Përplasje mes Llallës e Tahirit në analizën e policisë

Ka qenë një përplasje e hapur. Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Brendshëm nuk i fshehën pakënaqësitë për njëri – tjetrin, teksa folën në analizën vjetore të Policisë së Shtetit. Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Adriatik Llalla e drejtoi gishtin nga policia kur tha se  “nuk ka referime nga institucionet ligjzbatuese për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë”.

Por ai nuk u mjaftua me kaq. Llalla e kritikoi kupolën drejtuese të policisë për lëvizjet e shpeshta të oficerëve dhe për vonesat në përgjigjet e ekspertimet shencore .

“Prokurorët kanë shqetësimin për lëvizjet e shpeshta të oficerëve të policisë gjyqësore, gjë e cila ul ritmin e hetimeve. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2015 u konstatua një problematikë e spikatur lidhur me ekspertimet në Policinë Shkencore. Burimet e reduktuara në kapacitete njerëzore dhe në mjete teknologjike kanë ndikuar në uljen e ritmit të hetimeve”.

Saimir Tahiri nuk e fshehu nervozizmin nga fatura që Prokurori i Përgjithshëm i la përpara vartësve të tij. Ai nuk vonoi t’i kujtonte 21 janarin, zvarritjen e cështjeve të rëndësishme apo selektiviteti në delegimin e dosjeve.

“I nderuar Prokuror i Përgjithshëm ka shumë gjëra që mund të bëjmë më mirë nga trajnimi më i mirë i policisë dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore për të çuar përpara çështjet, nga bashkëpunimi me Prokurorinë, nga delegimi i çështjeve për të mos pasur delegim preferencial nga prokurorët kur disa çështje delegohen edhe disa të tjera jo edhe deri te hetimi, siç e thatë dhe ju i çështjeve të rëndësishme, ngjarje kriminale të cilat kanë ngecur. Ka ngjarje që kanë ndodhur tani afër, ka ngjarje që kanë ndodhur pak më larg por duke filluar nga 21 janari dhe vrasja e katër protestuesve në bulevard, te vrasja e deputetit dhe të shumë ngjarjeve të tjera deri te korrupsioni duhet të ketë veprim aktiv të Prokurorisë dhe Policisë për t’i çuar përpara këto hetime përndryshe qytetarët nuk kanë asnjë motiv që të besojnë se këtu ka ndëshkueshmëri.”

Përplasja e kreut të organit të akuzës dhe ministrit vjen në një kohë kur po flitet gjithnjë e më shumë për ndërprerjen e mandatit të kryeprokurorit me miratimin e Reformës në Drejtësi. Adriatik Llalla ka shprehur publikisht mospajtim me këtë reformë. Por gjithashtu, kritikat e Llallës ndaj policisë vijnë në një kohë kur në vend, vetëm në dy muajt e fundit, kanë ndodhur me dhjetëra vrasje e ngjarje të tjera të rëndë kriminale, ende të pazbardhura nga policia.