionale për herë të parë, paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në tri vitet e para kalendarike të ushtrimit te profesionit me leje/licencë, zbritet me 30 për qind të pagës së përcaktuar në vendimin e qeverisë, ndërsa për tri vitet e tjera kalendarike të ushtrimit të veprimtarisë me lejë/licencë zbritet me 15 për qind të pagës së përcaktuar në vendimin e qeverisë, pavarësisht nga numri i të punësuarve.

Ndërkohë që në ato raste kur ushtrimi i njërit prej profesioneve të lira kryhet nga persona që janë edhe të punësuar ose kryejnë edhe aktivitete të tjera vetëpunësimi, paga mujore e përcaktuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të jetë e barabartë me pagën minimale në shkalle vendi, por me kusht që shuma e pagave nga të gjitha veprimtaritë të mos kalojë nivelin e pagës maksimale, vetëm për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Mbështetur në ligjin për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, Qeveria në vendimin e saj të marrë më 21 janar përcakton gjithashtu se pensionistët e regjistruar si persona fizik të vetëpunësuar të vetëm, që punojnë në profesionet e lira nuk kanë detyrim për të paguar kontribute për sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Në raste të tjera, paguajnë kontribut në nivelin minimal sipas përcaktimeve në vendimin “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor” të marrë nga qeveria në janar të vitit 2015.

Gjatë diskutimit të paketës fiskale për vitin 2016, përcaktimi i pagës për profesionet e lira, për efekt të derdhjes së kontributeve solli debate të gjata në komisionet parlamentare. Kjo pasi Ministria e Financave kishte propozuar fillimisht që kontributet shoqërore dhe shëndetësore të përllogariteshin në bazë të pagës maksimale. Kështu një i punësuar si një avokat, dentist, farmacist apo kontabilist, duhet të jepte afro 22 mijë lekë nga 6500 që paguante më parë. Kjo skemë u kundërshtua jo vetëm nga opozitarët por edhe nga grupet e interesit. Një numër i madh shoqatash kundërshtuan këtë nismë të qeverisë, me argumentin se rriteshin artificialisht kostot dhe se ishter diskriminues, duke i futur të gjithë profesionet në një fashë, pa marrë parasysh lirinë e tregut. Ata paralajmëruan rritje të ndjeshme të tarifave të shërbimeve të ofruara prej tyre në rast se si paga referuese merrej paga maksimale. Këto debate bënë që qeveria të pranonte ndryshimin e skemës duke përcaktuar përfundimisht që pagat përsëri të vendoseshin me Vendim të Këshillit të Ministrave, duke filluar nga paga minimale deri në pagën maksimale, por duke pasur parasysh disa kritere si: llojin e profesionit, zonën ku ushtrohet profesioni, eksperiencën në punë, madhësinë e kompanisë së vetëpunësuarit, pagat që kanë profesione të ngjashme në sektorin publik si dhe statusin e profesionistit të lirë që zotëron licencën.

Qeveria, 490 milionë lekë për punësimin e të rinjve

Qeveria pesëfishon fondin për nxitjen e punësimit. Sipas programit të miratuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, është përcaktuar që ky fond të shkojë në 490 milionë lekë nga 90 milionë që ishte në vitin 2013. Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi sqaroi se në bazë të këtyre programeve synohet të shtatëfishohet numri i të punësuarve, krahasuar me dy vite më parë. Grupet të cilat do të nxiten më me përparësi janë të rinjtë, gratë, romët, personat me aftësi të kufizuara, jetimët dhe grupe të tjera shoqërore, të cilët e kanë të vështirë të përfshihen në tregun e punës.

Janë 7 programe të reja që do të zbatohen gjatë vitit 2016 të cilat sipas, ministrit synojnë të garantojnë punësimin e mbi 10.000 punëkërkuesve të papunë, ku rreth 70% e tyre do të jenë gra e vajza dhe 55% e gjithë programit do të jenë punëkërkues të rinj. Nxitja e punësimit për të rinjtë synohet nëpërmjet kombinimit të formimit, nëpërmjet punës për një periudhë 3-mujore për të cilën zyra e punësimit financon punëdhënësin me 10 mijë lekë në muaj dhe garantimin e punësimit të subvencionuar për një periudhë 9-mujore, me kusht të kontrata e punës mos jetë më e shkurtër se 15 muaj. Ndërkohë që zyra e punësimit financon punëdhënësin për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë sipas këtij programi, me katër paga, në vlerën 25 mijë lekë, në muajin e tretë e të katërt dhe në muajin e tetë e të nëntë të kontratës. Ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi. Sa i përket mbështetjes së femrave kryefamiljare dhe vajzave nëna, qeveria ka vendosur rritjen e nivelit të subvencionimit të pagës në masën 115 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, (deri në gjashtë paga) dhe sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Vizita te mjeku, falas edhe për të pasiguruarit

Të gjithë personat e pasiguruar në shërbimet shëndetësore, të cilët deri dje paguanin 1000 lekë për vizitat te mjeku i familjes, nuk do të duhet të nxjerrin më lekë nga xhepi. Me ndryshimet e fundit ligjore, si dhe me platformën për të arritur te shëndetësia falas, rreth 600 mijë qytetarë, të cilët në fazën aktuale nuk kanë as librezën shëndetësore dhe as kartën e shëndetit, do të përjashtohen nga tarifa që i detyroheshin spitalit gjatë vizitave. “27 Janar 2016 është data e hyrjes në fuqi për zbatim të ndryshimit të ligjit, Nr. 10 383 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë,” që mundëson vizitën pa pagesë tek mjeku i familjes për të gjithë popullatën rezidente në Shqipëri”, citon Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Do të jetë ky institucion që do të mbulojë shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor. Deri dje, vizita shëndetësore falas tek mjeku i familjes u është mundësuar rreth 2.3 milionë qytetarëve, ndërkohë që personat e pasiguruar përfitonin këtë vizitë kundrejt tarifës prej 1000 lekë. Në vazhdim, e gjithë popullsia e vendit prej 2.9 milionë banorësh, është e mbuluar me vizitën falas te mjeku i familjes. Tashmë me ndryshimin e bërë, askush nuk është i detyruar më të paguajë për të kryer konsultë me mjekun e familjes. Mjeku e ka detyrim që të kryejë vizitën për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, për ata që janë të siguruar, por edhe për ata që janë të pasiguruar. “Shërbimi i vizitës shëndetësore që të pasiguruarit e marrin falas me ligjin e ri, është qartësisht një hap tjetër i sigurt për t’iu ofruar qytetarëve mbrojtjen shëndetësore që meritojnë, drejt Mbulimit Universal”, njofton Fondi.