Për 3 muaj regjistrohen 2. 284 ndërmarrje, më së shumti merren me tregti

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e tretë të këtij viti, ku thuhet se janë regjistruar 2. 284 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka pasur një rritje prej 19% të ndërmarrjeve të reja të regjistruara por krahasuar me tremujorin paraprak të këtij viti vërehet një rënie për 8.2% të ndërmarrjeve të reja.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori, sipas ASK-së ishin tregtia, me 622 ndërmarrje të reja (27.2%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim, me 256 (11.2%); prodhimi me 239 (10.5%); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria, me 208 (9.1%); aktivitetet e shërbimeve të tjera, me 189 (8.3%); ndërtimtaria, me 160 (7.0%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, me 123 (5.4%); transporti dhe ruajtja, me 108 (4.7%); ndërsa, aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1-4 (të punësuar) përbën rreth 2 232 ndërmarrje, ose 97.7% të ndërmarrjeve të reja; te kategoria me 5-9 të punësuar janë 31 (1.4%) ndërmarrje; 10-19 të punësuar janë 16 (0.7%) ndërmarrje; 20-249 të punësuar janë 5 ndërmarrje (0.2%); ndërsa, në kategorinë tjetër (250+) nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujor.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja, në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 554 ndërmarrje të reja (shprehur në përqindje 24.3%); Ferizaj me 176 (7.7%); Prizreni me 169 (7.4%); Gjilani me 136 (6.0%); Peja me 123 (5.4%); Mitrovica me 109 (4.8%); Gjakova me 105 (4.6%); ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.