NJË KUNDËRHELM I FUQISHËM NDAJ SHTETIT ISLAMIK

GORDON BROWN*

Në Bejrut, kryeqyteti i trazuar i një prej vendeve me një prej historive më të këqija të dhunës sektare në botë, po zhvillohet një eksperiment unik.

E krijuar nga Karta Kombëtare për Edukimin e të Jetuarit së Bashku në Liban (e nënshkruar nga të gjithë udhëheqësit e feve kryesore), një program i përbashkët shkollor mbi vlerat e përbashkëta po mësohet në shkollat fillore dhe tetëvjeçare nga nxënësit shiitë, sunitë dhe të krishterë.

Lëndët përqendrohen te “promovimi i bashkëjetesës” duke përqafuar “qytetarinë gjithëpërfshirëse” dhe “diversitetin fetar” dhe synon të garantojë atë që ideuesit e quajnë “çlirimin nga rreziqet e … sektarianizmit”. Por ky program i ri është më tepër sesa një kërkesë për ta dashur fqinjin, një rregull i artë ky për të gjitha fetë. Ai i mëson nxënësit se ata mund t’u gëzohen dallimeve pa e rrezikuar bashkëjetesën.

Programi është menduar për fëmijë duke nisur nga mosha 9-vjeçare dhe përfshin katër module. I pari flet për historinë e familjes globale humane dhe pohon se të gjithë kanë një dinjitet të barabartë. I dyti përqendrohet te të drejtat dhe detyrimet e qytetarisë, pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike. I treti mbulon diversitetin fetar dhe përfshin “refuzimin e çdo radikalizmi apo izolimi sektar”. Në të katërtin, fokusi kalon nga niveli lokal te nevoja për diversitet kulturor global.

Sigurisht, duhet shumë punë përpara se ky eksperiment të sjellë fryte, por fakti që po ndodh sot në Liban është i një domethënieje globale, për shkak të vendimit të vendit për t’u garantuar shkollimin të gjithë fëmijëve refugjatë sirianë.

Duke vepruar në bazë të një sistemi me dy turne (fëmijët libanezë bëjnë mësim paradite, kurse refugjatët sirianë pasdite), tani shkollat e reja publike presin më shumë nxënës refugjatë – afërsisht 20 mijë djem dhe vajza siriane – sesa vendas.

Libani ofron që të vegjlit të largohen nga rruga dhe garanton që ata të shkollohen në një mjedis normal. Më e rëndësishmja, fokusi i programit te paqja dhe pajtimi mes feve është kundërhelmi ndaj propagandës ekstremiste të Shtetit Islamik. Lëndët sfidojnë përrallat e ekstremistëve të dhunshëm se ka një ndasi të papajtueshme ndërmjet besimtarëve myslimanë dhe të pafeve të “tjerë”.

Strategjia e Shtetit Islamik është të “kapë rebelimin e të rinjve, energjinë dhe idealizmin e tyre, si dhe gatishmërinë e tyre për t’u vetësakrifikuar”, sipas vetë propagandës së tij. Në qendër të këtij botëkuptimi, sikurse ka dëshmuar një ish-peng i ekstremistëve të rinj të Shtetit Islamik, është “besimi se komunitetet nuk mund të jetojnë së bashku me myslimanët” dhe “se ka një proces apokaliptik në zhvillim e sipër që do të çojë drejt një përplasjeje ndërmjet një ushtrie myslimanësh në të gjithë botën me atë të jomyslimanëve”.

Por nëse shumica e refugjatëve sirianë marrin një shkollim që promovon vlerat dhe dinjitetin njerëzor, hapësira e kësaj pikëpamjeje apokaliptike pakësohet.

Presidenti amerikan, Obama, ka të drejtë kur thotë se Shteti Islamik duhet shkatërruar, ashtu sikurse ne i dënojmë ata të cilët interpretimi pervers i islamit i bën ta shfajësojnë dhunën. Por ushtrimi i forcës qaset më mirë me shkollim. Ne duhet t’u ofrojmë këtyre të rinjve një vizion alternativ për të ardhmen e rajonit të tyre dhe të pranojmë se ka pasur një dështim të mjerë me shkollimin. Kjo i ka lënë shumë të rinj arabë me njohuri të pakta për sa u takon të përbashkëtave të feve botërore dhe për ndonjë alternativë tjetër përveç xhihadit, për shkak të institucioneve të ngurta dhe të pareformuara, që nuk janë në gjendje të garantojnë punë apo shpresë.

Sot, 47 për qind e të rinjve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut janë ose të papunë ose të keqpunësuar. Brenda 2025-s, rajoni do të ketë një popullsi prej 250 milionë njerëzish nën moshën 25 vjeç. Me këta të rinj nën trysni të përditshme për t’u identifikuar me vuajtjet e vëllezërve të tyre myslimanë, ne duhet të tregojmë se ka një rrugë të tretë përveç terrorit dhe shpesh status quo-së tiranike.

Të gjitha provat dëshmojnë se nëse ka shkollim, punësim dhe mundësi sipërmarrjeje, të rinjtë e rajonit do ta shfrytëzonin rastin. Shumica duan të jetojnë në një shoqëri më të hapur ku të kenë mundësinë që të përfitojnë nga përparimet shkencore sikurse të rinjtë e tjerë. Në një sondazh të fundit, afërisht 40 për qind e të rinjve të Lindjes së Mesme janë shprehur se duan të nisin biznesin e tyre.

Është momenti të tregojmë se ne nuk jemi vetëm njëra anë e hapjes, tolerancës dhe diversitetit, por edhe e mundësive. Ne duhet të garantojmë që çdo fëmijë i refugjatëve të marrë atë që Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e 1948-s, Konventa e të Drejtave të Fëmijëve e 1989-s dhe Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të vitit 2000 premtuan: të drejtën e shkollimit, pavarësisht se ku ndodhen fëmijët, se çfarë feje apo statusi kanë, qofshin ose jo refugjatë.

Përpara luftës civile, shumica e fëmijëve sirianë ishin në shkollë. Tani, me shumicën e 2 milionë fëmijëve sirianë që enden nëpër rrugë, brezi i tyre është një brez i humbur dhe rezulton se martesat mes fëmijëve sirianë janë dyfishuar në Jordani, si dhe përqindja e punës ndërmjet tyre është rritur ndjeshëm, sipas një studimi të fundit të bërë në Turqi.

Brenda pak muajsh, falë ministrit libanez të Arsimit, Elias Bou Saab, janë krijuar 175 mijë kuota shkollore për refugjatët pa dashur që të ndërtohet as edhe një shkollë e vetme. Por nuk mjafton. Ka ende 200 mijë fëmijë të tjerë që ishin nëpër rrugët e Libanit, por edhe më shumë në Turqi dhe Jordani.

Por mungesa e parave është ajo që po na pengon. Për rreth 500 milionë dollarë në vit, ose 500 dollarë për nxënës në vit, ne mund të futim në shkolla 1 milion nxënës në Turqi, Jordani dhe Liban.

Nëse shkollimi është i mundur në rajon, shumë prindër do të mendojnë dy herë përpara se të ndërmarrin udhëtime që vënë në rrezik jetën nëpërmjet Mesdheut dhe do ta ngadalësojmë eksodin për në Europë të mijëra familjeve të refugjatëve. Por rasti i mbështetjes financiare Perëndimore për një program shkollimi për komunitetet e refugjatëve është më i mahnitshëm sesa kaq: ai nuk do të na mundësonte vetëm të përballeshim me vuajtjet e tmerrshme dhe dhembjet e miliona njerëzve që kanë humbur gjithçka në një luftë brutale civile, por do të ofronte gjithashtu një vizion të ardhmeje që e bën bashkëjetesën ndërmjet feve një realitet.

*Gordon Brown, Kryeministër i Britanisë në vitet 2007-2010, është aktualisht i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për shkollimin global.