1. Kongresi i socialistëve u mbajt të shtunën e kaluar. Ndryshe nga para a pas vlerësimet e kundërshtarëve në qeverisje, Kongresi shënon një tjetër hap drejt normalizimit politik të opozitës. Bashkë me të, edhe të politikës shqiptare. Fjalim i gjatë e gjithëpërfshirës i kryetarit Rama. Ambasadorët në lozhë. Përshëndetje personalitetesh të Europës së majtë në ekran. Himni i Europës së Bashkuar si kolonë zanore. Shumë më mirë se demonstratat në sheshe, me a pa dhunë apo hapje-mbylljet e fushatave me ritëm luftarak.
2. Opozita socialiste shpalosi programin. Disa e kuptojnë si program politik. Disa si manifest. Disa si program elektoral. Disa si program qeverisës. Disa një përzierje e të tërave. Disa si asnjëra nga këto. Shumica brenda socialisteve e mbështetën. Kur i lexuan 90 faqe?! E mbështetën pa e lexuar atëherë! I mjafton leximi i kryetarit. Disa e kritikuan me dashamirësi. Disa e kritikuan ca më rëndë. Disa shmangen kritikën e fortë që bluanin në mendje.
3. Ish-Presidenti Meidani provoi, me matematikë e logjikë, se krijimi i 300 mijë vendeve të punës në katër vitet e para qeverisëse është i pamundur. Meidani nuk e përdori vetë termin “mashtrim”. Shprehu shijen e hidhur që i kish lënë premtimi i pamundur. Termin “mashtrim” e përdori media, pasi lexoi vërtetimin bindës. Kryetari Rama dhe dy të tjerë nuk mëtuan. Anatemuan Meidanin dhe të tjerët si ai që “rrikërkan në prehrin e Saliut”. Kaq. Shumë më mirë se përjashtimi i këtyre siç përflitej. Delegatët zgjodhën strukturat. Sipas midesë së kryetarit. Nxitësit e kthesës, edhe kur ajo po ndodh, as të dëshirueshëm për shumicën, as të ndëshkuar prej saj.
4. Programi, na pëlqen a jo, nuk është marksist siç u tha nga kundërshtarët. Nëse Marksi ka sugjeruar taksa progresive, ky s`ka qenë as i pari dhe as i vetmi. Taksat progresive janë një model fiskal gjerësisht i përhapur në vendet e zhvilluara a në zhvillim e që qeverisen nga të majtë apo të djathtë. Pasojë e kombinuar e historisë, ideologjisë dhe nevojës së shtetit për para. Socialistët, më në fund, u shprehën për sistemin fiskal që synojnë. Tipikë të majtë. Më shumë se kaq. Të majtë klasikë. Shumë më mirë kështu, sesa si në zgjedhjet 2009 kur nuk u shprehën asfare.
5. Programi nuk shtjellon se si do jetë taksa progresive. Herët a vonë do ta bëjnë vetë ose do detyrohen ta bëjnë se do pyeten vazhdimisht. Është a s`është sistemi që i duhet Shqipërisë, aq më shumë në këto kohë krizash, do kemi boll kohë të merremi. Por, që taksa e sheshtë të ketë sjellë polarizimin, varfërimin a ndarjen e shqiptarëve apo rrënimin ekonomik të vendit, siç pretendon kryetari Rama, edhe kjo s`ka vend ku mund të rrijë. Do diskutojmë boll edhe për këtë. Së shpejti.
6. Programi propozon përdorimin e disa shkallëve për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH). Heqjen për disa produkte bazë, si: qumësht, vezë, bukë, ilaçe apo inpute bujqësore. Përgjysmim e më shumë për disa produkte të tjera. As ky propozim nuk është marksist, por veçse një propozim tipik e klasik i majtë. Edhe TVSH me dy a tri shkallë gjen në shumë vende të botës së zhvilluar apo në zhvillim e që qeverisen nga të majtë a të djathtë. Edhe kjo është pasojë e kombinuar e historisë, ideologjisë dhe nevojës së shtetit për para.
7. Lidhur me TVSH-në, programi socialist është, të paktën, i qartë në propozim. Për këtë mund të diskutojmë që tani. Diskutimi ka nisur e do vazhdojë. Por një gjë dihet edhe nga studentet mesatarë të ekonomisë. Ulja e TVSH-së për disa produkte me qëllimin e mirë të lehtësimit të barrës së jetesës së shtresave në nevojë, çon në vështirësimin e jetës së këtyre shtresave dhe përfitimin, si për çudi, të të pasurve nga kjo ulje. Efekt kontrovers social i mirënjohur. Amortizimi i tij kërkon manovra të tjera shtesë me rezultat të dyshimtë. Rrezik për financat publike. Aq më shumë në këto kohë të turbullta. Do kemi mundësi të flasim edhe për këtë. S`ka urgjencë.
8. Programi ripërsërit idenë e shërbimit shëndetësor universal kundër sistemit të sigurimeve shëndetësore. Të dyja modelet debatohen sot në çdo vend të botës. Këtu s`ka asnjë çudi. Por propozimi socialist është shumë i paqartë për momentin. Me aq sa thuhet, duket sikur shpresohet që sistemi shëndetësor buxhetor të funksionojë, si për ndonjë mrekulli, ndryshe nga ç`ka keqfunksionuar deri këto kohë, ndërsa sapo kemi filluar të hedhim hapat e parë drejt sistemit shëndetësor, bazuar në sigurimet shëndetësore. Pozicion ekstrem socialist. Pasiguri për të ardhmen. Këtu kërkohet detyrimisht konsensus i gjerë për kombinimin e duhur të mekanizmit të tregut me përkrahjen sociale. S`kemi luksin të bëjmë hapa të mëdhenj para-prapa.
9. Konsensusi i gjerë politik kërkohet edhe për reformën e pensioneve, arsimit, përkrahjes sociale. Programi socialist është i cekët në të gjitha këto drejtime. Por, të paktën, nuk të jep përshtypjen e ndonjë pozicioni ekstremal me modelet e ndërtuara deri tanimë apo me projeksionet për të ardhmen. Vëmendja e treguar ndaj (ish)pronareve apo të (ish)përndjekurve politikë plotëson një vakum a hezitim historik të socialisteve. Politika e jashtme, për herë të parë lëvruar nga kryetari Rama, nuk tingëlloi keq. Europën ta sjellim këtu. Besnikëri ndaj Amerikës: këtu, atje, kudo e kurdo. Mirënjohje ndaj Italisë, pavarësisht veseve berluskoniane dhe plehrave të frikshme napolitane. Mirënjohje, tashmë si të barabartë, edhe ndaj Greqisë poturevarur.
10. Për të mos e zgjatur. Kongresi, pavarësisht tezave radikale a propagandës me shifra të deformuara e keqlexuara mbi gjendjen e vendit dhe fajet e qeverisë, ishte një normalitet shqiptar. Situata nxihet në të zezë të thellë. Kështu dalin në pah ngjyrat e kopertinës së kapakut të programit. Shqipëria shihet e rrënuar në gjithçka e me gjithsej. Kështu justifikohet nevoja e rimëkëmbjes së vendit përmes tezave radikale të programit. Kërkohen votat e 95 për qind të shqiptarëve përmes ca mesazheve të shpresës, ca ideve të arsyeshme, ca shtrembërimeve mbi faktet e ca mashtrimeve me premtime të bukura e të paarritshme. Asgjë e paparë deri më sot.
11. Gjithçka në funksion të herës së tretë. Një herë humbi se Saliu ia vodhi natën. Ai flinte. Herën tjetër, pasi i ruajti mirë natën, Saliu, dinak e i dhunshëm, ia vodhi ditën. Ai ishte i lodhur ditën, ngaqë ndenji pa gjumë natën. Herën e tretë do ruajë edhe natën, edhe ditën. Do ngrejë policinë e Tij elektorale. E freskët. Ushtarët e Saliut të lodhur. Ndaj s`ka për të pasur herë të tretë. E treta, e vërteta. Por, edhe në vjedhtë, siç e ka zakon, orteku i votave, në tejkalim të vjedhjes, do vijë nga 95-përqindëshi. Ndaj duhet nxitur shumica në instinktet bazike të urrejtjes ndaj 5-përqindëshit të pasur. Por, ju të pasurit, gjithsesi, mos kini gajle se ju merr Ai në mbrojtje. Lojë. Këtu fillon e mbaron problemi i Tij. Ka shpresë tek hera e tretë. Ka frikë nga hera e tretë. Ena! Dhio! Tria! Hidhu! Këtu! Nga përtej!
12. Ndaj, Kongresi nuk pati vëmendje të përqendruar në çështjen e ditës. Vendnumërosë në integrimin europian. As fare-fare në harresë nuk e la. Kryetari Rama diçka tha në fjalimin e gjatë e temëshumë. Diçka si: “Politika duhet t`i dalë zot vendit dhe t`i lërë mënjanë sherret e llastimet e saj mediokre…… duke vendosur veten tonë në dispozicion të plotë të shpresave e të halleve të atdheut… duke i lënë mënjanë të gjitha grindjet e sherret për hesape mirëfilli politike…. Stuhia që po afron, nuk do të na gjejë jashtë mureve të Europës”. Djali tekanjoz, të cilit një ditë i ra një fuqi e madhe, lodër në duart e tij deri sot, duket se po shtrohet. Po rritet. Premtoi. Në fjalimin e tij, të shtunën e kaluar, në Kongres, tha se: “Të hënën do të bëjmë një propozim të ri në kuadrin e planit tonë për përshpejtimin e integrimit”. Seç kam një ndjesi për mirë. Po pres sot, e hënë, 7 nëntor 2011, me TV ndezur. Për sihariqin.

















