PD, Halimi: Mbështesim kërkesat e avokatëve, caktimi i pagës nga qeveria antikushtetues

Partia Demokratike e konsideron të drejtë protestën e avokatëve në gjithë Shqipërinë dhe mbështet kërkesat e tyre si të ligjshme dhe kushtetutese.

Sipas demokratëve, vendimi i qeverisë për të caktuar ajo pagën minimale për avokatët, sjell rritjen e barrës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe kjo për ta është abritrare, armiëqësore dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit.

“Rritja e detyrimit per sigurimin shoqëror e shëndetësor deri në 4 herë më shumë, do të bëjë që 60% avokatëve të paguajnë deri në 300 mijë lekë në muaj sigurime, ndërsa 40% deri në 250 mijë lekë në muaj, pavarësisht nëse kanë pasur ose jo të ardhura. Caktimi i pagës për profesionet e lira, që nuk kanë lidhje me shtetin, është e drejtë e tyre kushtetutese”, deklaron deputeti demokrat, Eduard Halimi.

Halimi shton se kjo masë tregon urrejtjen e Edi Ramës për shtresën e mesme dhe prek 23 profesione të lira, që Partia Demokratike u del në krah.

“Partia Demokratike mbështet plotësisht protestën e profesioneve të lira dhe i inkurajon avokatet, si njerëz të ligjit, që të mbrojnë të parët të drejtat kushtetutese, për vete dhe profesionet e tjera të lira në Shqipëri, inkurajon ata të shkojnë deri në mosbindje civile, përballë kësaj qeveria e kryeministri që nuk sheh dhe nuk dëgjon kërkesat dhe shqetësimet e tyre”, shprehet Halimi.