Një film për zvetënimin shpirtëror dhe krimet ndaj mjedisit

Ngacmimin për këtë film, regjisori Edmond Budina thotë se e ka marrë nga përditshmëria në Shqipëri. Mosmirënjohja, shpërbërja shpirtërore e njerëzve përpara pasurimit të menjëhershëm e me mjete jo të ndershme, si edhe çështja e ndotjes së ambientit, janë temat kryesore që trajtohen në filmin të “Thyer”, i realizuar me një buxhet prej 200 milionë lekësh. Për publikun, ka bërë me dije regjisori, ky film do të vijë premierë në prill të vitit që vjen

Filmi që u nis të realizohej pa para – me një ide të regjisorit, drejtorit të fotografisë e kastës së aktorëve – shumë shpejt u përball me realitetin e u detyrua të kërkonte financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Një financim që ka kapur shifrën e 200 milionë lekëve të vjetra, siç është bërë e ditur ditën e djeshme nga drejtori i QKK-së, Ilir Butka, në konferencën për shtyp ku merrte pjesë edhe regjisori Budina dhe aktorët që interpretojnë në këtë film.

Filmi e merr subjektin nga realiteti i sotëm shqiptar duke përfshirë tema si mosmirënjohja, shpërbërja shpirtërore e njerëzve përpara pasurimit të menjëhershëm e me mjete jo të ndershme, si edhe çështja e ndotjes së ambientit.

“Për të bërë një projekt të këtij lloji, ngacmimet i gjen gati çdo ditë në Shqipëri. Është një subjekt që flet për ditët tona, ndërthuren ndotja e ambientit, marrëdhëniet sot në shoqërinë tonë; është përshkrimi i Shqipërisë së sotme në film. Një film ku ndërthuret drama me komedinë”, -u shpreh Budina mbi zanafillën e filmit.

Është pikërisht ky realitet i trishtë e problematik, ajo e përditshme që shihet e që preket, e cila duhet trajtuar në kinematografi, është i mendimit regjisori.

Historia sillet rreth dy personazheve, Jani dhe Andi. Jani pasi ka bërë 18 vjet burg, kthehet nga Italia për të mos gjetur kënd në shtëpi. Shtëpinë ia kanë shitur, nuk ka asnjë të dhënë për familjen e tij dhe nga fqinji i vet mëson se i biri është një nga njerëzit e fuqishëm e më të pasur politikanë të Shqipërisë së sotme, një pasuri që nuk e ka vënë me punë të ndershme.

Regjisori ka dashur që në këtë film të prekë një temë, që sipas tij flitet fare pak në vend, siç është abuzimi me mjedisin… Ndërtimet pa kriter, mbetjet toksike që fshihen në tokë, ato që hidhen në detin Adriatik e Jon. Kjo lloj makutërie e humbje vlerash, një ditë kthehet mbrapsht, mendon Budina, duke sjellë probleme klimaterike e shëndetësore për njerëzimin.

Filmi gjithashtu trajton marrëdhënien prind – fëmijë, ku regjisori ka prekur temën e mosmirënjohjes, një sjellje që sipas Budinës vjen për shkak të liberalizmit dhe kapitalizmit të egër që i ka bërë njerëzit të ethshëm për të fituar e pasuruar me çdo kusht, duke shkelur mbi marrëdhëniet njerëzore.

Aktorët që luajnë në këtë film janë: Nikolla Llambro, Laert Vasili, Ola Harizaj, Artan Islami, Sotiraq Bratko, Syrja Meçe, Ylli Trajçe, Rachele Laro, Ansa Rochi, Zamira Kita dhe Gerti Ferra.

“Fatkeqësisht, aktori Marko Bitraku është ndarë nga jeta, por unë personazhin që interpretohet nga Nikolla Llambro e kisha shkruar për të. Që në fillim e kisha menduar për të rolin, duke mos i hequr asgjë interpretimit të Nikolla Llambros, që gjithashtu e ka sjellë shumë mirë këtë rol”, – ka shtuar Budina.

Laert Vasili vjen në këtë film në rolin e një politikani të ri. “Ky udhëtim filloi para 3 vitesh, kur sapo kishte mbaruar aventura e Mondit. Në film personazhi im është Andi Budi, një politikan i ri, i inkriminuar. Andi Budi për të bërë karrierë…ka shitur nënë dhe babë”, – është shprehur Vasili gjatë konferencës.

Budina ka zbuluar se “Të thyer” është xhiruar për 21 ditë, duke shfrytëzuar dritën natyrale. Është i pari film i xhiruar i gjithë me dritë natyrale, pa shpenzuar energji elektrike.

“Kemi arritur ta realizojmë me pasionin e madh të të gjithë njerëzve që marrin pjesë në këtë film, por fatmirësisht edhe pse me buxhete të vogla, kemi një bashkëprodhim italo-maqedonas-shqiptar dhe shpresojmë që qoftë edhe me këtë buxhet të vogël, ne të kemi bërë një film të mirë”, – ka vijuar Budina, i cili në këtë film është asistuar nga italian Edoardo Tagliavini si asistent/ regjisor; Darko Spasovski është operatori i zërit, ndërsa Adelë Budina, administratore e ABFilm.

Premiera e filmit pritet të jetë në prill-maj të 2016-ës.