Noel Malcolm nderohet nga Mbretëresha Elizabeth e II-të me titullin “Sir”.

 

Gazetat Britanike The Times dhe The Daily Telegraph të datës 31 Janar 2013

kanë publikuar listën e personave të nderuar, nga Madhëria e Saj Elizabeta e II-të,

Mbretëreshë e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, me tituj të ndryshëm për

merita të veçanta në shërbim të shoqërisë. Në këtë listë është edhe emri i Dr. Noel

Robert Malcolm, studiues dhe historian britanik, i njohur jo vetëm në Britani por

edhe në mediat dhe qarqet akademike shqiptare.

Dr. Noel Malcolm është lauruar me titullin Knights Bachelor (Kt), një rank ky që

daton në shekullin e 13-të gjatë mbretërimit të Henrit të III-të dhe që është pjesë e

sistemit të nderimeve në Britani, dhe që nga dita e sotme mban titullin “Sir. Noel

Robert Malcolm”. Ky është një titull që i ipet vetëm meshkujve, të cilët bëhen

kalorës nga monarku por jo si anëtarë të “Urdhërit të Kavalerisë”.

The Times bën të ditur se i ipet titulli Knights Bachelor për shërbime politike dhe

publike, Dr. Noel Robet Malcolm, Hulumtues i Lartë në Kolegjin All Souls, në

Universitetin e Oksfordit, për shërbime në Studime Akademike, Gazetari dhe

Histori Evropiane.

Dr. Malcolm u bë i njohur për publikun shqiptar, më 1998 kur botoi librin historik

“Kosovo-a Short History”-“Kosova-Një Histori e Shkurtër”, një libër ky me

vlera të padiskutueshme për historinë shqiptare dhe që u mirëprit gjerësisht nga

publiku mbarëkombëtar por, që u përball me kritika të shumta, të paargumentuara

shkencërisht, nga qarqet ruse dhe serbe.

Dr. Malcolm ka kryer studimet për Histori në Peterhouse, Kembrixh, gjatë viteve

1974-78. Ai ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave (PhD) në filozofi në Trinity

College në Kembrixh dhe ka qenë Bashkëpunëtor dhe Ligjërues në Gonville and

Caius College, në Kembrixh nga1981 deri më 1988.

Si gazetar, ai ka patur rubrikën e tij politike, në revistën The Spectator, gjatë viteve

1987-1991 dhe më pas ka qenë redaktor i jashtëm më 1991-92. Po kështu ka patur

rubrikën e tij politike në gazetën The Daily Telegraph gjatë viteve 1992-95.

Dr. Malcolm është nderuar me çmimin Thomas Edwin Utley, për Gazetari Politike

më 1991.

Ai është Bashkëpunëtor i Lartë Shkencor që nga 2002, në All-Souls College,

Oksford, ku dhe jeton e punon ende.

Ndërmjet aktiviteteve të tjera të shumta Dr. Malcolm është dhe anëtar i Shoqatës

Mbretërore (Britanike) të Letërsisë (FRSL) që nga 1997, anëtar nderi i së cilës ka

qenë edhe rilindasi shqiptar Pashko Vasa në fund të shek të 19-të.

Po kështu Dr. Malcolm është bërë anëtar i Akademisë Britanike me 2001, anëtar i

jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që nga viti 2010 është

Anëtar Nderi i Peterhouse, Kembrixh dhe më 2011 Anëtar Nderi i Trinity College,

Kembrixh.

Përveç nderimeve dhe çmimeve të tjera të shumta, Dr. Noel Malcolm është lauruar

me medalje nga Akademia Britanike në shenjë mirënjohje për punën e tij titanike

në përgatitjen dhe përktimin, nga Latinishtja në Anglisht, të librit “Thomas Hobbes

Leviathan” botuar nga Oxford University Press, 2012. Libri është botuar në tre

vëllime dhe ka 1832 faqe.

Dr. Malcolm në vazhdimësi ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të

pashëmbullt për historinë dhe në ndihmë të shqiptarëve. Ai është Kryetar i

Shoqatës Anglo-Shqiptare në Londër, të themeluar nga Aubrej Herbert (ish-anëtar i

Parlamentit Britanik), më 1912 dhe është anëtar i Bordit Akademik të Qendrës për

Studime Shqiptare, Londër.

Ai është dekoruar nga i ndjeri Presidenti Ibrahim Rugova me Medaljen e Artë të

Lidhjes së Prizrenit dhe nga is-Presidenti Alfred Moisiu me Medaljen e Artë për

Merita.

Përgatiti: Jeni Myftari