Për dashurinë dhe vdekjen

Nga Carlos Fuentes

“Nëse gjithë femrat që kam dashur do të përmblidheshin në një të vetme, do t’i përfshinte të gjitha ajo, do të ishte ajo, e vetmja grua që kam dashur përgjithmonë. Ato të gjitha janë yje, por Silvia është vetë galaksia. Ajo i rrok të gjitha. Ajo është bukuria, kënaqësia erotike, por edhe thjesht mrekullia për të qenë së bashku, për të ngrënë, për të fjetur dhe për t’u zgjuar së bashku, për të shëtitur dhe për të udhëtuar së bashku, për t’i pasur miqtë së bashku, për t’i ndarë të gjitha së bashku mëdyshjet, planet, të metat, gabimet, dashurinë; duam dhe atë që mund të mos na pëlqejë apo të na pezmatojë në personalitetet dhe sjelljet tona”. Në Panamanë që po zhytej drejt errësirës, Carlos Fuentes, ishte i gjithi i pushtuar nga kujtimi i Silvias. Ai u takua për herë të parë me të në vitin 1971 dhe vetëm pesë vjet më vonë do t’i propozonte të bëhej gruaja e tij. Pas një martese të dështuar, Fuentes, një nga emrat më të njohur të letërsisë meksikane do t’i besonte Silvias me një vështrim. Ai e dinte se nuk mund të shmangte dot vegime të tjera dashurie në jetën e tij, por asnjëherë s’do mund të zëvendësonte nevojën që kishte për të. “Çdo gjë që na bashkon, madje edhe ajo që mund të na ndajë, kthehet në një pikë takimi, hetimi dhe në fund bashkimi. Fizikisht jemi shumë të ndryshëm. Ajo është delikate, vajzë e çlirët, bionde dhe me ca sy sensualë që ndërrojnë nga e kaltra në të gjelbër apo në gri, sipas kohës. Pamja e saj është europiane, por cipën e ka të brymtë, me një vezullim të bukur oriental. Shija e saj për t’u veshur është e jashtëzakonshme dhe më kënaq. E dua sepse unë jam njeriu më i përpiktë mbi këtë tokë dhe ajo, me përpikëri, mbërrin gjithnjë me vonesë. Është pjesë e magjisë së saj. Të bën të presësh”, shkruan Fuentes. Por në dashurinë më të madhe, njeriu përjeton të njëjtën gjë me dhimbjen. Dhe çifti Silvia dhe Carlos do të ndanin një jetë mes dashurisë dhe dhimbjes së humbjeve të mëdha. Fuentes, miku më i afërt i nobelistit Gabriel Garsia Markes, kaloi një fëmijëri dhe adoleshencë të gëzuar. Por jeta e tij familjare qe e mbushur, njëherazi, me lumturi e dhimbje. Fuentes-i shquhej për bukurinë e tij mashkullore dhe shijen e hollë për t’u veshur, gjë që bëri të adhurohej prej femrave të kohës dhe sërës së tij. Më 1958, kur ishte 30 vjeç, Fuentes ra në dashuri me aktoren e famshme meksikane Rita Masedo (María de la Concepción Macedo Guzmán), e cila ishte tre vite më e madhe dhe që la burrin e dytë për shkrimtarin e ri simpatik. Bashkë patën një vajzë. Edhe pse Fuentes-i e donte shumë, Rita divorcohet (1969) për shkak të tradhtive të tij me të tjera femra. Rita, më 1993, kur ishte 67 vjeçe, vret veten, pasi merr vesh se ishte me kancer. Kjo e plagosi Carlos-in. Po atë vit (1969) Carlos-i martohet me aktoren amerikane Jean Seberg që ishte dhjetë vjet më e vogël. Pas një romance intensive, por të shkurtër, pas pak muajsh ata ndahen. “Ishte brilante, inteligjente, e bukur… ishte një femër mjaft vulnerable”, thotë Fuentes për të. Më 1979, kur ishte ende 41 vjeçe, edhe Jean Seberg i jep fund jetës, duke gëlltitur një mbidozë barbirutikos. Më 1971, Fuentes humbet të atin, me të cilin ishte i lidhur shumë. Por, po atë vit u njoh me gazetaren Silvia Lemus, gjë që do ta quajë ngjarje vendimtare në jetën e tij. Pas një viti u martuan. Bashkë patën dy fëmijë: Karlosin dhe Natashën. Më 1999, kur sapo kishte mbushur 25 vjeç, biri i tyre, Karlosi, që vuante prej hemofilisë qysh i vogël, vdes. Kjo do të ishte tronditja e parë e thellë për çiftin. “Europianët e shekullit XVII prisnin që vdekja t’u vinte nga Spanja, në mënyrë që të arrinte sa më vonë. Jo, mua dhe asaj na mbërriti shpejt, kur humbëm Karlosin. Të bashkuar përgjithmonë, na erdhi një vdekje që na bashkoi më shumë se kurrë. Ajo e ka pranë Karlosin çdo çast. Mua, më pak i ndjeshëm apo më burracak, më është bërë zakon ta thërras tim bir, me një forcë që vetë mua më habit, gjatë kohës kur shkruaj. Ky është momenti kur im bir vjen pranë meje, dhe ndiej se gjatë përpjekjes sime të përditshme për të shkruar, ai e përmbush qëllimin e tij të cunguar. Kësisoj, ndodh që gjithçka zgjatet dhe kthehet për t’u mishëruar në bashkimin e një çifti. Ka thënë Apolineri se ka nga ata që vdesin për të qenë të dashuruar. Në rastin tonë, biri ynë është gjallë, sepse dashuria që na bashkoi (Silvian, Karlosin dhe mua) është e gjallë në jetët tona”, shkruan Fuentes. Por fatkeqësia nuk do të mbaronte këtu. Më 24 gusht të 2005-s, në gazetat e mbrëmjes njoftojnë se diku pranë lagjes “Tepito” të kryeqytetit qe gjetur trupi i pajetë i vajzës së Carlos Fuentes. Natasha sapo kishte mbushur 30 vjeçe. Në tekstin kushtuar fëmijëve të tij, shkrimtari do të shkruajë për Natashën: “Ishte një vajzë lojcake, e gëzuar, plot imagjinatë dhe humor. Iluzioni i madh i një prindi është që bija e tij të jetë përherë një burim dashurie dhe përherë ta shikojë në sallon duke kërcyer…” Pas vdekjes së Fuentes, Silvia publikoi librin me kujtime nga jeta me të. “Një çift nuk e di se cili do ta përcjellë tjetrin apo nëse do të vdesin së bashku. Veç ai që mbetet pas, nuk do të jetë thjesht një i pikëlluar, por një përfaqësues i vdekjes. Dashuria që vazhdon edhe pas vdekjes quhet eros. Ajo vazhdon edhe pas netëve, ditëve dhe viteve me gjallje, kur nuk është më, por vetëm përmes imagjinatës erotike”. ‘Erotizëm do të thotë ta miratosh jetën deri në vdekje’, thotë Georges Bataille te romani i shkrimtares britanike Emily Bronte, ‘Maja të stuhishme’. Seksualiteti të çon drejt vdekjes, sepse të riprodhohesh do të thotë të zhdukesh. Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh jetën erotike pas zhdukjes së çiftit”, shkruante Fuentes. Dhe Silvia ndenji vetëm një vit pa të në këtë botë, për t’u nisur më pas për t’iu bashkuar diku në eter.