PERPARIM RAMA: “MOS U FRIKËSONI NGA ËNDRRAT”

Nga Esmeralda Sadikaj
ERDHI NË MBRETËRINË E BASHKUAR në moshën 16 vjeçare për të pasur një jetë më të mirë nga ajo çfarë i ofronte Kosova e atëhershme. E dinte se për ta arritur këtë do të përballej me vështirësi. Biseda e parë në kufi me oficerin kufitar, e bëri të pranonte që nuk e kuptonte dhe nuk e fl iste aq mirë gjuhën angleze. Ky është Përparim Rama. I lindur më 20 janar 1976 në Prishtinë. U rrit dhe u edukua nga një familje shembullore.
Suksesin dhe arritjet ja atribuon asaj, veçanërisht babait Kadrush Rama, nënës Nazmije Rama dhe gjyshit Feriz Hoxha. Fëmijërinë e kaloi në vendin e lindjes, pastaj shkëputet prej saj duke shkuar me mijëra milje larg, në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Përparimit, gjeneza e stabilitetit të njeriut është fëmijëria. Që në fëmijëri, ai ka dëshiruar të ndjek rrugën e të atit, i cili ka qenë piktor dhe profesor në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Na thekson se gjithmonë ka patur dhe ka dashuri të madhe për artin, edhe pse i ati gjithmonë e ka nxitur drejt shkencës. Dashuria ndaj diçkaje nuk mund të shuhet aq lehtë, aq më tepër kur rritesh në familjen e artit. Profesioni me të cilin merret, pra arkitektura, është në shërbim të njeriut. Dhe njeriu është parametri kryesor me të cilin ai merret.
Arkitektura na rrethon, me të jetojmë prej momentit kur zgjohemi deri në momentin kur biem të flemë.
“Ndihem fatlum që kam kaluar shumë kohë edhe me gjyshin Feriz, i cili më ka dhënë baza të forta në shkencat natyrore, posaçërisht në matematikë”, na rrëfen Përparimi. Sipas tij, arkitektura ka qenë kombinimi perfekt i artit dhe i shkencës. Familja ka ndikuar në formimin e tij në art dhe shkencë, duke krijuar një arkitekt me kontribut në atdheun e tij si dhe në Mbretërinë e Bashkuar ku kreu studimet e mëtejshme.
Ka mbaruar studimet e Arkitekturës dhe magjistraturën me Distinction. Ka formuar studion arkitektonike në Londër në vitin 2003. Si arkitekt që është, di ta menaxhojë edhe jetën e tij. “Jeta është përplot sfida. Fitoret i gëzoj dhe i ndaj me shoqërinë, ndërsa humbjet i marr si edukim.
Ndonjëherë edukim është i lirë e ndonjëherë shumë i shtrenjtë, mirëpo gjithmonë mundohem të mësoj prej çfarëdo qe më bie jeta, dhe ta shoh pozitiven dhe të mirën, të mësoj në çdo situatë. Jam i hapur dhe mirëpres jetën, ashtu si vjen.”, na thotë Përparimi.
pi

Përkushtimi dhe dëshira për të bërë diçka për veten dhe vendlindjen e tij, ishin shtysat e fi tores së çmimit të parë nga World Interiors News Award për dizajnim të bareve me projektin e Hamam Barit në Prishtinë. Ky çmim ia ka hapur rrugën karrierës së tij profesionale.
Themeluesi dhe drejtori i 4M Group, Përparim Rama është përzgjedhur për t’u bërë vlerësues në konkursin prestigjioz 2014 WIN Awards.
perr

“Çelësi i suksesit i arritjeve të mia është edukimi dhe zhvillimi i vetëbesimit i lidhur ngushtë me pasionin për atë me çfarë merrem. Këto më kanë  dhënë bazën e fortë, vetëbesimin që gjithmonë të jem unë, origjinali i vetes sime e asnjëherë një kopje e dikujt tjetër,” thotë arkitekti Rama. Ai beson se kjo është mënyra më e mirë që ta njohësh veten dhe ta rrisësh veten. E për ta bërë këtë duhet që ta shohësh botën përtej perspektivës unike të vetes, që çdo njeri në botë e ka mundësinë që ta bëjë.
.Ja si shprehet e shoqja për të: “Ai është heroi i dizajnit, shpirti i tij kreativ dhe sipërmarrës do të vazhdojë të vlerësohet edhe më shumë. Mburrem me Përparimin. Ky është një çmim shumë i rëndësishëm. Jam e lumtur dhe mburrem që kam qenë pjesë e procesit dhe kam dhënë kontributin për të ndihmuar projektin e 4M GROUP të vlerësohet si një ndër dizajnet më të mira në botë.”
Për të familja është mjaft e shtrenjtë. Ndaj për ta mbajtur atë në këmbë, veçon si vlera humanizmin, moralin, bamirësinë, respektin, optimizmin, zemërgjerësinë dhe të vërtetën. Të vërtetën nuk e konsideron vetëm si një vlerë të familjes, por edhe si karakteristikë të atdheut. Ai thotë modestisht,”Atdheu për mua është e vërteta. Atdheu është gjeneza e qënies sime. Prej atje fillon çdo gjë që jam unë.” Ardhja në jetë e princeshës me emrin mjaft të bukur Arra, u ka shtuar familjes Rama ambicjet të tjera në rrugën drejt suksesit.
Mbështet bashkëpunimet mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe ai vetë është i hapur ndaj bashkëpunimeve. Në rrethet shoqërore njihet si një njeri veçse i shkolluar dhe i formuar, i sjellshëm dhe një ‘ambasador’ i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar. Ju bën thirrje të gjithë shqiptarëve të mos frikësohen nga ëndrrat.
Ai ëndërron që të ketë një familje të lumtur, të shëndoshë dhe të mbushur me përplot dashuri. Ëndërron që fëmijët të jetojnë në një botë të shëndoshë nga pasiguritë. Ëndërron që ëndrra e John Lenonit në këngën ‘Imagine’ të bëhet realitet dhe Energjia pozitive, paqja, dashuria dhe shëndeti të sundojnë mbi botën. Me anë të punës, edukimit dhe vetëbesimit realizohen ëndrrat.” Bëni të mira, ndihmoni, mendoni pozitivisht, besoni! Ju mundeni!”