Presidenca italiane e BE-së, Rama: Përkim fatlum për Shqipërinë

Rama e bëri këtë deklaratë në një aktivitet të organizuar me rastin e mbledhjes së Grupit të Miqësisë me Italinë, ku gjithashtu shprehu vlerësimet e tij për kryeministrin italian Mateo Renzi

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një përkim fatlum për Shqipërinë, presidencën italiane të Bashkimit Europian. Rama e bëri këtë deklaratë në një aktivitet të organizuar me rastin e mbledhjes së Grupit të Miqësisë me Italinë, ku gjithashtu shprehu sërish vlerësimet e tij për kryeministrin italian Mateo Renzi.
“Duket pak si çudi që një nismë e tillë, padyshim e dobishme, e natyrshme për historinë e gjatë që na bashkon pavarësisht detit që na ndan, të merrte formë vetëm sot. Padyshim përgëzime atyre që e ndërmorën këtë nismë. Një falënderim i kushtoj mikut tonë të përbashkët Gaiani. Fakti që ndërkohë që luhet futboll për kupën e botës ne jemi besnikërisht këtu, jo për të vazhduar ndeshjen tonë pambarim, por për t’u bashkuar që të ndërtojmë një urë të re më anën tjetër të detit, është kuptimplotë. Matteo Renzi është një shans i ri dhe i madh për Italinë dhe Italia e Renzit është një shans i ri dhe i madh për Europën dhe padyshim edhe për Shqipërinë. Përkimi fatlum i post statusit me presidencën italiane të BE-së duhen shfrytëzuar në muajt në vijim”, tha Rama.
Në përfundim Rama u shpreh i gatshëm të bëhet pjesë e grupit të Miqësisë me Italinë. “Nëse përfshirja ime në këtë grup do të ndihmonte për t’i bërë shumë më të mira marrëdhëniet tona padyshim për mua do të ishte një kënaqësi e posaçme”- deklaroi Rama.