Në Mitrovicë vijon gjykimi i Ivanoviçit dhe 4 serbëve

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës vazhdon sot gjykimi i liderit të Iniciativës Qytetare “Serbia”, Oliver Ivanoviç dhe katër serbëve të tjerë, të akuzuar se kanë kryer krime të rënda kundër shqiptarëve në këtë qytet gjatë viteve 1999-2000.

Zëvendës-shefja e EULEX-it, Joelle Vachter, deklaroi për agjencinë “Tanjug” segjykimi vazhdon sot, ndërsa edhe disa seanca të tjera janë caktuar për në shkurt, mars dhe prill.

Sipas saj, lidhur me Ivanoviçin deri sot para gjykatës janë paraqitur 18 dëshmitarë.

Vachter tha se pas këtyre dëshmitarëve që do të dëshmojnë për ndodhitë në vitin 1999, para trupit gjykues do të paraqiten edhe 40 dëshmitarë lidhur me akuzat ndaj pesë serbëve për krime gjatë vitit 2000.