Opozita paralajmëron protesta për “Trepçën”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar për më shumë se gjashtë orë në seancë plenare të së premtes për pikën 11.3 tëProjektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.

Opozita ka kërkuar që të hiqet tërësisht kjo pikë. Rreth çështjes së “Trepçës” janë paralajmëruar edhe protesta.

Kjo pikë e projektligjit parasheh që komunat të kenë rol vendimmarrës për ndërmarrjet publike. Megjithatë, ajo është kontestuar si nga opozita, ashtu edhe nga pozita, dhe është kërkuar që të modifikohet ose të hiqet tërësisht në lexim të dytë, shkruan sot Koha Ditore.

Partitë opozitare kanë shprehur bindjen se kjo pikë është krijuar nga Qeveria e Kosovës për komunat e Veriut, të cilat përmes saj do të pyeteshin në të ardhmen për “Trepçën”. Madje ato kanë akuzuar se kjo është një marrëveshje në mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij serb, Aleksandër Vuçiç, për shitjen e “Trepçës”.

Me gjithë kundërshtimet, Projektligji është miratuar në parim, me 48 vota për dhe 22 vota kundër.