Polici tani po thotë mirëmëngjes

A t’i bëj një qokë Ramës ?!

Pse më shihni të gjithë të çuditur?!

Mendoni vërtet se nuk shkon t’i bësh një qokë atij që vetëm qokat i merr me thasë tani që drejton pushtetin më të fuqishëm të momentit, pushtetin politik.

Përse jo, mbeta duke dëgjuar vetëm kundërshti, kundërpërgjigje, akuza, shpifje, stërhollime, hiperbola, sulme, paragjykime, përndjekje, njolla, goditje, pushtëzime, dëmtime, prishje imazhi dhe qokat janë të pakta.

Përse tregohen gjithmonë me Çezarin mosmirnjohës kur ai nuk ka “vdekur” ende?!

A thua vallë se të gjithë ata që ia japin pushtetin të jenë kaq të babëzitur sa t’ja përpijnë palcën sa ta hedhin poshtë për dy lek?!

Po si erdhi Rama në pushtet?!

A e mbani mend si erdhi?!

Se të gjithë këta faqe fishkurit e rrudhosur, flasin për atë thashethemin urban të legjendosur, se Tosi e mori me thonj të paprerë dhe i tha futu në Bashki dhe bëj ndonjë lek. Të jetë kaq e ngushtë thua gjithë kjo linjë e ndejkur fjalësh, sa ta ulin kaq poshtë në nivel diksutimi kronologjinë e një profili që në pushtet ka ardhur pa dyshim, me zotësinë dhe me aftësinë që origjinaliteti i tij ka përçuar mbi masat dhe me gjithë kontributin kontravers mbi gjithë historinë politike të deritanishme. Edi Rama përveçse një investim socialist, ai është një investim vetjak i një arti politik të paimitueshëm.

Politikani i zgjedhur është shprehje e dëshirave të popullit. Rama është figura që nuk veshën masat, por është ajo copë e mëndafshit që doli nga stofi i popullit.

Drejtoi Ministrinë e Kulturës për një kohë relativisht të shkurtër. Ndryshe nga figura tradicionale me tipare soloniane, ku në karakterin e tij kishte të fashitura gjithë veset që mund të ndikonin ndryshe për profilin edukativ të pozitës, ai vjen ndryshe. Kultura nuk do të shihte vetëm organizator të urtë, që nuk dinin se kush shkrimtar kishte shkruar “këtë apo atë” varg, por dhe një profil avangard që nëpërmjet pikturës abstrakte shprehte kuptimet e revoltuara të një bote impresioniste artistike, që gjallëronte pjesët mentale të mykura në depresion.

Kush thotë që Rama nuk ka ndryshuar mentalitetin politik dhe social më mirë le të shikojë Encën tek BBF-ja.

I bëri njërzit më të çlirët. I nxorri nga disiplina formale e hipokrizisë mediatike, por dhe si një rebel i majtë grisi format e konservuara, e hoqi buzqeshjen e përhershme nga kamerat dhe filloi të kritikojë. Dalja nga rregulli e individit për të djathtët është një arrogancë, është pak ideologjike kjo në pikëvështrimin e tyre prandaj ata pa ndalur e luftojnë në pikat personale, në moral, në batuta, në akte në dukje të egra, por ama harrojnë, dhe ndoshta si Mark Antoni do të kthehen dhe të thonë se”Rama, tregohej i mirë me plebenjtë”…

Në fakt Rama në mënyrë të pavetdijshme është një krijues i një rilindjeje që i shkon përshtat shumë asaj që përdori në fushatën politike. Rama në vetvete për pushtetin dhe popullin në të gjitha anët është një rilindje. Një rilindje që nxorri Tiranën nga llumi i kioskave dhe bëri që njerëzit ta duan Lanën më shumë nga ç’donin nga halli Golemin, e bajgëzuar. Rilindi partinë socialiste, ku nuk la rrugëtim pa ndërrmarë deri aty sa arriti të depërtojë dhe në ato bastione që Berisha ndihej e pamposhtur. Rilindi frymën e qytetarisë duke i rezervuar, “shamibardhët” në rreshtin e parë dhe “këpucë baltosurit”(shfrytzuesit) në vendin e duhur. Tani i erdhi koha shtetit. E futi konceptin e rilindjes tek shteti. Janë vetëm 2 vjet dhe janë shumë pak për aq shumë sa ka bërë. Nuk shohim më polica që flasin në delir se kanë veshur një uniformë që shpreh dhunë dhe arrogancë, polici tani po thotë mirmëngjes. Shohim radhë në pagesën e energjisë, shumë njerëz se dinin se fatura ishte bëra në format A4. Mori përsipër Reformën Territoriale dhe ristrukturoi të gjitha zonat, ku shumica e tokave në masë ndërtonin pa kriter dhe pa kontroll. I dha dhe një frymarrje ekonomike duke i afruar afër qendrave. Shpalli moratoriumin e pyjeve. E kisha harruar fare keqardhjen për një pemë. Hapi i formalizimit të ekonomisë, duke i pajisur gjithë bizneset me kasë dhe me fatura dhe favorizimin e biznesit të vogël. Hodhi hapat e një rilindjeje urbane, ku në çdo qëndër nga veriu në jug, sheshi tanimë e ka një pamje serioze dhe tek e fundit që është një rilindje përsa i përket mentalitetit ai është afruar dhe më tepër me masat. Kryeministria s’ka më mure. Ai tek-tuk kalon si kalimtar dhe respekton semaforin. I jep kënaqësinë një studenteje të bëj selfie duke qënë dhe pjesë e kohës, dhe ngadalë tani pret që pa vënë gishtin mbi drejtësinë, të zgjidhë dhe nyjen e vështirë, që të meritoj plotësisht pushtetin që mori në sajë të mbështetjes që e solli “rilindjen” e tij me sakrifica.