Pasaporta biometrike për shqiptarët në Britani 

The Albanian

Ka vetëm pak ditë që ka ardhur në krye të ambasadës shqiptare në Londër si “Chargé D’Affaires” dhe është gjendur pranë halleve të mërgimtarëve të këtushëm.

Kur akoma nuk e ka marrë firmën e presidentit Topi për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë , z.Mal Berisha, ka ndërmarrë iniciativën e madhe për pajisjen me pasaporta biometrike të të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë në Britani. Me një projekt pilot Z.Berisha kërkon që të bindë zyrtarët në Tiranë se numri i shqiptarëve që jetojnë në Britani dhe që kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike është vërtet i madh dhe se duhet domosdoshmërisht hapja e një zyre edhe këtu në Londër për hapjen zyrës për pajisje me pasaporta biometrike.

Për këtë ambasada në Londër ka lëshuar një njoftim, ku u kërkon ndihmën e të gjithë mërgimtarëve që dëshirojnë të pajisen me pasaporta biometrike, që thjesht të dërgojnë një email në adresën e hapur për këtë qëllim.

Ky është lajmi më i gëzueshëm për shqiptarët e këtushëm, nëse do të kihet parasysh shpenzimet e mëdha që duhet të bëjë një shqiptar për t’u pajisur me pasaportë biometrike në Shqipëri, bileta vajtje-ardhje, shpenzimet e qëndrimit, koha e pritjes etj etj.

Duket se kjo maratonë  do të marrë fund nëpërmjet këtij projekti, ku besohet se studimi i fizibilitetit ekonomik do të rezultojë pozitiv.

Për të gjithë shqiptarët e Britanisë kërkohet që vetëm të dërgojnë një email me kërkesën e tyre në

albpassport@gmail.com

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e ambasadës shqiptare në Londër

 NJOFTIM

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër njofton të gjithë bashkëatdhetarët shqipëtar me banim në Britaninë e Madhe dhe në Republikën e Irlandës, të cilët i plotësojnë kushtet për tu pajisur me Pashaporta  Biometrike të Shtetit Shqiptar që të paraqesin kërkesën e tyre via – on – line në adresën elektronike të  mëposhtme:

albpassport@gmail.com

Ky do të jetë një test numerik. Si i tillë nuk kërkon dhënien e identitetit. Varësisht nga ky numër do vendoset Hapja e Zyrës së Lëshimit të Pashaportave nga Qeveria Shqiptare dhe Kompania Aleat. Kjo do të vlejë edhe për studimin e fizibilitetit ekonomik.

Afati i aplikimit on-line fillon me datën 8 Mars 2012 dhe zgjat deri me datën 8 Prill.

Inkurajojmë tërë aplikuesit të njoftojnë miqtë e tyre nëpër rrjetet sociale Facebook, Tëiter dhe në ato të komunikimit të përditshëm elektronik që të njoftojnë nëse dëshirojnë një gjë të tillë.  

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe inkurajon çdo shtetas shqiptar që dëshiron të pajiset me Pasaportë Biometrike Shqiptare ta bëjë këtë brenda këtij afati.

Ambasada Shqiptare Londër

Postime te ngjashme