Operohet Felipe Moreira, në prill kthehet te Kukësi

Një muaj pas dëmtimit në ligamentin e gjurit të djathtë, Felipe Moreira i është nënshtruar me sukses operacionit. Nga Brazili i largët, sulmuesi njoftoi drejtuesit e nënkampionëve të Shqipërisë se ndërhyrja kirurgjikale shkoi mjaft mirë dhe tashmë nisë periudha e rehabilitimit.

Për rikuperimin e plot nga dëmtimi dhe operacioni në menisk nevojiten nga katër deri në gjashtë muaj, duke mos llogaritur edhe periudhën e nevojshme që lojtarit i nevojitet të rikthehet në gjendjen optimale fizike.

Por, edhe pse sezoni i sulmuesit 27-vjeçar është mbullur përpara kohe, te Kukësi e presin. Përpara operacionit presidenti Gjici i dha lojtarit një këst të kontratës, ndërsa në biletën vajtje-ardhje parashikohet që Felipe Moreira të kthehet më 1 prill.

27-vjeçari e nisi aventurën si titullar i padiskutueshëm, por me sezonin që u mbyll përpara kohe regjistroi vetëm 7 ndeshje në Kategorinë Superiore, ku ka shënuar edhe një gol.

Felipe Moreira ka luajtur edhe 6 ndeshje në turet eliminatorë të Europa League, duke realizuar dy gola, përballë Mladost dhe në sfidën e ndërprerë ndaj Legias së Varshavës.

Ndërkohë, nga vendlindja, për gazetën e mirënjohur “Globoesporte”, lojtari rrëfeu aventurën shqiptare, si edhe dëshirën që të rinovojë kontratën me Kukësin, e cila përfundon në Qershor 2016.

Përsa i takon ndeshjes së radhës me Tërbunin, dyshja Hasan Lika dhe Klodian Duro nuk do të kenë në dispozicion mbrojtësin Renato Malota dhe mesfushorin Besar Musolli, të dy të pezulluar me kartonë, ndërsa në skuadër rikthehet i gatshëm Gledi Mici.

00:00
01:28