Nishani pret kombëtaren: Rrezikuat në emër të dinjitetit shqiptarë, ju jemi mirënjohës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim miqësor përfaqësues të ekipit kombëtar te futbollit dhe drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në takim, Presidenti pasi u uroi mirëseardhjen, u ndal në situatën e rëndë me të cilën ekipi shqiptar i futbollit u ndesh në stadiumin e Beogradit.

“Lojtarët shqiptarë,” theksoi Presidenti Nishani, “shkuan pa paragjykime si sportistë dhe profesionistë, por u ndeshën me fyerjen e simboleve tona kombëtare, me thirrje shoviniste dhe raciste, me dhunën e huliganëve dhe pjesëtarëve të stafit të sigurisë në stadium, situatë që e përballuan me dinjitet të lartë.”

“Ata rrezikuan shumë në emër të dinjitetit dhe simbolikës që mbartin ngjyrat e flamurit kombëtar si shenjë e identitetit dhe integritetit shqiptar. Ne, shqiptarët dimë të jemi të virtytshëm pa qenë shovenë, dimë të sfidojmë rrethanat, të vetëdijshëm në përkatësinë tonë evropiane dhe në sjellje po aq dinjitoze. Ne besojmë se sporti dhe kultura duhet t’i afrojnë më shumë popujt”, theksoi Presidenti Nishani. Asgjë nga ato me të cilat sportistët shqiptarë u ndeshën dje në stadiumin e Beogradit, shtoi Presidenti i Republikës, “nuk kanë lidhje dhe ngjashmëri me standardet evropiane dhe familjen evropiane ku duhet të shkojnë të gjithë popujt dhe vendet e Ballkanit”.

“Mosreflektimi ndaj dhunimit të simboleve tona kombëtare, ndaj dhunës huligane, është mundësi e madhe që shëmti të tilla të përsëriten,” theksoi më tej Presidenti Nishani.