Nis gjyqi në Tiranë ndaj imamit të Leshnicës që lufton përkrah ISIS

Ka mësuar nga policia se do të nis gjyqi ndaj të birit, ndaj ka marrë rrugën dhe kë mbërritur ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Është i vetmi njeri i Almir Dacit, i cili ka marrë gruan dhe dy fëmijët dhe ka ikur në Siri. Atje gjendet prej 3 vitesh, e madje prokuroria dhe policia e kanë të dokumentuar edhe momentin e tij të daljes nga aeroporti i Rinasit. Në fakt, shumica prej personave që kanë ikur për të luftuar në Siri, kanë kaluar nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar, paçka se stacioni i parë i tyre ka qenë përcaktuar Turqia, një mundësi e mirë për të realizuar kalimin edhe kur luftëtarët e xhihadit kanë rrëmbyer edhe të vegjlit e tyre.

Kështu dje, në seancën e parë gjyqësore kundër Almir Dacit, i njohur me emrin e luftës si “Ebu Beliksa”, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi të njoftohen të gjitha Drejtoritë e Policisë në vendin tonë, për të vënë në dijeni 33-vjeçarin apo familjarët, pasi procesi ndaj tij ka nisur në mungesë. Por ky veprim është procedurial, pasi i kërkuari, i hetuari dhe tashmë, në proces gjykimi, dihet që ndodhet në Siri. Ish-imami i xhamisë së Leshnicës së Pogradecit, një xhami që është kthyer në problem për vetë Komunitetin Mysliman pasi rezulton të jetë jashtë këtij Komuniteti, edhe pse gjykohet vetëm, ai ka dalë në përgjime duke biseduar me Bujar Hysën, ish-imamin e Mëzezit. Në përgjime thotë prokuroria shfaqen dy imamët duke folur për grumbullim njerëzish për t`i nisur në drejtim të Sirisë.

Madje atje, prokuroria pretendon se Daci është rreshtuar në krah të ISIS. I vënë nën tri akuza atë të pjesëmarrjes luftarake në një shtet të huaj, rekrutim të personave për kryerje të veprave terroriste dhe propagandë për kryerje veprash terroriste, Daci është shfaqur edhe nëpër video të ndryshme ku propagandon për t`iu bashkuar luftës për xhihad. Prokuroria i ka të dokumentuara si prova dhe fakte të gjitha videot e luftëtarit të ISIS, ndërsa i ati, Xhevahir Daci tregon se i biri ka komunikuar me të para një muaji. I ka thënë që gjendet në Arabi dhe se është shumë mirë. Mirëpo, Xhevahir Daci, duke dashur të mospranojë gjithçka flitet për të birin, bëri me dije publikisht se djali i tij kishte ikur nga Shqipëria nga gjendja ekonomike dhe se nuk ka shkuar të luftojë kundër as kujt, por të punojë!