“Patriotët” e Serbisë, Vuçiqit: Je duke e pranuar Kosovën me Asociacionin Nga Redaksia – 24 Janar, 2016

I ashtuquajturi Bllok Patriotik i Kosovës, i ka dërguar një letër kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas letrës, vazhdimi i dialogut “tek populli serb dhe joserb në Kosovë po nxit frikë”. Sipas tyre, nënshkrimet e marrëveshjeve të Brukselit “po rrezikojnë interesat nacionale, shtetërore dhe të banorëve serbë që kanë mbetur në Kosovë”.

“Ju keni bërë marrëveshje që veriu i Kosovës të integrohet në sistemin juridik të shtetit të pavarur të Kosovës dhe shfuqizimin e institucioneve të Serbisë, edhe pse për detyrime të tilla nuk bëhet fjalë në Rezolutën 1244”, thuhet në letër.

Sipas këtyre “patriotëve” është i patolerueshëm “propagandimi i Asociacionit të Komunave Serbe si instrument i mbrojtjes kolektive, politike, ekonomike e kulturore të popullit serb në Kosovë, sepse nëse formohet, ky do të jetë institucion i Kosovës së pavarur pa autorizime ekzekutive”.

“Për hir të premtimit që një ditë Serbia do të hyjë në BE, me vetëdije mbyllni sytë”, vazhdon letra, duke e akuzuar Vuçiqin se po shkel rezultatetit të të ashtuquajturit referendum të serbëve të Kosovës, të vitit 2012, për mos shuarjen e institucioneve të Serbisë, dhe se ka pranuar që serbët të marrin pjesë në zgjedhje sipas ligjeve të Kosovës. Madje, ata paralajmërojnë padi ndaj Vuçiqit dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.