Përcjellja është me rëndësi, jo pritja

Nga Daut Dauti

Majlinda Kelmendin nuk e paska pritë askush në aeroport. Ajo qenka nervozu e idhnu pse televizioni publik e as qeveria nuk paskan dalë me pritë. Punë e madhe. Po, pse duhet me pritë Majlindën?

Ajo që paska ndodhë me Majlindën është plotësisht në pëlqim me traditën shqiptare, sipas të cilës, njerëzit përcillen e nuk priten. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kjo ndodhë edhe sot. Një gjë e këtillë, pra përcjellja, është veprim i lashtë, i sanksionuar edhe në Kanun. Sipas traditës tonë përcjellja është veprim publik kurse pritja është private. Psh. Musafiri nuk pritet publikisht por privatisht. Por, përcillet publikisht deri te kufiri i fshatit, aty ku përfundojnë kompetencat dhe përgjegjësia e mikpritësit.

Pra, përcjellja është traditë e lashtë te ne. Përcillej vajza e cila shkonte nuse. Është proces i gjatë përcjellja e vajzës. Fillon shumë ditë para se ajo shkon te burri. Madje, ka rregulla se si duhet ajo të përcillet deri te Kerri i Kuq e deri te fundi i oborrit apo fshatit. Por, nusen nuk del me pritë askush në vendin ku shkon ajo. Pritja edhe këtu është private dhe fillon brenda derës së oborrit të shpisë së saj të re.

Përcjellja ishte proces publik edhe me rastin e shkuarjes në gurbet. Dilnin familja dhe tërë mahalla e fshati për ta përcjellur gurbetxhiun deri në fund të fshatit apo edhe deri në qytetin nga ku fillonte transporti për destinacionin e tij shpesh të panjohur. Kur kthehej, mezi merrej vesh. Njësoj ndodhte edhe kur përcillej djali për ushtar. Me ditë të tëra shkonin njerëzit dhe piqeshin me ushtarin e ardhshëm. Pastaj, përcillej me grupe njerëzish deri te fundi i mahallës ose fshatit dhe shpesh i shoqëruar edhe me muzikë e valle. Madje, përcjellja e ushtarit ka qenë aq e rëndësishme sa që për këtë rast ka shumë këngë siç është edhe “Vijnë vaporat bregut t‘detit”. Kur shkova unë ushtarë, më përcollën nga shtëpia (Gjilan) e deri te dera e trenit në Ferizaj. Kur u ktheva askush nuk më priti dhe, pos gruas time, askush nuk e mori vesh këtë punë.

Përcillej edhe mësiti (shkuesi) por nuk pritej. Madje, në procesin e përcjelles, te të gjitha këto raste, atij apo asaj që përcillej, i hudhej ujë pas hapave që linte. Ishte shenjë për: u kthefsh sa ma shpejt dhe faqebardhë apo i sukesshëm (por nuk do të presim siç të përcollëm).

Edhe kur vijmë në këtë botë nuk na pret askush pos nënës dhe gjinekologut ose ndonjë gruaje që më herët luante rolin e gjinekologes. Pritja e ardhjes në këtë botë është më privatja që ekziston. Por, përcjellja nga kjo botë është shumë publike. Gjithë ata njerëz (zakonisht) vijnë për të përcjellur të vdekurin për në varrin e tij.

Pritja te shqiptarët është ndodhi shumë e re. Pritja është kryekput çështje politike dhe tenton të tradicionalizohet pa kuptim. Psh, nga pritja politike në Kosovë është kthimi nga Haga i Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt por edhe kthimi i Ibrahim Rugovës nga Italia. Një pritje tjetër, përsëri tërësisht politike, është kthimi i kombëtares shqiptare nga Beogradi dhe deri diku edhe nga Armenia.

Shqiptarët kanë organizuar vetëm një pritje e cila ka hyrë në histori si e vetmja me vlerë të madhe. Ajo ka qenë pritja që iu bë Ismail Qemalit në Vlorë nëntor të vitit 1912.

Sot nuk ia vlenë ta presësh askend. Duhet të vazhdojmë më traditën dhe të përcjellim sa të mundemi e të mos presim askend. Dhe, në këtë botë është më mirë të jeni përcjellës se sa pritës. Shumë rrallë ndodhë të jeni në pozitë më të mire kur jeni i përcjellur apo i pritur.

(Majlinda duhet të vazhdoj me medalje. Do ta presim dhe përcjellim aty ku duhet: në televizor).