Nishani dekreton ambasadorët e rinj në Turqi, Itali dhe Kuvajt

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekretuar sot ambasadorët e rinj të Shqipërisë në Kuvajt, Turqi dhe Itali. Konkretisht, Nishani ka dekretuar emërimin e Saimir Balës në Kuvajt, Genti Gazhelit në Turqi dhe Anila Bitrit në Itali.

“Zoti Saimir Bala, emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit, rezident.

Zoti Genti Gazheli, emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, Republikën e Kirgistanit, Republikën Islamike të Pakistanit dhe në Republikën e Gjeorgjisë, jorezident.

Zonja Anila Bitri, emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Italisë, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maltës, në Republikën e San Marinos dhe pranë Organizatës Ndërkombëtare të Bujqësisë dhe Ushqimit “FAO”, jorezident”, thuhet në njoftimin zyrtar të faqes së Presidencës.