Nuk është dhuna që i ka bërë shqiptarët myslimanë

Mustafa NANO

Teza, sipas së cilës ky konvertim është bërë me dhunë, ka rënë prej kohësh, s’ka gjë se në periudha të caktuara, para e pas arritjes së pavarësisë, është mbrojtur me këmbëngulje nga pothuaj të gjitha historiografitë kombëtare të vendeve që kanë qenë të sunduara nga turqit. Bullgarët, fjala vjen, si provë të islamizimit të dhunshëm në Rodopet Qendrore e Perëndimore kanë dhënë tri shënime të lëna nga dëshmitarë okularë që kanë qenë të pranishëm gjatë një fushate ushtarake në vitet 1660. Por nuk ekziston origjinali i asnjërës prej këtyre dëshmive, dhe Ali Eminovi është i sigurt se ato janë shpikur nga nacionalistët bullgarë në fund të shekullit XIX, në mënyrë që – po e perifrazoj idenë e tij -t’i nxirrnin bullgarët në një dritë heroike e t’ua bënin më të lehtë luftën me ndërgjegjen e tyre prej renegati.

Historiografia shqiptare nuk dihet të jetë mbështetur në falsifikime të tilla, por deri vonë, sidomos në tekstet shkollore, i është mëshuar tezës se pushtuesi turk ka qenë mizor dhe se rezistenca e shqiptarëve nuk ka reshtur në asnjë rast dhe me këtë është lënë të nënkuptohet një konvertim në Islam në rrethana shtypjeje e presioni të dhunshëm. Në të vërtetë, rezistenca antiosmane e shqiptarëve është një sendërgjí e natyrës patriotike. Është një gjë që nuk është e dokumentuar. Madje, çfarë është dokumentuar është bash e kundërta, d.m.th. një mirëkuptim, e shpesh një njëjtësim, i plotë i shqiptarëve me osmanët. Historianët tanë kanë folur e flasin për kryengritje të armatosura antiosmane, për akte të qëndresës ndaj Stambollit etj., etj., dhe anashkalojnë ngjarje të tjera ku e ku më të rëndësishme që kanë treguar se shqiptarët kanë qenë të shkrirë brenda perandorisë. Është e çuditshme, fjala vjen, që në tekstet tona të historisë, si në ato që u jepen në duar nxënësve të shkollave, ashtu edhe në ato me natyrë studimore e akademike, nuk përmendet beteja e Jaffa-s (Joppa), qytetit që i përket Izraelit në ditët tona, por që në fund të shekullit XVIII, kur Napoleon Bonaparti urdhëroi një nga gjakderdhjet më absurde në historinë moderne, ishte pjesë e Sirisë osmane. Ish koha kur korsikani nuk ishte bërë ende sundimtar a perandor i Francës, por ai ish bërë i famshëm, ndërkohë, ngaqë kish udhëhequr ushtrinë franceze në pushtimin e Italisë së Veriut dhe kish drejtuar ekspeditën egjiptiane (pjesë e kësaj të fundit ish dhe një ushtri dijetarësh e studiuesish, të cilët nja dhjetë vjet më pas do të publikonin një libër me zbulimet që kishin bërë, e me këtë do të përuronin një fushë të re studimi me emrin ‘egjiptologji’ ose, në stilin edwardsaid-ian, ‘orientalizëm’). Në një moment të caktuar të kësaj ekspedite, nën frikën e një kundërsulmi otoman, ai bëri të pushtonte Jaffa-n strategjike që mbrohej nga një garnizon prej 5 mijë vetash. Mes trupave mbrojtëse kish magrebinë, sudanezë e mamlukë të Egjiptit, por të shumtët ishin shqiptarë.

Kronikat e historisë kanë folur qysh në krye të herës për një qëndresë të fortë në mbrojtje të këtij qyteti. Trupat franceze, të tërbuara prej rezistencës së bërë, por edhe prej gjesteve të sfidës nga ana e osmanëve, d.m.th. shqiptarëve (këta të fundit, dy të dërguarve të Bonapartit që kishin shkuar për t’u kërkuar të dorëzoheshin me të mira, u prenë kryet e ua mbajtën në majë shtizash; ndërsa trupat ua varën në muret e kështjellës), me ta pushtuar, u lëshuan pa mëshirë mbi tetë mijë banorët e qytetit. Ajo që ndodhi atë ditë ishte një orgji e paparë gjaku, krimi, përdhunimesh, plaçkitjesh. Ushtarët francezë nuk ndaleshin as përpara urdhrave për vetëpërmbajtje të oficerëve të tyre. Madje, u kanoseshin këtyre të fundit. Ishte 7 marsi i vitit 1799.

Mbi dy mijë luftëtarë osmanë që ishin tërhequr brenda kështjellës dhanë shenja se donin të dorëzoheshin në këto rrethana. Dhe u dorëzuan. Prisnin që të trajtoheshin si robër lufte, por -këtë shpjegim jep një dëshmitar okular, Louis Antoine Fauvelet de Bourrienne, sekretari privat i Bonapartit, në librin e tij “Memoirs of Napoleon Bonaparte” – ngaqë nuk kishin se ku t’i çonin apo me se t’i mbanin, i vinin përpara togash pushkatimi. Një pjesë i çanë me thika e bajoneta. Kufomat buzë detit u bënë pirgje-pirgje. “Kjo skenë e tmerrshme ma ngjeth mishin edhe tani; do të doja ta kisha harruar, por ja tek e gjej veten duke e përshkruar”, thotë Bourrienne në librin e tij. Dhe nuk është vetëm ky që dëshmon lidhur me këtë masakër. Ka dhe shumë të tjerë. Dhe askush nuk harron të bëjë nënvizimin se robërit e masakruar të luftës ishin shqiptarë. Ndërsa historianët tanë, të paktën në dijeninë time, nuk e kanë përmendur kurrë. Në fund të librit “Historia e popullit shqiptar”, në faqet 737-757, jepet sipas rendit kronologjik një listë e të gjitha ngjarjeve, dhe viti 1799 është veçuar, për faktin që “Ali Pashë Tepelena nënshtroi Mustafa pashë Delvinën” dhe për faktin tjetër që, “Ibrahim pashë Bushatlliu mori gradën e Vezirit”. Për autorët e këtij publikimi nuk ka asnjë ngjarje tjetër që të lidhet me vitin 1799. Ploja e kryer mbi dy mijë shqiptarë nuk u është dukur një ngjarje që mund të merrej në konsideratë. Është një gjë e pabesueshme apo jo? Por e ka një logjikë. Autorët e studiuesit tanë nuk kanë dashur që të dalë në dritë osmanizimi fatal i shqiptarëve.

Do të ishte krejt e gabuar, megjithatë, që të nisur nga ngjarja e Jaffa-s apo edhe nga ngjarje të tjera që e dëshmojnë po njësoj këtë “osmanizim fatal” të shqiptarëve apo edhe nga nënvizimi se konvertimi i shqiptarëve në fenë islame nuk është bërë me dhunë apo edhe nga “vrima e zezë” arnold-iane e shekujve XV-XVIII të historisë së Shqipërisë, të arrinim në përfundimin se ky konvertim është bërë nga qejfi, a mes haresë. Jo, kjo gjë as që mund të mendohet. Konvertimet në të shumtën e rasteve kanë qenë nga halli e jo nga qejfi. Nga ana tjetër, raste të apostazisë, për shkak të dhunës, nuk është se kanë munguar. Fjala vjen, albanologu austriak, Johann Georg von Hahn, tregon për banorët e Gjilanit që guxuan, me gjasë të inkurajuar nga reformat e Tanzimatit, të rikthehen në fenë katolike, e për këtë u torturuan dhe u syrgjynosën në Azi; veç pas protestës së diplomacive të huaja, qeveria turke u detyrua t’i kthejë sërish në vendin e tyre, në Gjilan pra, mirëpo u kthyen të dhjetuar; shumë syresh kishin vdekur rrugës nga torturat e nga klima e keqe në Azi. Ka pasur edhe raste të tjera të tilla, por, prapëseprapë, konvertimet e dhunshme apo reagimet e dhunshme ndaj atyre që donin të ribëheshin të krishterë, kanë qenë të rralla. Osmanët, si rregull, kanë qenë tolerantë ndaj feve të tjera, edhe pse perandoria që ata ngritën ishte në thelb teokratike. Mehmet Maksudoglu, osmanolog dhe osmanoman, çdo pushtim të kryer në periudhat e zgjerimit e të konsolidimit të perandorisë e quan, ngaqë kështu shihej, “hapje ndaj Islamit”. Ndërsa Tursun Beu, çdo vend të pushtuar e quante truall të Islamit.

Ky i fundit flet në dëshmitë që ka lënë – dhe siç është e kuptueshme, e bën me krenari – për mizoritë e turqve ndaj popujve të mundur e të nënshtruar, por në kronikat e tij, ku thuhej se bënte aq vapë në Vllahi, sa “mbi parzmoret e çelikta të veshura prej gazinjve mund të piqje mishin”, apo se “[anijet që u ndërtuan nga osmanët me synimin për të pushtuar ishullin e Lesbos] dukeshin si male që ngriheshin prej detit e preknin retë”, apo se “[bëmat e Sulltan Mehmetit janë aq të shumta e të mëdha sa], nëse do të tregoheshin me hollësi, edhe sikur deti të bëhej bojë shkrimi, boja prapëseprapë nuk do të mjaftonte”, në kronikat e tij pra nuk di ç’të besosh. Kështu që edhe përshkrimi i mizorive nga ana e tij, sidomos kur flet për lumenj gjaku, duhet marrë me rezerva.

Bernard Lewis, që për Edward Said-in ishte një orientalist plot paragjykime mbi botën arabe e islame, nuk ka ndërdyshje kur shkruan (në ‘Ku është gabuar?’) se “në Evropën e krishterë [të shekujve XV e XVI] s’gjeje dot diçka të krahasueshme me tolerancën që praktikonin myslimanët [e Perandorisë Osmane]; secila nga bashkësitë fetare – miletet, nëse përdorim terminologjinë osmane – gëzonte të drejtën që të ushtronte besimin e vet; dhe akoma më e veçantë ishte e drejta që bashkësitë kishin për të pasur institucionet e tyre përfaqësuese, të drejtuara nga udhëheqësit e tyre fetarë, të cilët organizonin shkollimin dhe jetën e tyre shoqërore, sipas traditave, duke zbatuar ligjet e tyre, me kushtin që ato të mos binin në kundërshtim me ligjet bazë të perandorisë”.

Kjo tolerancë ndaj feve të tjera, pas pushtimesh, është verifikuar qysh në periudhat e hershme të historisë së Islamit, madje qysh në kohët kur Muhameti ish gjallë e kur ai, tok me ndjekësit e vet nga Medina, luftonin për të marrë Mekën e për të mposhtur meka-nët. Në një moment, këta të fundit u dorëzuan, e në kundërshtim me çfarë pritej pas kësaj, Muhameti shpalli një amnisti të përgjithshme e i deklaroi të lirë të gjithë banorët e Mekës (sipas ligjit të atëhershëm, ata, si të mundur, do të duhej të shndërroheshin në skllevër). “Vetëm gjashtë burra e katër gra u dënuan me vdekje për krime të ndryshme, dhe askush nuk u shtrëngua të konvertohej, ndonëse secilit iu kërkua një betim besnikërie, sipas të cilit nuk do të ngrihej më kundër Profetit”, shkruan studiuesi i feve, Reza Aslan, në librin e vet “No god but God” (S’ka zot, veç Zot). Kurani ende nuk ishte shkruar, por ndërkohë ish gjallë Muhameti, që e dinte më mirë sesa ata që do ta shkruanin më vonë porosinë e Zotit – përkthimi është i autorit M. N.; dhe është krejt i çlirët – “për të luftuar deri sa paganët e politeistët të mos kenë më ndikim e derisa ligji i Zotit të triumfojë; [dhe] nëse armiqtë dorëzohen, atëherë ata nuk duhet të trajtohen me ashpërsi” (2:193).

Në librin e tij, Reza Aslan rrëfen dhe një ngjarje interesante. Kur Meka ra në duart e njerëzve të Muhametit, ky i fundit u drejtua për nga Qabeja. Me ndihmën e kushëririt e dhëndrit të vet, Aliut, ai hoqi perden e rëndë nga dera e hijerores kubike, që më pas do të bëhej vendi më i shenjtë për të gjithë myslimanët, dhe hyri brenda ku, në prani të turmës, i merrte një e nga një imazhet e idhujve që ishin vendosur aty, i ngrinte lart, e pastaj i përplaste në tokë, duke i bërë një mijë copa. Piktura të ndryshme të zotave dhe të profetëve merreshin dhe laheshin, më saktë shpëlaheshin, me ujë që e merrnin nga një pus atypari, pusi ‘Zamzam’. Dhe Reza Aslan shkruan: “Por ish një pikturë që nuk u prek. Ishte ajo e Jezusit me të ëmën, Marinë. U pa Muhameti që me respekt e drojë (reverently) vuri dorën mbi imazhin e tyre, dhe tha: ‘Këtë pikturë mos ma prekni!’”.

Dhe nuk janë vetëm burimet arabe apo islame që e thonë një gjë të tillë (Një saktësim: Reza Aslan është një studiues amerikan me origjinë iraniane). Edward N. Luttwak, që nuk besohet të ketë ndonjë simpati për Islamin, e shpjegon përparimin arab në shekullin VII me taksat e ulëta që ata u impononin popullsive të nënshtruara (popullsitë jomyslimane, ashtu siç ndodhte më vonë edhe nën sundimin osman, diskriminoheshin në raport me ato myslimane, por taksat e reja ishin hiç gjë, sidoqoftë, krahasuar me taksat që paguanin nën Bizantin e nën sasanidët e Persisë), dhe me tolerancën ndaj besimtarëve të feve të tjera. Me paganët që nuk binin dakord të konvertoheshin në Islam nuk ishin të mëshirshëm, por “popujve të skripturave” (Peoples of the Book), d.m.th. të krishterëve dhe hebrenjve, iu garantua e drejta dhe liria e besimit të tyre. Diskriminimi pozitiv që u bëhej “popujve të skripturave” e ka burimin te fakti që në Kuran përmenden disa herë, dhe në mënyrë mirëkuptuese, siç ndodh, fjala vjen, tek ajeti kuranik i kapitullit ‘Ala-Baqarah’, që thotë se “myslimanët dhe ata që praktikojnë Judaizmin dhe të krishterët dhe sabianët, ata që besojnë në Zot dhe në Ditën e Fundit dhe sillen ashtu si duhet, do të shpërblehen prej Zotit; ata nuk ka pse të kenë frikë e nuk ka pse të jenë të pikëlluar (përkthimi është gjithnjë i autorit M. N.).

Ndërsa Hugh Kennedy, në librin e tij “The Great Arab Conquests: How the Spread of Islam Changed the World We Live In” (Pushtimet e mëdha arabe: Si e ndryshoi përhapja e Islamit botën në të cilën ne jetojmë), e ilustron këtë tolerancë me atë që ndodhi pas pushtimit të Jerusalemit prej kalifit Omar. Me të marrë vesh se patriarku i kishës së krishterë, Sofroni, nuk donte të dorëzohej e as ta dorëzonte qytetin e shenjtë nëse Omari nuk shkonte vetë që ta merrte në dorëzim qytetin, kalifi, i shoqëruar veç nga një sejmen dhe hipur mbi një gomar, u dha në hyrje të Jerusalemit, ku e priti vetë Sofroni. Nuk pranoi të futej në kishë e të lutej, sipas dëshirës së këtij të fundit; përkundrazi, u lut jashtë, dhe në po atë vend ku ai u lut, është ngritur më vonë xhamia e kalifit Omar. Por pakti i pas pushtimit, i nënshkruar mes tij e patriarkut Sofron, është një dëshmi e qartë e qasjes tolerante të arabëve. Omari i jep garancitë në këtë pakt, siç është e udhës në çdo marrëveshje mes të paktën dy palësh, duke iu referuar vetes në vetë të tretë: “Shërbëtori i Perëndisë, Omari … i garanton banorët e Jerusalemit se do t’u mbrohet prona, kisha, kryqet … ritualet e fesë së tyre; kishat e tyre nuk do të zaptohen prej myslimanëve e nuk do të shkatërrohen”.

Maria Rosa Menocal, profesoreshë në Yale, ka shkruar një libër, “The Ornament of the World: How Muslims, Jews and Christians Created a Culture of Tolerance in Medieval Spain” (Ornamenti i botës: Si myslimanët, hebrenjtë dhe kristianët krijuan një kulturë tolerance në Spanjën e Mesjetës), në të cilin – duket qysh në titullin kilometrik – mbron tezën se periudha e sundimit arab në Spanjë, sidomos deri në shekullin XI, është karakterizuar qartazi nga toleranca fetare, e ku thekson se kjo gjë ishte aq e vërtetë, sa hebrenjtë e shihnin Andaluzinë si një parajsë në krahasim me Europën e krishterë, e prandaj e linin këtë të fundit dhe shkonin në Spanjën e sunduar prej myslimanëve pra, ku kishin mundësi të bënin tregti e të praktikonin të pashqetësuar fenë e tyre. Menocal-i arrin deri atje sa ta quajë Al-Andalus-inë si një “botë plot dritë për hebrenjtë”, por ky nënvizim është ca i fortë, dhe ka shkaktuar parehatí akademike edhe tek ata që ia njohin tolerancën si tipar sundimit mysliman në Spanjë. Bernard Lewis, të cilin pak më sipër e citova të ketë veçuar tolerancën osmane në kontekstin europian të shekujve XV e XVI, ka pranuar po njësoj që sundimtarët islamikë në Spanjë kanë demonstruar respekt për besimtarët e feve të tjera monoteiste, por në të njëjtën kohë nuk ka harruar të theksojë se ky respekt u bëhej atyre që në thelb nuk ishin gjë tjetër – kuptohet, për shkak të këtyre sundimtarëve – veçse qytetarë të dorës së dytë.

Ekuacioni i konvertimit ka shumë pak të panjohura

Edhe sikur të ish e vërtetë se osmanët kanë praktikuar konvertime nëpërmjet dhunës, ky fakt nuk do të mund të na shpjegonte pse islamizimi masiv i shqiptarëve nuk është verifikuar edhe në vende të tjera të Rumelisë, përjashtuar Bosnjën. Në të njëjtën mënyrë mund të shihen edhe faktorë të tjerë që, në një masë a në një tjetër, kanë luajtur rol në procesin e islamizimit të shqiptarëve, e që po njësoj nuk i japin përgjigje pyetjes se “pse kombe të tjera nuk kaluan në fenë e pushtuesit në atë masë që kaluan shqiptarët”. Studiuesit përmendin, duke vënë në këtë pikë një theks të veçantë, praktikën osmane të devshirme-së, d.m.th. rekrutimin e fëmijëve jomyslimanë në Ballkan, të cilët shkëputeshin dhunshëm qysh në moshë të njomë prej familjeve të tyre, që fillimisht i përkisnin rëndom fisnikërisë lokale, dhe e gjitha kjo bëhej me qëllim që princërit e vendeve të pushtuara të mos ngurronin t’u përgjigjeshin nevojave të Portës për ushtarë, për pará (në formë taksash), e të mos e çonin në mendje idenë për të ngritur krye. Kjo praktikë rekrutimesh fëmijësh bëhej një herë në disa vjet, dhe fëmijët vetë, të quajtur içoglanë, derisa rriteshin, i nënshtroheshin një edukimi të rreptë me normat e moralit osman e islamik, në fund të të cilit ata ishin tërësisht të osmanizuar e të myslimanizuar, të gatshëm për t’i shërbyer perandorisë në poste të larta e në detyra të vështira e të rëndësishme ushtarake, administrative, e të oborrit të Sulltanit, gjë që u jepte familjeve në vendin e origjinës një motiv për ta ndier Perandorinë Osmane të afërt e të tyren. Francezi Voltaire i ka përmendur dhe në “Kandidin” e vet içoglanët, por duhet t’i ketë përfytyruar thjesht si ushtarë, ngaqë një prej personazheve të librit të tij, një baron fatzí nga Westphalia, teksa i tregon Kandidit, në hyrje të kapitullit XXVIII, peripecitë e jetës së vet, lë të kuptohet se ish tërhequr shumë pas formave fizike të një içoglani që ai e kish hasur në një rast në Stamboll; madje, kish ngrënëdhe njëqind fshikuj në shputat e këmbëve, ngaqë kadiu, mbi bazën e ligjeve të vendit të vet, e kish vlerësuar si vepër penale faktin që ai, një i krishterë, ish gjetur lakuriq, në një hamam, vetëm për vetëm me një djalë të ri mysliman, me içoglanin pra.

Skënderbeu është ilustrimi më spektakolar i kësaj dukurie, ngaqë nga içoglan u shndërrua në një hero kombëtar. Por duhet thënë se devshirme-ja nuk u aplikua veç në Shqipëri. E duke qenë se së pari fisnikëria shqiptare u islamizua shumë shpejt, qysh në gjysmëshekullin e parë të sundimit osman, dhe se së dyti devshirme-ja vijoi si praktikë deri nga mesi i shekullit XVII, i bie që prej saj ta kenë pësuar më shumë elitat feudale të popujve që mbetën të krishterë. Edhe nëse devshirme-në e shohim të shtrirë e të aplikuar në familje të krishtera të një rangu të ulët, siç edhe ka qenë në të vërtetë pas islamizimit të fisnikërisë, i bie prapë që popujt e krishterë të Ballkanit, sidozot serbët, grekët etj., të kenë qenë më gjatë në gjeratoren e saj. Dyqind mijë fëmijë ballkanas kishin kaluar përmes sistemit të devshirme-së gjatë dy shekujve, në harkun e të cilëve kish funksionuar, thotë studiuesi Peter F. Sugar, dhe shumica e tyre ishin sllavë. Është aq e vërtetë kjo, sa gjuha serbo-kroate (dhe ajo bullgare, që ish e ngjashme me të) ishte shumë e përdorur në zemër të perandorisë. Ishte gjuha e jeniçerëve ngaqë – thotë Noel Malcolm duke iu referuar autorëve të ndryshëm – sllavët dominonin në pikëpamje numerike në këtë trupë ushtarake, dhe në oborrin e Sulltanit mezi dëgjohej turqishtja, ngaqë i gjithë oborri, e shumica e renegatëve, vinin nga viset sllave.

Historiani dhe albanologu Georg Stadtmuller, i cili në studimin e tij me titull “Islamizimi tek shqiptarët” përmend shqiptarin renegat Gedik Ahmet Pashën, që u bë Vezir i Madh qysh në kohët e para të pushtimit turk (mbi origjinën e këtij veziri, që u vra nga Sulltan Bajaziti II në vitin 1482, ka pretendime të tjera po njësoj mbushamendëse, se ishte grek e serb), i mbahet tezës se kanë qenë shqiptarët ata që, më shumë se të tjerët e para të tjerëve, kanë fituar zemrën e sulltanëve dhe të Portës së Lartë. Dhe Stadtmuller-i vijon: “Deri në gjysmën e dytë të shekullit XVI, raste renegatësh në funksione të larta mbeten të izoluara. Por më pas, një numër i madh shqiptarësh të ‘turqizuar’ kanë luajtur një rol të dorës së parë në ushtrinë e në administratën e Perandorisë Osmane. Shtresa e lartë e funksionarëve renegatë në Stamboll e kish origjinën prej kombeve të ndryshme, por mes tyre ishin shqiptarët të parët për nga numri e rëndësia; pas shqiptarëve vinin boshnjakët. Në Stamboll, në fund të shekullit XVI, ishin me origjinë shqiptare, përveç të tjerësh, dy pashallarë, një Hasseki (gruaja e parë e haremit të Sulltanit, më e afërta pas Validesë, nënës së tij), një dhëndër i Sulltanit”. Por Faik Konica, duke folur në (për) një periudhë shumë më të vonë, lë të kuptohet se ky pretendim ish i gjithi një mufkë; dhe për ta nxjerrë të tillë, i mjafton të shtjerë në punë një logjikë të thjeshtë aritmetike: “Dy milionë shqiptarë janë 1/14 e gjithë popullsisë së perandorisë; në 80 vilajete që janë gjithsej, vetëm 6 valinj janë me origjinë shqiptare; ndër 250 mytesarifë, vetëm 7 janë shqiptarë; në 300-400 gjeneralë, nja dhjetë duhet të jenë shqiptarë; në diplomaci vetëm një kryeshkronjëtor është shqiptar, dhe vendet e mira janë zënë nga turqit, grekët, armenët; shqiptarët e shumtë janë në detyra të ulëta, janë zaptije e çaushë”. Pas kësaj, pyetjen ua lë të tjerëve ta bëjnë: “Si na dalka që perandoria është në duar të shqiptarëve?”. Këto Konica i ka shkruar në vitin 1903.

Duhet thënë megjithatë se, nëse merret në shqyrtim e gjitha periudha e sundimit osman, atëherë teza që shqiptarët kanë pasur nën komandë një pjesë të mirë të perandorisë, nuk është pa gjë. Në këtë përfundim ka arritur edhe Stavro Skëndi, dhe si ilustrim të kësaj peshe të shqiptarëve në kuadrin perandorak përmend “më shumë se 30 kryevezirë me origjinë shqiptare”. Eqrem bej Vlora flet saktësisht për 35 vezirë e për më shumë se 100 mjeshtër të mëdhenj të jeniçerëve në 350 vitet e fundit, ndërsa Mehdi Frashëri provon të bëjë një listë të këtyre vezirëve, por nuk i shkon deri në fund: Ibrahim Pasha nga Parga e Çamërisë, dy Sinan Pashët, Qypërli Mehmet Pasha me të birin Fazil Ahmet Pashën ….

Stavro Skëndi jep dhe prova të tjera: “Shumica e renegatëve që arritën në pozita të larta gjatë regjimit të Mehmetit II qenë shqiptarë”, “shumë nga içoglanët, pazhë në oborrin e Sulltanit, të stërvitur jo vetëm në mjeshtërinë e oborrtarit, por edhe atë të administratorit e komandantit, ishin shqiptarë”, “djemtë më të fortë, në kuadër të devshirme-së, vinin nga Shqipëria”, “familja e Qyprillinjve, pjesëtarët e së cilës, në gjysmën e dytë të shekullit XVII, shpëtuan perandorinë nga shkatërrimi, qe me origjinë shqiptare”. Ka pasur dhe një familje sllave, në fakt, nga e cila kanë dalë disa kryevezirë; është fjala për familjen Sokolloviç që, në ndryshim nga kjo e Qyprillinjve, e shfrytëzoi ndikimin e vet në Stamboll edhe për të mbrojtur interesat e kishës ortodokse serbe; përveç kësaj, një Sokolloviç ishte ai që rithemeloi patriarkanën e Pejës më 1557; quhej Mehmet Pashë Sokolloviç, dhe në postin e patriarkut emëroi, me fuqinë e ndikimin që kish në Stamboll, vëllain e tij, Makariosin.

Autorët që kanë bërë nënvizimin se shqiptarët kanë qenë kanakarët e Portës, e kanë pasur të lehtë më pas për të dalë tek ideja se ata, shqiptarët e rëndësishëm të perandorisë pra, kanë qenë, për shkak të ndikimit e pushtetit mbi shqiptarët e tjerë, një faktor i fuqishëm islamizimi. Por, përpara këtyre, një faktor i tillë kanë qenë prijësit shqiptarë që, pas pushtimit osman, për të ruajtur pronat e privilegjet, për t’iu shmangur devshirme-së, për t’u bërë bisht taksave që ishin më të larta për jomyslimanët, e për të pasur mundësinë të bënin atë që kishin bërë deri në atë moment, d.m.th. të qeverisnin në viset e tyre, por këtë herë në emër e për interesa të perandorisë, s’e patën për gjë të merrnin fenë e pushtuesit. Ajo pjesë e fisnikërisë shqiptare që i mbijetoi pushtimit osman e që nuk preferoi emigrimin në Itali, a gjetkë në botën e krishterë, ish e tëra e islamizuar qysh në fillim të shekullit XVI, dhe ishin këta që, me pragmatizmin e tyre, u bënë shembull për rajanë. Duket se konvertimi në Islam i princërve feudalë është një nga më të rëndësishmit ndër faktorët që kanë ndikuar në islamizimin e shqiptarëve.

Faktorë të tjerë po kaq të rëndësishëm kanë qenë së pari përçarja mes këtyre princërve lokalë, së dyti mungesa e një tradite “shtetërore” a “mbretërore”, gjë që e kanë pasur kroatët, serbët, bullgarët etj., së treti prania e dy feve të krishtera bajagi kompetitive këtyre anëve, gjë që edhe e relativizonte rëndësinë e ndjenjës fetare te shqiptarët, edhe i pengonte këta të fundit të realizonin, ashtu si pjesa më e madhe e fqinjëve të tyre, njëjtësimin fetar, që atëbotë luante rol, më shumë se çdo gjë tjetër, në krijimin e një përkatësie identitare kolektive, së katërti kleri i krishterë i përçarë, i dobët, injorant e i korruptuar (lidhur me këtë, është interesante një polemikë e Nolit me ata që shprehnin bindjen se “ish kisha që e mbajti fenë e të parëve”. Dhe thotë Noli: “Po atëherë, si dreqin u bënë myslimanë shumica e shqiptarëve? Mos do na thoni nga shtrëngimi? Po historia na thotë që u bënë nga padija, se kleri i kishës së madhe kurrë s’u përpoq t’u tregojë shqiptarëve se ç’është feja e krishterë. Pastaj kini paturpësinë të na thoni se kisha na ruajti gjuhën e kombësinë. Po atëherë si na qenka e mundur që myslimanët shqiptarë e ruajtën gjuhën e kombësinë e tyre?”), dhe së pesti është etosi i shqiptarëve, d.m.th. natyra primitive, e dobët e spitullaqe e tyre, që i bënte të rendnin e të jepeshin pas autoritetit sundues apo në përgjithësi pas një statusi publik, gjë që nuk mund ta kishe pa qenë mysliman gjatë sundimit osman. Ka një pasazh në librin e Eqrem bej Vlorës “Nga Berati në Tomor e kthim”, në të cilin flitet edhe për rendjen që shqiptarët bëjnë pas karrierës e statusit në kuadrin e Perandorisë Osmane, por edhe për xhelozinë, me të cilën ruhet e mbrohet ky status. Jusuf Shegani, një shërbëtor për tridhjetë vjet me radhë në shtëpinë e Nurçe bej Kamshishtit, për shkak të trimërisë që kish demonstruar në luftime bëhet oficer i lartë, dhe erdhi puna një ditë që Nurçe beu, i thirrur nën armë, e pa veten nën urdhrat e shërbëtorit të tij. Dhe dufin e zbrazi me një vjershë: “T’i qish t’ëmën këtij zemani / Që u bë qeni langua / Po më urdhëron Jusuf Shegani / Pse s’më ha një mortje mua?” “Zeman” do të thotë “epokë, kohë”.

E fundit, por jo më e pakta, është dhe natyra luftarake e shqiptarit, gjë që e bënte këtë të fundit të shihte si më të rëndësishme të drejtën për të mbajtur një armë, që veç myslimanët mund ta gëzonin sesa të drejtën për të praktikuar fenë e vet. “Ku është shpata, atje është feja”, kjo është një shprehje e moçme shqiptare. Thuhet se është përdorur si kredo nga Gjon Kastrioti, por autori e udhëtari britanik Henry Fanshawe Tozer, ndërsa njeh autorësinë shqiptare të proverbit (ai e sjell në anglisht në formën “Where the sword is, the creed is also”), nuk ia atribuon të atit të Skënderbeut. Ndërsa Johann Georg von Hahn, po. E bën vaki që Von Hahn të jetë i pari që e mbron këtë tezë, e më pas është Georg Stadtmuller, e të tjerë. Sami Frashëri ynë e ka toskëzuar: “Tek është kordha, është besa”.

“Të gjithë të rinjtë mbajnë armë me vete, ngaqë – Zoti na ndihmoftë – e tillë është Shqipëria, e nuk ka asgjë që nuk shkon në këtë mes”, thotë Evliya Çelebi. Është viti 1670. E nuk është duke folur për malësorët e Dukagjinit. Është duke folur për beratasit e urtë të fushës së Myzeqesë.

Më pas, nuk kanë të numëruar autorët që e kanë vënë re këtë pasion të shqiptarëve për armët. “Një shqiptar kënaqet me hiçgjë; pak bukë kallamboqi, një qepë, dhe pak djathë dalin e teprojnë për të; po ta ndërrojë veshjen e tij një herë në dy-tre muaj, mund të quhet me fat”, ia bënte Charles Cockerell në shënimet e veta me titull “Travels in Southern Europe” (Udhëtime në Europën Jugore),të shkruara në vitin 1814 (si shumë të tjerëve, edhe këtij nuk i është ndenjur pa i bërë një vizitë Ali Pashës). Dhe pastaj dilte në temë: “Po të ketë një thikë e një pistoletë në brez, dhe një armë në sup, ai mund të bëjë një gjumë të thellë edhe në mes të rrugës, me kryet mbështetur në një gur e me anën e xhaketës hedhur mbi fytyrë”.

Benjamin Disraeli, përpara se të bëhej anëtar i Dhomës së Komuneve e kryeministër (dy herë), ka bërë një udhëtim, përveç të tjerash, në Shqipëri, dhe prej aty i dërgon të atit një letër, në të cilën i shkruan se “të gjithë këta shqiptarë janë të armatosur deri në dhëmbë, me kama, pistoleta, armë, të zbukuruara në mënyrat nga më të ndryshmet dhe rëndom me qyta të lara e të qëndisura me argjend”.

Në librin e tij me titull “History of the Greek Revolution” (Historia e revolucionit grek), historiani britanik George Finlay veçon si një cilësi të shqiptarëve faktin që “këta i kanë mbushur mendjen vetes se kanë lindur për të mbajtur armë; pronarët e tokave, të mëdhenj a të vegjël qofshin, mbajnë pas vetes njerëz të armatosur; çdo shqiptar që nuk i ka për zemër mundimet e jetës e mbijetesës, i mban sytë nga armët dhe kështu, sa herë që autoriteti qendror është i dobët, punët zgjidhen me gjakmarrje; në fillimet e këtij shekulli, anarkia ish një gjendje normale në shoqërinë shqiptare; gegë, toskë, tribu, farë e fise, qytete e fshatra, jetonin në mes të një armiqësie të pafundme me sho-shoqin”. G. Finlay i ka shkruar këto rreshta në vitin 1861.

Ndërsa Henry Brailsford, pasi thotë në librin e tij “Macedonia, ist races and their future”, se “shqiptarët i gjen brenda Perandorisë Osmane në të gjitha ato pozicione që i vendos ata në kontakt me europianët, si guvernatorë e oficerë të lartë ushtrie”, shton se “për sa u takon shtresave të ulëta, zanati i tyre tipik është ai i cavass-it (është e habitshme se si termi cavass, kaq i lidhur me shqiptarët, nuk ka mbetur në gjuhën shqipe),d.m.th. i zyrtarit të armatosur, gjysmëkorrier e gjysmërojë trupi; ose në raste të tjera i gjen në shërbim të ndonjë europiani të kamur; nëse syri ju kap ndonjë rob të veshur në mënyrë piktoreske e të ngrefosur, që ka për dekor një numër armësh në duar, që sillet me përtaci e tangërllik në dyer konsullatash e bankash, që çon pará apo mesazhe nga një vend në tjetrin, e që është i gatshëm për të shërbyer në këmbim të parave si shoqërues e rojë trupi udhëtarësh, dijeni se ai është padiskutim një shqiptar”.

Me shqiptarët mund ta prishje veç po t’u merrje armët, gjë që osmanët edhe e kanë provuar në ndonjë rast në rrethanat që po dëboheshin nga Rumelia, andej nga fillimi i shekullit XX. “Shqiptarëve u morën armët [në një kohë që] ata janë karakolli i fortë i Perandorisë e që armët i kanë më të dashura se shpirtin e tyre. Me një politikë të mençur e të matur, këto armë, në rast nevoje, do të përdoreshin kundër armikut, kurse ato u morën nga duart e shqiptarëve, gjaknxehtësia e krenaria e të cilëve është e famshme; [dhe ua morën armët] duke i rrahur e i ofenduar në sy të grave, të nënave e të vajzave të tyre; … një sjellje më e çmendur sesa kjo nuk mund të mendohej”. Këtë vëzhgim e ka bërë një shkrimtar politik i osmanëve, Lutfi bej Simavi, në veprën e tij me titull “Sarayinda Gorduklerim” (Ç’pashë në Pallat), së cilës i referohet Syrja Vlora në “Kujtimet” e veta.

Ky pasion belligjerent që ka mbetur deri në ditët tona, ka sjellë edhe një idilizim të vdekjes që vjen prej një arme në krahasim me vdekje të provokuara ndryshe. Të vdesësh nga një armë është më e fisme sesa të vdesësh në rrethana të tjera. Ose anasjelltas, të vrasësh me armë është më e falshme e më e kuptueshme, në mos më e admirueshme sesa të vrasësh me mënyra të tjera. Është shumë domethënëse, në këtë diskutim, një anekdotë e treguar nga sekretari i princ Wied-it, Heaton Armstrong: “Kur komandanti i Durrësit (që në vitin 1914 ish kryeqytet i Shqipërisë), Johan M. Sluys i bëri një vizitë në shtëpi Esat Pashë Toptanit, me qëllim që të protestonte kundër emërimit të italianit Moltedo në komandën policore, Esati urdhëroi një prej shërbëtorëve të tij që t’i hidhte helm kafesë që po bëhej me atë rast për holandezin zemërak, mirëpo ky i fundit, shërbëtori pra, ndonëse i prerë, i prirur e i dëshiruar për t’i shërbyer padronit të vet, u step dhe e kundërshtoi. ‘Unë s’e kam fare problem t’i fus një koqe plumbi, por këtë që po më kërkoni nuk mund ta bëj; nuk mund ta helmoj; është gjë e ulët për mua; më mirë më vrit sesa t’më kërkosh një gjë të tillë’, thuhet t’i ketë thënë shërbëtori”. Dhe Esati nuk ia prishi. Me të ikur majori, e vrau. Dhe të bëhet të mendosh se ishte një zgjidhje në lartësinë e dinjitetit të shërbëtorit. Esati, për ta poshtëruar, edhe mund ta helmonte.

Është edhe një ngjarje e rrëfyer prej Justin Rrotës në “Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër …” që flet më qartë se çdo gjë tjetër për idealizimin që shqiptari i ka bërë pushkës. Në ditët e vështira të Shkodrës së rrethuar nga serbo-malazezët, “një burrë i dëshpruem shprehu dëshirën me vra veten”. Xhandari që ndodhej pranë, “pa e peshue situatën, i thotë: ‘Qe pushkën ku e ke, vraje veten’”. Dhe i lë pushkën e vet në duar. Burri nuk e bën të gjatë. Ia merr pushkën xhandarit, dhe me të qëllon veten. E të vetmin merak që kish para se të vdiste, pati fuqi t’ia shprehte atij që iu ndodh më pranë: “Ktheja pushkën të zotit, dhe falju nderës prej meje”.

Gjatë regjimit komunist, popullsia u çarmatos tërësisht dhe kjo ishte hera e parë në histori që shqiptarët mbetën pa armë. Por 45 vjet nuk ishin shumë për të zhbërë një traditë qindravjeçare. Pas përmbysjes së komunizmit në vitin 1990, sidomos pas krizës së vitit 1997 që u shoqërua me rënien e shtetit e me – vini re! – shpërthimin e depove të armëve, popullsia u armatos sërish. Kronikat televizive atëmot tregonin mijëra njerëz që iu sulën depove, rrëmbenin armë e municione, dhe qëllonin në ajër me tërsëllëm. Ishte një histeri që dukej sikur vinte edhe prej një pasioni të rigjetur apo prej nevojës për një shpërmallim pas asaj paranteze moderniteti, që kish prurë dhunshëm komunizmi. Një pjesë i dorëzuan armët pas mbylljes së krizës, por të shumtët parapëlqyen t’i mbanin fshehur.