Politikanët shqiptarë-as në nivelin e shqiptarëve të moçëm

Nga Gani Elezi

Më 8 dhjetor, opozita nis protestat për rrëzimin qeverisë. Ka shumë arsye të kontestohet kjo qeveri. Vetëm situata e rëndë ekonomike, mungesa e shpresës që po detyron dhjetra mijë shqiptarë të lënë vendin e tyre, do të mjaftonte për te dalë në protesta. Opozita në çdo vend demokratik është institucion që i bën oponencen qeverisë. Ky është misioni, e drejta dhe përgjegjësia e saj, pa të cilin çdo demokraci rrezikon të shndrrohet në diktaturë. Por në asnjë rast nuk duhet abuzuar me këtë të ‘’drejtë’’ dhe ‘’përgjegjësi’’ të opozites. Më habit, ma shpif, më mirë me thënë, ‘’vendosmëria’’ e opozitave tona, të majta e të djathta, që oponencën ndaj qeverisë, ende pa filluar mirë punën, e shndërrojnë në synim për rrëzimin e saj, sikur shpëtimi ynë të ishte në lojën ‘’ngre e rrëzo qeveri’’.

Në kushtet e një demokracie të plotë, që e synojmë edhe ne, qeveritë vijnë e ikin në afate kushtetuese, me votën e qytetarëve. Brenda këtyre afateve, te ne në çdo 4 vjet, është e ‘’drejta’’e tyre e pakontestueshme të punojnë e të realizojnë programet e tyre. Suksesi i çdo qeverie është sfidë sa e tyre aq edhe e opozitës,që me oponencën e saj bën që programet e shumicave parlamentare të shkojnë në interes të qytetarëve, të vendit dhe jo të oligarkive politike, financiare e mediatike, siç ka ndodhur deri tani te ne. Të dyja partitë, PD dhe PS, gjatë qeverisjes së tyre kanë dështuar ta fitojnë këtë sfidë. Më shumë se për popullin, për qytetarët kanë punuar për vete.

Përpos humbjes të sfidës të mirëqeverisjes, edhe e “drejta’’ e opozitës për t’i bërë oponencën qeverisë, te ne ka degjeneruar në konflikt politik, social, deri në kufijtë e luftës civile, siç ka ndodhur në vitet 1997, 1998 dhe 2011, etj. Kështu, edhe lëvizja e tanishme e opozitës, e PD-së dhe lidershipit të saj, më shumë është demagogji, luftë për pushtet e favore ekonomike dhe rrezikon të gjenerojë konflikte të thella politike dhe sociale. Veç sa sipër, aksioni i opozitës për të rrëzuar qeverinë “Rama-Meta” koincidon me një situatë të rënduar të sigurisë në nivel global, rajonal, por edhe kombëtar. Kriza e refugjatëve, aktivizimi i strukturave terroriste të ISIS, Al-kaeda, Boko Haram, etj. ka sjellë pasiguri të madhe në jetën e qytetarëve në shumë vende. Më e rëndë është situata në Europë.

Në zgjidhjen e problemit të refugjatëve dhe në luftën kundër terrorizmit edhe në shtetet europiane, e më gjerë, forcat politike, në pushtet dhe opozitë, kanë opsione të ndryshme. Por në asnjë rast këto qëndrime nuk kanë shkuar në kërkesa ultimative dhe aksione për rrëzim qeverishë, çka do ta përkeqësonte më shumë gjendjen e sigurisë. Në Francë, p.sh. as partia e Mari Le Penit, e ekstremit të djathtë, nuk është ngritur të “rrëzojë’’ Hollande, pas atentateve të 13 nëntorit që morën jetën e 130 qytetarëve francezë dhe plagosën më shumë se 300 të tjerë. Në Belgjikë, në Bruksel, del të jetë truri i xhihadit dhe asnjë nuk ka kërkuar rrëzimin e qeverisë, përkundrazi forcimin e masave kundër terrorizmit. Në Gjermani, edhe pse ka kundërshti ndaj politikave, pro refugjatëve, të Merkelit, asnjë parti nuk ka dalë në rrugë të kërkojë rrëzimin e saj nga pushteti.

Në SHBA, asnjë kandidat republikan për president, në zgjedhjet e vitit 2017 nuk ka kërkuar rrëzimin e Obamës dhe të administratës së tij para kohe, edhe pse e kanë fare të lehtë, sepse kanë shumicën në Senat dhe në Kongres. Një situatë e tillë është në gjithë vendet demokratike me të cilët ne kemi marrëdhënie dhe deklarojmë se përfitojmë nga shkalla e demokracisë së tyre. ‘’Rrëzimi’’ i qeverive në këto vende ndodh vetëm atëhere kur partitë dhe qytetarët thirren në votime. Ndryshe ndodh me shqiptarët. Edhe pse në studimet dhe analizat e eskpertëve të sigurisë konkludohet se Ballkani, hapësira shqiptare, është shumë vulnerabël ndaj veprimeve terroriste, në Shqipëri opozita, veç procesit të ‘’dekriminalizimit’’ dhe ‘’dekomunistizimit’’ të vendit (më shumë më duken “kauza’’ për luftë politike e pushtet) i është futur aksionit për rrëzimin e qeverisë. Edhe përballë një rreziku të madh, terrorizmit, kundër të cilit është ngritur një koalicion i madh ndërkombëtar, afro 60 shtete, ne duam të rrezojmë, patjetër, Edi Ramën. Kjo na kënaq më shumë se çdo fitore tjetër.

Në Kosovë, po ashtu, opozita është hedhur në protesta anti-qeveritare, për të kundërshtuar marrëveshjen me Serbinë, për bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe ndarjen e kufirit me Malin e Zi. Vendi është futur në krizë të rëndë politike, nuk funksionojnë si duhet Kuvendi, qeveria dhe institucione të tjera. Opozita ka të drejtë. Protestat i kujtojnë qeverisë se nuk është pronare e Kosovës dhe e territoreve të saj. Por duhen gjetur rrugët dhe mjetet që nuk e dëmtojnë Kosovën. Eshtë e rrezikshme të futet Kosova në krizë politike kur ende ka shumë gjera të padefinuara përfundimisht në lidhje me statusin e saj dhe kur terrorizmi i ka trokitur te porta. Në Maqedoni partitë shqiptare më shumë luftojnë kundër njera tjetrës (PD vs BDI) se sa janë faktor politik për të garantuar statusin shtetformues dhe mirëqenien e shqiptarëve në këtë shtet.

Edhe në Malin e Zi shumë parti shqiptare, edhe pse pak shqiptarë, e asnjë problem kombëtar i zgjidhur ashtu si duhet. Shqiptarët më shumë luftojnë kundër njeri tjetrit se sa bëhen bashkë të zgjidhin sfidat që u ka ofruar koha,edhe sigurinë dhe kompaktësinë kombëtare. Njëri i bie gozhdës tjetri patkoit. Por, partitë vijnë dhe ikin nga pushteti, sipas vullnetit të zgjedhësve. Vendi, atdheu është i përjetshëm. Te ne edhe me Kanun, për çështje të rëndësishme të kombit, të shqiptarisë, në situatë krize e lufte, ka qenë ‘’tagër’’ me ndalu konfliktet, gjakmarrjet, hasmëritë. Atdheu ishte para interesave personale të grupeve a individëve të veçantë. Fatkeqësisht, politika, politikanët tanë kanë mbetur në kufirin e papërgjeshmërisë e të neverisë. Nuk janë as në nivelin e shqiptarëve të moçëm.