Presidentja Jahjaga takoi Baroneshën Joyce Anelay

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar sot (e mërkurë), në Londër, ministren e Shtetit për Politikë të Jashtme dhe përfaqësuesen speciale të Kryeministrit britanik për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baroneshën Joyce Anelay.

Në takim është diskutuar për iniciativat institucionale e shoqërore në Kosovë për t’i rehabilituar dhe reintegruar të mbijetuarit e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera në vend dhe rajon.

Presidentja Jahjaga e ka njoftuar Baroneshën Anelay për angazhimet ndërinstitucionale për t’u ofruar mbrojtje ligjore dhe për t’ua zgjidhur statusin juridik në shoqëri të mbijetuarve të këtij krimi të luftës.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se kjo kategori në Kosovë tashmë ka statusin e viktimave civile të luftës dhe me nxjerrjen e akteve nënligjore do të njihen dhe mbrohen si grup i margjinalizuar.

Ajo ka folur edhe për nevojën që të mbijetuarit e dhunës seksuale të fuqizohen ekonomikisht, për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe për t’u mundësuar qasje të barabartë në drejtësi, në përpjekje për t’i vënë para drejtësisë kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme.

Presidentja ia ka dhurur Baroneshës Anelay një kollazh fotografish të instalacioni artistik “Mendoj për Ty”, që u ishte dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale, fushatë për të cilën kishte dhuruar fustanin e saj të veshur në një moment të veçantë të karrierës së saj.

Presidentja Jahjaga e ka falënderuar Baroneshën Anelay për rolin e shtetit të saj dhe lidershipin që ka dëshmuar për senzibilizimin e botës dhe përpjekjet konkrete për t’i dhënë fund dhunës seksuale si mjet lufte. Ajo në veçanti e ka falënderuar Baroneshën për përkrahjen e qeverisë britanike institucioneve të Kosovës në përballjen me këtë pasojë të luftës.

Në takim është diskutuar gjithashtu për zhvillimet rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga ka shprehur zhgënjimin e saj për mosvotimin e amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale dhe ka theksuar se nga institucionet e vendit pret të gjejnë mënyrën që ta përmbushin këtë obligim ndërkombëtar, në përputhje me vendimin e Kuvendit dhe të marrëveshjes ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga e ka siguruar ministren britanike se Kosova është shtet që beson në drejtësi dhe se do të veprojë mbi këtë parim.

Ministrja Anelay falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen viktimave të dhunës seksuale dhe për përkushtimin e saj ndaj drejtësisë.

Në takim kanë marrë pjesë edhe Ambasadori i Kosovës në Britani, Lirim Greiçevci, dhe Ambasadori i Mbretësosë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.