Përpjekje për të nxirë imazhin e Shqipërisë?

Nga Blendi Salaj

Duke rriskuar të tingëlloj si paranojak, më bën shumë përshtypje një valë artikujsh, reportazhesh e kronikash të mediave të huaja që kanë në objektiv Shqipërinë, duke e paraqitur vendin tonë në dritë të errët, si një fole xhihadizmi që furnizon ISIS-in me armë, edhe pse arsenali shqiptar përbëhet më së shumti nga kallashnikovë të ndryshkur, ndërsa arsenalin me predhat Shqipëria i demontoi me sukses disa vite më parë me ndihmën e ShBA.

Një artikull në shtypin britanik thotë se Shteti Islamik i mori Mafias, dhe tani kontrollon tregëtinë e hashashit nga Shqipëria drejt botës duke fituar kësisoj 4 miliardë paund në vit, kjo ishte në The Daily Mirror ditën e djeshme. Informacion që qartazi nuk ka bazë në realitet, dhe as provohet nga ndonjë e dhënë konkrete në artikull

Një raport i sotëm nga Antoni Ferrari në Corriere TV thotë se ka mbi 1000 rekrutë xhihadistë në vendin tonë, por as ky raport nuk paraqet ndonjë burim faktual të këtij informacioni dhe shkon deri aty sa deklaron se Shqipëria tanimë është bërë defacto baza nga ku Italia mund të pësojë sulme të tipit të Parisit.

Një tjetër shkrim, si qershia mbi tortë, është botuar po sot, në edicionin europian të Politico nga gazetari freelance Jack Davies tregon sesi në Shqipëri njerëzit vriten nga armët në një masë alarmante, duke cituar 5.86 vdekje nga armët për çdo 100,000 vetë në vitin 2013, dhe duke deklaruar se vrasjet nga armët në Shqipëri mbeten shumë të larta pas vitit 2010, pa përmendur se në Shqipëri viti 2015 shënoi rekordin më të ulët absolut në 25 vjet, me 54 vrasje në total, që do ta pjestonte me 3 nivelin 5.86 që paraqet autori.

Artikulli e krahason Shqipërinë me ShBA-të duke thënë se 5.86 vrasje me armë për 100,000 persona është dyfishi i nivelit të vrasjeve në Amerikë, që mban shifrën mesatare 3.55 për 100,000 (në qendra urbane si Uashington DC, kjo shifër arrin në 15.9).

Artikulli i Davies krijon përshtypjen se për shkak të gjyqësorit të korruptuar qytetarët shqiptarë mbajnë armë për vetëmbrojtje. Kjo është një rrenë me bisht, e cila përforcohet kur autori citon deputetin demokrat Gent Strazimiri të thotë: “Sigurisht, nuk u vë dot faj (armëmbajtësve). Si mundet një qytetar normal të ketë besim tek Policia dhe Gjyqsori? Si t’i bindim se nuk u duhet arma?”.

Më tej artikulli merret me histori të stërthëna si Kanuni dhe kolapsi total i vitit 1997, gjakmarrja dhe kallashnikovët dalin në skenë ndërsa Lazarati jepet si shembull i mungesës së ligjit, duke e zeruar operacionin e vitit 2014 kur Strazimiri, kësaj rradhe duke qeshur, e quan “Tjeshtë një shfaqje”. Më tej shrkimi në Politiko vë në dukje se Shqipëria me kaq shumë dhunë armësh do ketë probleme me hyrjen në BE në 2020, ndërkohë që vende anëtare të BE-së si Lituania kanë 6.9 vrasje nga armët për 100 mijë.

Reforma në Drejtësi, edhe pse e mbështetur fuqishëm nga BE dhe amerikanët të cilët madje e konsiderojnë veten bashkëautorë të saj, në këtë artikull konsiderohet si një proces jo fort shpresëdhënës, madje (sërish) deputeti demokrat e quan “një sëmundje të re”, duke e konsideruar të gjithën si një përpjekje të qeverisë për të kontrolluar gjykatat.

Ndoshta nuk ka një përpjekje të përqëndruar për ta nxirë fytyrën e Shqipërisë, dhe jam veç unë që shoh fantazma. Por vendi Wild West i përshkruar në rreshtat, ku qytetarët e ndershëm ecin me kobure në brez për vetëmbrojtje, ku ISIS kultivon 6.1 miliardë USD kanabis në vit, furnizohet me armë e ku po përgatiten mijëra ushtarë xhihadi për të terrorizuar Italinë dhe BE-në nuk ngjan aspak me vendin e varfër, plot probleme, por jo të tilla thagma, që është Shqipëria sot.

E mbase, kur të ketë rënë pakëz zemërimi i shkaktuar ndër shqiptarë nga reklama e Qeverisë tek “The Economist”, duhet të shohim nëse njëherësh me këtë ka edhe një përpjekje sistematike për ta nxirë imazhin dhe perspektivën e Shqipërisë në mediat botërore.