NOAA thotë se Trekëndëshi i Bermudeve është vetëm mit

Me gjasë të gjithë ju keni dëgjuar për Trekëndëshin e Bermudeve, si një vend ku objektet dhe njerëzit zhduken në mënyrë të mistershme. Si shkaktarë të kësaj përmenden shpesh jashtëtokësorët, ndonjë “magnet” nënujor, apo diçka e ngjashme. Por, Administrata nacionale (amerikane) oqeanike dhe atmosferike (shkurt në origjinal NOAA) tani thotë se të gjitha “tregimet” që lidhen me këtë trekëndësh janë të rreme, dhe se në këtë trekëndësh nuk ndodh asgjë e çuditshme.

“Nuk ka dëshmi se në Trekëndëshin e Bermudeve ka më shumë zhdukje të mistershme sesa në ndonjë vend tjetër të ngjashëm në oqean”, shkruan agjencia në uebsajtin e saj. Me këtë qëndrim duket se pajtohet edhe Roja Bregdetare e SHBA-së, e cila thotë se nuk njeh ekzistimin e kurrfarë Trekëndëshi të Bermudeve si zonë gjeografike me dëm të veçantë për anijet dhe avionët”.