Papa përdor Twitter por këshilltarëve të tij u ka mbetur ora në Perandorinë Osmane

Dr Gëzim Alpion

Vizita e Papës në Shqipëri është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë ne shqiptarët dhe duhet mirëpritur.
Është për të ardhur keq që Vatikani, që në fillim, e interpretoi dhe vazhdon ta komentoj këtë si një vizitë në vendin gjoja më musliman të Evropës.
Ky Papë është i kohës dhe përdor Twitter por këshilltarëve të tij, siç duket, u ka mbetur ora në Perandorinë Osmane.
Shqipëria nuk ështe zyrtarisht as shtet musliman as shtet kristian por vend laik ku të gjithë kanë të drejtë të praktikojnë fenë e tyre.
Nuk e kuptoj se si askush nga politika, diplomacia dhe mediat shqiptare nuk bëjnë një tentativë të sqarojnë Vatikanin se Papa po vjen në një vend ku fryma e Krishtit arriti para se të ndalej në Romë, dhe se disa paraardhës të tij janë me origjinë shqiptare. Për të mos përmendur se çfarë bëri Skënderbeu për të mbrojtur Krishterimin.
Çuditërisht, Vatikani nuk thotë asgjë në prononcimet për mediat në lidhje me vizitën e Papës se Kreu i Kishës, që ndiqet nga më se 1 bilionë besimtarë, më 21 në shtator do të jetë pranë bashkëatdhetarëve të Nënë Terezës e cila, në sajë të kontributit të saj në shërbim të Vatikanit dhe të të varfërve, pavarësisht besimeve të tyre, njihet dhe respektohet në botë ndoshta më shumë se çdo papë tjetër.
Ndoshta prandaj është mirë të përkrahim fushatën për përshpejtimin e shenjtërimit të Nënë Terezës:

http://www.change.org/en-GB/petitions/the-vatican-canonize-mother-teresa-2