Nis votimi në VV, Kurti: Organizata më demokratike në Kosovë

Në ora 10:00 të mëngjesit të sotëm ka nisur votimi për zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Në këto dy ditë anëtarët e kësaj force politike do të votojnë sipas parimit një anëtar një votë në mbi 200 vendvotime të hapura anembanë Kosovës, si dhe në 6 shtete të Evropës.

Kryetari aktual Albin Kurti ka qenë ndër anëtarët e parë që ka votuar këtë mëngjes.

“VETËVENDOSJE! është jo vetëm lëvizja politikisht më aktive në Kosovë, jo vetëm subjekti konceptualisht më i thellë në Kosovë, por njëkohësisht është organizata përmbajtësisht më demokratike në Kosovë. Sot dhe nesër, pra me 21 dhe 22 shkurt të vitit 2015 po mbajmë zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE! për shkak se me procesin tonë demokratik, ne me shembullin tonë tregojmë se si duhet të ndërtohet demokracia edhe në mbarë Republikën e Kosovës. Me këtë rast, në më shumë se 200 vendvotime anë e mbanë Kosovës po organizohen zgjedhjet për Kryetar të ri të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe më pas do e kemi edhe kryesinë e re në mbledhjen e ardhshme të organit më të lartë të lëvizjes sonë, i cili është Këshilli i Përgjithshëm.

Me këtë rast, unë iu bëj thirrje të gjithë anëtarëve të VETËVENDOSJE!-s që të votojnë dhe ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre, ta deklarojnë zgjedhjen e tyre në këto votime të lira, të cilat po i organizon Lëvizja VETËVENDOSJE!”, është shprehur Kurti pas votimit.