Përmbytjet në Greqi, Qeveria premton dëmshpërblim

Qeveria greke ka premtuar dëmshpërblim për personat apo subjektet që u dëmtuan nga moti i keq i ditëve të fundit në Atikë. Për këtë shkak, kryeministri Antonis Samaras përshpejtoi kthimin e tij nga Brukseli dhe shkoi menjëherë në qendrën operative të mbrojtjes civile, ku drejtoi një mbledhje emergjence.Pas mbledhjes Samaras tha se ata që janë dëmtuar, do të dëmshpërblehen sa më shpejt. “Që nga e diela do të fillojë një inventarizim i hollësishëm i dëmtimeve, proces që do të përfundojë të hënën”, tha kryeministri dhe shtoi: “Ministrisë së financave i është dhënë urdhër të çlirojë menjëherë fondet që janë të nevojshme për çdo bashki të dëmtuar dhe të dëmshpërblehen ata që kanë pësuar dëme nga katastrofa”.

Më shumë se 600 thirrje u bënë orët e fundit në shërbimin zjarrfikës, për përballimin e pasojave të përmbytjeve nga shtrëngatat e shiut në Atikë. Në mjaft zona të Atikës pati përqendrim ujërash, por edhe drejtues mjetesh të bllokuar në makinat e tyre. Në operacione merrnin pjesë 150 zjarrfikës dhe 70 mjete të këtij shërbimi. Imazhe katastrofe janë të dukshme sidomos në zonat e Atikës perëndimore. Rrugët u shndërruan në lumej, shumë makina u morën nga ujërat e rrëmbyeshëm dhe u stivosën njëra mbi tjetrën.